Fokus

Ekskluzive: Raporti “sekret” për universitetet e kota të Hashim Thaçit

Autori: Zekirja Shabani 13:28 | 24 October 2018

Çdo qytet nga një universitet.

Por në asnjërin, duket se, nuk e dinë për çfarë saktësisht shkojnë as profesorët e as studentët.

“Në arsimin e lartë publik, sot ka një diversitet të lartë në ofertën akademike, që është zgjeruar pa kriter, pa politika planifikimi dhe e pajustifikuar për madhësinë, popullatën, dhe kërkesën e tregut kosovar”, thuhet në raportin “Fizibiliteti i Universiteteve Publike ne Kosovë, 2017”, të cilin e posedon Gazeta inFokus.

-Advertisement-

Kjo është vetëm një nga arsyet e përmendura, përse duhet të mbyllen “Universitetet e Thaçit”, siç njihen ndryshe universitetet publike në qendra të ndryshme të Kosovës, të cilat u hapën në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër i Kosovës.

Mbylljen e tyre e pati kërkuar kryeministri i tanishëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, me ardhjen në pushtet vitin e kaluar, shkruan Gazeta InFokus.

Por, kjo është lënë tashmë në harresë.

Raporti përplot të gjetura skandaloze për cilësinë e arsimimit në universitetet që funksionojnë pa ndonjë strategji, në vështirësi të mëdha menaxhuese, të zgjeruara artificialisht dhe që riprodhojnë njëra – tjetrën në strukturë dhe ofertë akademike, asnjëherë nuk u bë publik edhe pse u finalizua një vit më parë nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Sipas këtij institucioni Arsimi i Lartë në Kosovë në dy dekadat e fundit të tranzicionit shoqëror dhe ekonomik ka pësuar një masivizim të jashtëzakonshëm për kapacitetet që ka dhe mundësitë që ofron.

“Ky masivizim, mbase i rëndësishëm si politikë arsimore, nuk u zbatua i studiuar në faza, duke i studiuar ato. Ka gjasa që ky faktor deri diku, në vend që të sillte përmirësimin e pritshëm të saj, dërgoi në rënien drastike të cilësisë”.

Zhvillimi shumë i shpejtë i sistemit dhe themelimi i universiteteve publike nuk u shoqërua paralelisht me edhe më zgjerimin dhe ngritjen e mekanizmave të kontrollit, plotësimin e kornizës ligjore, duke ndikuar negativisht në cilësinë e sistemit, shkruan gazeta inFokus.

Shqetësuese janë të gjeturat e këtij raporti për avancimet dhe titujt shkencor në tetë universitetet ku situate thuhet të jetë skandaloze.

“Avancimi dhe marrja e titujve akademik, duke e përjashtuar deri në një masë të caktuar Universitetin e Prishtinës, rezulton të jetë nën nivelin e kushteve të kërkuara minimale gjë që ka kompremtuar këtë proces skajshmërisht”, shkruan në raport, transmeton gazeta inFokus.
Ky proces sipas të gjeturave udhëhiqet pa transparencën e nevojshme institucionale dhe shoqërisë civile.

Ndërsa vlerësohet se është e pakuptueshme se si të gjitha segmentet e shoqërisë civile kanë koncentruar tërë energjinë e vet vetëm në monitorimin e proceseve të avancimit vetëm në Universitetin e Prishtinës ndërkaq, së paku deri me tani, nuk kanë shfaqur asnjë interesim në universitetet tjetra ku situata mbase mund të jetë skandaloze.

Edhe më shqetësues është fakt se në universitetet publike ka mungesë të theksuar të stafit me tituj adekuat shkencor, me kualifikime e profile të nevojshme për lëndët që ata ose ato zhvillojnë dhe ligjërojnë.

“Bazuar në të dhënat e njohura e të verifikuara nga Agjencia për Akreditim, duke përjashtuar deri në një masë të caktuar Universitetin e Prishtinës, rezulton se kjo situatë është shqetësuese. Problematika e mungesës së profilit pedagogjik e shkencor është faktor thelbësor në ngecjet për sigurimin e cilësisë”, thuhet në raport.

Për mungesë të së paku të tre pedagogëve me titull Doktorë shkence (pa përfshire këtu fare profilin tyre në relacion me programin) në vitin akademik 2017/2018 Agjencia për Akreditim kishte suspenduar 131 programe të institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat në Kosovë, shkruan gazeta inFokus.

“Këshilli Shtetëror i Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim mori këtë vendim për suspendim të pas procesit të ri/akreditimit të këtyre institucioneve. Realisht, kjo gjendje vazhdon edhe më tutje dhe rreziku për mos ri/akreditim është i lartë”, thuhet në raportin e MASHT.
Në Kosovës ekzistojnë 8 universitete publike (Universiteti “Hasan Prishtina” Prishtinë; Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren; Universiteti “Haxhi Zeka” Pejë; Universiteti “Fehmi Agani” Gjakovë; Universiteti “Isa Boletini” Mitrovicë; Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Feriza dhe Universiteti i Mitrovicës Veriore. /Gazeta inFokus/

Të gjeturat kryesore në raportin “Fizibiliteti i Universiteteve Publike ne Kosovë, 2017”

Ndër problemet më të thella me të cilat përballën universitet publike në Republikën e Kosovës vlerësohen të jenë të karakterit të përgjithshëm dhe të karakterit individual – institucional e që sipas bindjes së komisionit jenë dhënë si më poshtë:

Të karakterit të përgjithshëm:

1. Në strukturën e universiteteve publike nuk ka pasur dhe ende nuk ka një strategji reale, një politikë të qartë zhvillimore dhe një model të arsimit tonë të lartë që lidhet me identitetin dhe profilin e tyre. Në të kundërt, sistemi karakterizohet nga një numër i caktuar rregullimesh ligjore dhe nënligjore, pa vizion dhe shpesh të pazbatueshme ose të pakontrolluara në zbatimin e tyre;

2. Në nivelin nacional, nuk është kryer ndonjë analizë e mundësive reale që ka vendi për punësim, zhvillim dhe orientimin e arsimit të lartë drejt përmbushjes së këtyre nevojave aktuale, apo në të ardhmen sipas nevojave të tregut;

3. Ecuria e Arsimit të Lartë karakterizohet: Nga një zhvillim i deformuar dhe i pa harmonizuar mes sistemit publik dhe atij privat, i shprehur në numrin shumë të madh të bartësve të arsimit të lartë, shpërndarjen e programeve të studimit dhe atë të studentëve, orientim i gabuar i studentëve nëpërmjet zgjedhjes të studimeve;

4. Arsimi i lartë publik në Kosovë përbëhet nga disa universitete publike nacionale të mëdha në vështirësi menaxhuese të vendosura në disa qendra, të zgjeruara artificialisht dhe që riprodhojnë njëra – tjetrën në strukturë dhe ofertë akademike;

5. Kemi akordim pa kritere të qarta të statusit të universitetit, ndërkohë që përveç Universitetit “Hasan Prishtina”, të tjerat nuk i plotësojnë standardet institucionale për këtë status;

6. Një pjesë e institucioneve brenda Universiteteve të reja, origjinën e tyre e kanë nga filiale të hapura pa kriter dhe jashtë logjikës ekonomike që krijojnë konkurrencë të panevojshme e të dëmshme, madje brenda vetë institucioneve publike të arsimit të lartë;

7. Në arsimin e lartë publik, sot ka një diversitet të lartë në ofertën akademike, që është zgjeruar pa kriter, pa politika planifikimi dhe e pajustifikuar për madhësinë, popullatën, dhe kërkesën e tregut kosovar;

8. Në llojshmërinë e ofertës akademike, mbizotëron dukshëm arsimimi i lartë universitar mbi atë profesional, jo universitar; shkallë shumë e ulët e tij si në numrin e llojeve të programeve të studimit të ofruara;

9. Kurrikulat janë të paharmonizuara në nivel nacional për të njëjtat programe sipas emërtimit, llojit dhe niveleve, apo titujve të studimit;

10. Kërkimi shkencor, si komponent i rëndësishëm kyç, për institucionet publike të arsimit të lartë me statusin universitet, është në nivel mjaft të ulët veçanërisht krahasuar me ato evropiane. Ndërkohë që kjo problematikë është më e theksuar në universitetet që operojnë jashtë Prishtinës. Për pasojë, këto universitete sot, kanë një fizionomi kryesisht mësimdhënëse dhe fare pak kërkimore;

11. Universitetet publike në Republikën e Kosovës kanë një dukshmëri dhe dimension shumë të kufizuar ndërkombëtar dhe evropian. Ato janë të mbyllura, thuajse tërësisht domestike. Kjo dëshmohet përmes përfshirjes në nivel të pakënaqshëm në bashkëpunimeve ndërinstitucionale me impakt afatgjatë dhe vizibilitet, përmes numërit të limituar të programeve të studimit zyrtare të përbashkëta. Kemi shumë pak shkëmbime studentësh, ndërkohë që mobilitete jo të pakta të stafeve, kanë pak efekt në zhvillim në planin institucional e programor, dhe efektiviteti i tyre është shumë i ulët në raport me fondet e përfituara e të shpenzuara;

12. Mobiliteti tepër i ulët i studentëve është një nga treguesit më domethënës të një përgjegjësie të pa ushtruar në shërbim të tyre. Kjo mbyllje e institucioneve tona shprehet edhe në mungesën e bashkëpunimit midis vetë institucioneve kosovare në fushat e përafërta, ku nuk zhvillohen e zbatohen projekte kërkimi të integruara, ndërdisiplinore, ndërinstitucionale, duke i shndërruar ato në entitete të mbyllura, madje dhe brenda qytetit apo rajonit ku operojnë. Një tjetër dimension i mos hapjes janë marrëdhëniet e dobëta gati të munguara me komunitetin, tregun e punës, organizatat profesionale dhe palë të tjera, direkt apo indirekt të interesuara.

13. Sistemi i Brendshëm dhe i Jashtëm i Sigurimit të Cilësisë karakterizohet nga probleme e vështirësi që lidhen së pari me shkallën e njohjes dhe interesimit të vetë universiteteve për cilësinë e brendshme. Këtyre faktorëve u shtohet dhe mos ndarja e qartë dhe konfuze e fushës së veprimtarisë dhe kompetencave në sigurimin e brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë midis vetë universiteteve, institucioneve të sistemit të cilësisë dhe akreditimit dhe atyre vendimmarrëse në sistem, si MASH dhe AKA.

Të karakterit individual – institucional:

1. Korniza ligjore: Për shkak të dinamikës së ndryshimeve në shoqërinë kosovare, duke e përfshirë edhe sferën e arsimit të lartë, rezulton se korniza ligjore aktuale nuk arrinë të sigurojë rregulla (norma) që i sinkronizojnë kriteret funksionale e strukturore universitare me nevojat akademike e kërkimore. Kjo gjendje argumentohet me faktin se mungesa e normave juridike statutare lidhur me çështjet akademike të universiteteve kanë kushtëzuar nxjerrëjen e një serie të akteve tjera nënligjore që jo rrallë janë në kundërshtim me statutin dhe me aktet ligjore të vjetruara dhe jofunksionale për kohën. Pothuajse në të gjitha universitetet e reja publike zgjedhjet e organeve drejtuese dhe emërimi i tyre ende bëhet në shkelje flagrante të dispozitave statuatre. Mbi të gjitha, situata bëhet edhe më shqetësuese e dëshpëruese kur statutet nuk kanë rregulla (norma) që kërkojnë në mënyrë të qartë respektimin e parimit të profilizimit programor, akademik dhe të personelit në të gjitha segmentet e jetës universitare.

Në të gjitha universitetet publike mungojnë rregullore për çështje procedurale dhe asnjëra nga to, edhe pse është detyrim i tyre meqë kanë institucione publike, nuk i referohen Ligjit për procedurën administrative. Është e pa kuptimtë se si asnjë mekanizëm universitar, me rastin e selektimit të stafit akademik nuk i referohen Ligjit për kornizën kombëtare të kualifikimeve.

Është jetike që MASHT të angazhohet për të finalizuar Ligjin për Arsimin e lartë dhe të kërkojë nga universitetet të fillojnë dhe përfundojnë ndryshimet dhe plotësimet statutore duke garantuar një proces të vazhdueshëm profilizimi dhe krijimi të identitetit universitar. Por, nëse për shkak të problemeve të caktuara që lidhen me Ligjin për arsimin e lartë gjegjësisht për shkak të mundësive që të miratohet në Kuvendin e Kosovës, atëherë propozohet që të gjitha universitetet publike, me ndihëm dhe asistencën MASHT, në frymën e draft ligjit të ri për arsimin e lartë, të fillojnë procesin e ndryshimit dhe të plotësimit të statuteve.

Procesi i transformimit nuk ka gjasa të ndodhë nëse nuk rregullohen me aktet e nevojshme juridike – Statut.

2. Mungesa e titujve shkencor dhe akademik: Është fakt i ditur se në universitetet publike ka mungesë të theksuar të stafit me tituj adekuat shkencor, me kualifikime e profile të nevojshme për lëndët që ata ose ato zhvillojnë dhe ligjërojnë. Bazuar në të dhënat e njohura e të verifikuara nga Agjencia për Akreditim, duke përjashtuar deri në një masë të caktuar Universitetin e Prishtinës, rezulton se kjo situatë është shqetësuese. Problematika e mungesës së profilit pedagogjik e shkencor është faktor thelbësor në ngecjet për sigurimin e cilësisë.

Propozohet që MASHT të kërkojë një Raport të veçantë nga Agjencia e Akreditimit gjegjësisht Këshilli Kombëtar i cilësisë lidhur më këtë çështje.

3. Jo transparenca dhe problematika e avancimeve: Avancimi dhe marrja e titujve akademik, duke e përjashtuar deri në një masë të caktuar Universitetin e Prishtinës, rezulton të jetë nën nivelin e kushteve të kërkuara minimale gjë që ka kompremtuar këtë proces skajshmërisht. Ky proces udhëhiqet pa transparencën e nevojshme institucionale dhe shoqërisë civile. Është e pakuptueshme se si të gjitha segmentet e shoqërisë civile kanë koncentruar tërë energjinë e vet vetëm në monitorimin e proceseve të avancimit vetëm në Universitetin e Prishtinës ndërkaq, së paku deri me tani, nuk kanë shfaqur asnjë interesim në universitetet tjetra ku situata mbase mund të jetë skandaloze.

4. Jo profilizimi i programeve: Programe studimore të të gjitha universiteteve dhe njësive të tyre akademiken masë të madhe janë të pa profilizuara. Bartësit e arsimit të lartë kanë dështuar të krijojnë kapacitetet të nevojshme që të reflektojnë me politika konkrete ndaj tyre. Përmbajta e profilizimit nënkuptohet si proces i vazhdueshëm i sinkronizimit më nevojat e tregut, kompetencën e pedagogut dhe sigurimin e cilësisë.

5. Rreziku i lartë për suspendimin e programeve të akredituara: Për shkak të situatës së theksuar më sipër gjegjësisht mungesës e së paku të tre pedagogëve me titull Doktorë shkence (pa përfshire këtu fare profilin tyre në relacion me programin) në vitin akademik 2017/2018 Agjencia për Akreditim kishte suspenduar 131 programe të institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat në Kosovë. Këshilli Shtetëror i Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim mori këtë vendim për suspendim të pas procesit të ri/akreditimit të këtyre institucioneve. Realisht, kjo gjendje vazhdon edhe më tutje dhe rreziku për mos ri/akreditim është i lartë.

6. Mungesa e harmonizimit të programeve me tregun e punës: Mos harmonizimi i programeve studimore në të gjitha nivelet me nevojat e tregut të punës në vend e më gjerë, është njëri ndër problemet më serioze më të cilat ballafaqohen institucionet arsimore publike universitare. Universitet nuk kanë krijuar mekanizma të qëndrueshëm për të parashikuar, ndierë dhe analizuare ndryshimet shoqërore që duhet të konvertohen në programe studimore.

7. Programet e përsëritura – identike: Në pjesën me të madhe të fakulteteve të universiteteve publike kanë arritur të akredituara programe me formë dhe përmbajtje identike. Në veçanti rezulton se fakultetet dhe programet e fushave të drejtësisë dhe të ekonomisë, jo vetëm që nuk përgatisin ekspertë me profil adekuat, por si të tillë nuk i nevojitën tregut të vendit e as më gjerë.

8. Problematika e infrastrukturës: Universitetet publike kanë mungesë të theksuar të infrastrukturës të përshtatshme për zbatim të programeve të akredituara. Kjo nënkupton se mungojnë laboratorët dhe pajisjet moderne për zbatim të suksesshëm të programeve gjegjësisht rritjen e nivelit të shkathtësive. Pajisjet aktuale keqpërdorën, nuk mirëmbahen dhe amortizohen me shpejtësi;

9. Dobësitë në sferën e organizimit të brendshëm: Problemet e konstatuara në këtë sistem janë të natyrave të ndryshme nga moszbatimi i ligjit; i natyrës së shkeljeve njerëzore; dhe më e rëndësishmja i mënyrës mos funksionale të vendimmarrjes dhe mos ndarjes së funksioneve. Problemet e shumta në këtë sistem hierarkik janë konstatuar edhe nga studime të mëparshme dhe janë adresuar edhe nga politika qeverisëse të mëparshme.

10. Mungesa e kërkimeve shkencore: Nuk ka dilemë që, përveç pjesërisht në Universitetin e Prishtinës, çështja e kërkimeve shkencore është segment që ekziston vetëm në letër. Fatkeqësisht, mungesa e kësaj komponente jo vetëm që seriozisht zbeh misionin e tyre, por e bënë të diskutueshme ekzistencën e tyre.

11. Mungesa e mekanizmave për sigurimin e cilësisë: Edhe pas shumë angazhimeve dhe projekteve ndërkombëtare, universitetet publike nuk kanë arritur që të krijojnë mekanizma efektiv universitar lidhur me sigurimin e cilësisë.

12. Mungesë të mekanizmave për sigurimin e të dhënave për përformancën e pedagogëve dhe stafit tjetër universitar. Asnjë universitet në Republikën e Kosovës nuk ka arritur që të ndërtojë mekanizma objektiv për majtën e përformancës të pedagogëve dhe stafit përcjellës. Mungesa e këtyre të dhënave e degradon në masë të madhe procesin e identifikimit të dobësimeve të pedagogve dhe stafit përcjellës gjatë ushtrimit të detyrave të veta.

13. Renditja e dobët e universiteteve: Duhet marrë në konsideratë edhe indikatorët matës të ueb sajteve të caktuara lidhur me rangimet e universiteteve tona. Nisur nga Uebsajti ëebometrics.info ka bërë renditjen e universiteteve nëpër botë, listë në të cilën gjinden universitetet dhe kolegjet e Kosovës. Universiteti i Prishtinës është renditur i 3790 në këtë listë, ndërkaq universitetet tjera publike në Kosovë jo vetëm që janë në fund të listës, por janë më poshtë se Kolegjet private. Në fund të këtij dokumenti janë dhënë dy tabela në të cilat shihet rangimi i universiteteve të Kosovës.

*** Në ditët në vazhdim Gazeta InFokus do të raportoj edhe për të gjeturat tjera skandaloze që shpërfaqin gjendjen në universitetet publike të Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera