Lajme

Gërmimet në Shtaval, Gara: Serbia të vë në dispozicion edhe informatat nga arkivat

Autori: Gazeta inFokus 23:50 | 10 May 2022

Sot kanë filluar gërmimet në kërkim të mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në Serbi.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se gërmimet filluan pasi në fund të javës së kaluar janë siguruar imazhet satelitore përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Në lidhje me këtë në “Edicionin Special” në Klan Kosova foli Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit i cili tha se në ditët në vazhdim do të bëhet analizimi i këtyre pamjeve nga ekspertët që të saktësohet lokacioni i mundshëm i varrezës masive.

-Advertisement-

Ai u shpreh se ky është një proces i ndjeshëm dhe se Serbia në vazhdimësi bën përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

“Është përpjekja e vazhdueshme e institucioneve të Serbisë për të fshehur gjurmët e krimit dhe në bazë të përvojave që kemi deri më tani, përkundër insistimit nga të dhënat që ne kemi prezantuar për palën serbe dhe bazuar në informatat e siguruara nga dëshmitarë të ndryshëm, gjithmonë puna në teren ka dhënë pastaj një realitet ndryshe”.

Gara gjithashtu tha se Serbia duhet të vë në dispozicion edhe informatat nga arkivat.

“Krahas kërkesës që të sigurohen imazhe të tilla satelitore është kërkesë e vazhdueshme diçka që nuk po ndodh deri më tani që Serbia të vë në dispozicion edhe informatat nga arkivat apo nga të dhënat që ata posedojnë për këtë lokacion, sepse është e pamundur duke pasur parasysh mënyrën se si është përshkruar informacioni dhe mënyrën se si kanë vepruar institucionet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë është e pamundur që një lokacion të tillë të barten kufomat nga territori i Kosovës në territorin e Serbisë dhe të mos jenë në dijeni institucionet e Serbisë të asaj kohe”.

Ai dha detaje edhe në lidhje me lokacionet në të cilat dyshohet për varreza masive.

“Besoj që element kyç mbetet ndryshimi në terren brenda periudhave të caktuara kohore, por gjithmonë duke u ndërlidhur me datat kur kanë ndodhur në Kosovë rrëmbimet apo zhdukjet. Çdo ndryshim në sipërfaqe në terrene të tilla, janë element për t’u fokusuar brenda këtij lokacioni”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera