Lajme

Haxhiu për vra*sjen e Arlinda Zekajt: Nuk mjaftojnë raportet që përfundojnë në sirtar, kërkohen masa ndaj atyre që shkelën detyrën

Autori: Gazeta inFokus 17:05 | 26 October 2026

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë të veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve që kanë qenë të përfshira në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Gjatë fjalimit të saj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Haxhiu ka theksuar se nuk mjafton vetëm evidentimi i mangësive institucionale, por duhet të ketë edhe masa ligjore ndaj kujtdo që ka shkelur detyrën.

“Në rastin e Arlindës kërkojmë që të hetohen pa vonesa dhe pa asnjë përjashtim veprimet dhe mosveprimet e secilit institucion që ka qenë i përfshirë, qoftë këtu nga Policia, Prokuroria, gjykatat, qendrat për punë sociale, por edhe nga institucionet e tjera kompetente. Sa kanë vepruar, kur kanë vepruar, si kanë vepruar? Të gjitha, çdo detaj deri në fund”, ka deklaruar Haxhiu.

-Advertisement-

Ajo ka kërkuar që përgjegjësia të mos përfundojë vetëm me hartimin e raporteve për lëshimet eventuale të institucioneve.

“Nuk mjaftojnë raportet që konstatojnë mangësi dhe pastaj përfundojnë në sirtar. Kërkohen masa ligjore ndaj kujtdo që e ka shkelur detyrën”, ka theksuar kryetarja e Kuvendit.

Haxhiu ka rikujtuar edhe letrën që Arlinda Zekaj ia kishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë më 22 tetor, vetëm tri ditë para se të vritej, përmes së cilës kishte kërkuar mbrojtje urgjente.

“Më 22 tetor, Arlinda Zekaj iu drejtua Prokurorisë Themelore në Pejë me një kërkesë urgjente dhe në fund të letrës së saj shkroi: ‘Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime’”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se fjalët e viktimës sot tingëllojnë si një paralajmërim tragjik që nuk u arrit të parandalohej.

“Sot, fjalët e saj tingëllojnë si një paralajmërim tragjik që nuk arritëm ta parandalonim. Një grua ka humbur jetën, një djalë ka humbur nënën dhe një nënë ka humbur të bijën”, është shprehur Haxhiu.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta dhe ka ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si institucionet përgjegjëse e kanë trajtuar rastin e saj, veçanërisht pas kërkesave për mbrojtje që viktima kishte bërë para vrasjes.

Në qendër të kërkesave për hetim mbetet sqarimi i veprimeve të ndërmarra nga institucionet, si dhe nëse ka pasur lëshime që mund të kenë ndikuar në mosparandalimin e tragjedisë./Gazeta Infokus

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy