Lajme

INDEP vazhdon të kontribuojë në procesin parlamentar, me propozime konkrete për përmirësimin e legjislacionit të energjisë!

Autori: Gazeta inFokus 10:19 | 23 November 2026

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka publikuar një analizë të pavarur të Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë, përmes së cilës ka shqyrtuar 17 nene dhe ka propozuar amendamente konkrete për përmirësimin e legjislacionit në këtë sektor, shkruan Gazeta Infokus.

Përmes një njoftimi të publikuar të hënën, INDEP ka bërë të ditur se analiza synon të kontribuojë në përmirësimin e projektligjit, duke adresuar çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve, transparencën dhe mbështetjen e qytetarëve.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga INDEP lidhet me ndryshimin e përbërjes së Bordit të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

-Advertisement-

Sipas institutit, projektligji parasheh rritjen e përfaqësimit të ministrive në këtë Bord, ndërkohë që largon përfaqësuesin e komunave.

Për këtë arsye, INDEP ka kërkuar ruajtjen e përfaqësimit komunal, forcimin e pavarësisë profesionale dhe rritjen e transparencës në administrimin e fondeve publike.

Analiza trajton gjithashtu objektivin për renovimin e 3 për qind të ndërtesave publike, duke theksuar se realizimi i tij duhet të shoqërohet me burime të qarta financimi dhe përcaktim të përgjegjësive institucionale.

Po ashtu, INDEP ka kërkuar që familjet e prekura nga varfëria energjetike të kenë përparësi reale në skemat mbështetëse, ndërsa kursimet e energjisë të maten dhe të verifikohen në praktikë, e jo vetëm të parashikohen në dokumente.

Instituti ka njoftuar se analizën dhe propozimet për amendamentim ua ka dorëzuar deputetëve të Komisionit për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës, ku projektligji do të shqyrtohet në kuadër të procedurave për leximin e dytë.

“Miratimi i ligjeve është vetëm një pjesë e reformës. Cilësia e tyre dhe mundësia për t’i zbatuar janë po aq të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e INDEP-it.

INDEP ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë procesin parlamentar përmes analizave të pavarura, ekspertizës dhe rekomandimeve konkrete për përmirësimin e legjislacionit në sektorin e energjisë.

Kjo analizë është realizuar në kuadër të Programit për Zhvillim të Qëndrueshëm të INDEP-it, me mbështetjen e Fondit të Vëllezërve Rockefeller (RBF)./Gazeta Infokus/

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy