Lajme

Gashi: Përderisa arsimi dhe fëmijët përdoren për pikë politike, nuk do ketë përparim

Autori: Gazeta inFokus 14:45 | 03 September 2022

Eksperti i fushës së arsimit dhe Drejtori Ekzekutiv i Teach for Kosova, Egzon Gashi, ka folur për çështjen e grevave në arsim, duke thënë se mësimdhënësit duhet të paguhen me paga të dinjitetshme, por se në të njëjtën kohë duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të performancës dhe se rekrutimi i mësimdhënësve duhet të jetë meritor, e jo i bazuar në patronazh dhe nepotizëm.

“Dialogu dhe komunikimi janë të vetmet zgjidhje; mësimdhënësit duhet të paguhen me paga të dinjetetshme, por duhet edhe t’i nënshtrohen vlerësimit të performancës. Mësimdhënësit duhet të mbështeten dhe respektohen, por edhe fëmijët tanë duhet të kenë shkollim tërëditor. Rekrutimi i mësimdhënësve duhet të jetë meritor, jo i bazuar në patronazh dhe nepotizëm”, ka shkruar Gashi në një postim në Facebook.

Gashi tha se problemet në arsim nuk janë të vështira për t’u identifikuar.

-Advertisement-

“Zgjidhjet janë të vështira, por absolutisht të nevojshme”.

“Për aq kohë sa shoqëria jonë vazhdon të përdorë arsimin dhe fëmijët për të fituar pikë politike, ose të mendojë vetëm për qëllime afatshkurtër, në vend që të investojë në të ardhmen tonë, ne nuk do të kemi përparim”, përfundoi ai.

Egzon Gashi ka studiuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit në vitet 2012-2013. Njëkohësisht, ai përfundoi një diplomë master në Universitetin Johns Hopkins. Gashi po ashtu është përzgjedhur në programin e Liderëve të Evropës për 2022 të Fondacionit Obama, fondacion që udhëhiqet nga ish-Presidenti amerikan Barack Obama dhe gruaja e tij Michele Obama.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera