Fokus

Familja vendi më i rrëzikshëm për gratë: 58 gra u vrạnë për 14 vite në Kosovë, 3 prej tyre vetëm në vitin 2024

Autori: Gazeta inFokus 20:26 | 06 January 2025

Një ndër problemet më të mëdha për gratë në Kosovë vazhdon të jetë dhuna e vrasjet. Nga viti 2010 deri në vitin 2024, për 14 vjet u vranë 58 gra në Kosovë.

Vitet me numrin më të madh të vrasjeve të grave sipas statistikave të Rrjetit të Grave të Kosovës janë viti 2018 dhe viti 2020. Në vitin 2018 u vranë 7 gra e po ashtu edhe në vitin 2020 u vranë 7 gra në Kosovë.

Ndërsa vetëm në katër vitet e fundit pre e dhunës me fatalitet ranë 20 gra, shkruan Gazeta Infokus.

-Advertisement-

E shumica e këtyre grave u vranë nga ata që iu besuan më së shumti, nga familjarët e tyre,bashkëshortët, ish bashkëshortët, baballarët e edhe djemtë e tyre.

Edhe viti që lamë pas, 2024, nuk kaloi pa raste të tilla tragjike.

3 gra u vranë e mbi 2 mijë raste të dhunës në familje ku viktimë ishin gratë u raportuan në Policinë e Kosovës.

Vetëm në katër mujorin e parë të vitit 2024 u vranë 2 gra.

Fillimi i muajit prill të këtij viti ishte tronditës jo vetëm për familjen e Gjyljeta Ukellës në Pejë mirëpo edhe për gjithë Kosovën.

Ajo u vra nga bashkëshorti i saj në ballkonin e shtëpisë derisa po shijonte kafen e mëngjesit para se të shkonte në punë, punë me të cilën ajo e mbante të gjithë familjen.

Edmond Lajçi bashkëshorti, i dyshuari kryesor për vrasjen pas disa muajsh pranoi fajësinë.

Ai të premten e javës që lamë pas me vendimin e shkallës së parë u dënua me burgim të përjetshëm, raste këto tejet të rralla të dënimeve për vrasje të tilla në Kosovë.

“I akuzuari Edmond Lajçi është fajtor për shkak se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi e paautorizuar e armëvve”. Gjykata të akuzuar Edmond Lajçi e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm”, tha gjyqtari gjatë shqiptimit të dënimit.

Natyrisht ky vendim nuk është i shkallës së fundit dhe mund të pësojë edhe ndryshime pas ankesave dhe vendimeve të shkallëve të tjera të Gjykatës.

Një vrasje tjetër e rëndë ndodhi vetëm pas 5 ditësh, madje në kohën kur viktima ishte në duart e shtetit, aty ku supozohej të mbrohej

Me 12 prill, Erona Cokli nga Ferizaj u privua nga jeta në moshën 21 vjecare në ambientet e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Aty u plagos edhe vëllai i saj i mitur. I dyshuari kryesor për vrasjen e saj është bashkëshorti, Valon Aliu 36 vjeçar.

Aliu ishte i njohur për sistemin e drejtësisë duke qenë se para rastit tragjik ai kishte pasur disa vepra penale madje kishte qenë edhe i dënuar nga Gjykata.

Një rast tjetër tronditës ndodhi në muajin gusht të vitit që po lëmë pas në Graçanicë.

Gruaja me inicialet M.Zh vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dy ditë pasi u rrah brutalisht nga bashkëshorti me inicialet D.Zh i cili ishte kthyer në shtëpi në gjendje të dehur.

Ai kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshrtes duke e gjujatur me kokë për shkallët e shtëpisë.

Këto janë tre rastet e vrasjeve të grave që tronditën Kosovën në vitin 2024, derisa në raportin e policisë ka pasur edhe raste të tjera të vdekjeve të dyshimta ku viktima kanë qenë gratë. /Gazeta Infokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera