Fokus

Ekskluzive: Detaje të reja për takimin e 9 – 10 nëntorit për vizat, i mbyllur për publikun

Autori: H. Smajli 16:07 | 17 October 2022

Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Mimoza Kusari Lila konfirmoi se takimi i radhës i grupeve punuese të Këshillit të Bashkimit Evropian do të jetë me 9 – 10 nëntor të këtij viti.

Gazeta Infokus nga burime brenda sekretariatit të përgjithshëm të Këshillit të BE-së mëson se ende nuk është vendosur agjenda e këtij takimi.

Sipas këtij burimi edhe ky takim do të jetë i mbyllur për publikun, derisa nuk e ka mohuar se tashmë ka filluar dorëzimi i çështjeve që shtetet anëtare duan të ngrisin sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Mirëpo ky burim ka theksuar se ato nuk mund të bëhen publike. Pra përveç Francës shtete të tjera mund të ngrisin edhe “kushte” të tjera për Kosovën para këtij takimi.

-Advertisement-

“Agjenda e grupit të punës për vizat e 9-10 nëntorit ende nuk është nxjerrë. Prandaj nuk mund të konfirmoj në këtë fazë se cilat tema do të përfshihen. Në përgjithësi, diskutimet në organet përgatitore të Këshillit si dhe çdo kontribut me shkrim nga delegacionet në nivel teknik nuk mund të bëhen publike”, ka thënë ky burim nga KE-ja për Infokus.

Kusari – Lila e cila konfirmoi takim e radhës të grupeve punuese tha se shtetet anëtare pritet që të dorëzojnë me shkrim çështjet që duan të ngrisin sa i përket liberalizimit.

“Nuk ka një kërkesë të kushteve të cilat janë për Kosovën, unë besoj që është një proces, tashmë është caktuar një datë ku vendet që kanë propozuar apo kanë diskutuar për çështjet që duan t’i ngrisin është kërkuar që ato që janë kërkuar që t’i deponojnë me shkrim me shkrim ato që i kanë për Kosovën”, kishte thënë Kusari-Lila, raporton Gazeta Infokus.

Kujtojmë se në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, nga mediat u raportua se është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Ky propozim thuhet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve të tjera anëtare: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

Si funksionon sistemi ETIAS dhe kur pritet të jetë funskional?

ETIAS do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit. Është një sistem tërësisht elektronik që lejon dhe mban të dhënat e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Zonën Shengen.

Ky sistem i ngjan Sistemit Elektronik të SHBA për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), i cili shërben për një qëllim të ngjashëm.

Procedurat ligjore për kalimin e ETIAS kanë nisur në vitin 2016 dhe sipas disa njoftimeve të pakonfirmuara nga BE thuhet se do të hyjë në fuqi më 2023.

Përmes këtij sistemi bëhet kontroll i detajuar sigurie i secili aplikant për të përcaktuar nëse ata mund të lejohen në ndonjë vend të Zonës Schengen, shkruan Schnengenvisa.

Ndërkohë ETIAS nuk vlen për ata qytetarë që s’kanë qëllime udhëtimi në Schengen deri në 90 ditë.

Esenca e këtij sistemi është që njerëzit të mos përbëjnë kërcënim sigurie për shtetet ku shkojnë. Ky sistem i autorizimit të udhëtimit do të mbledhë, monitorojë dhe përditësojë informacionin e nevojshëm në lidhje me vizitorët për të përcaktuar nëse është e sigurt për ta të hyjnë në vendet e Shengenit.

Siç shkruan Schengenvisa  aplikimi për ETIAS do të kushtojë 7 euro, derisa kjo vlen vetëm për të rriturit mbi moshën 18 vjeçare. Ata që janë nën këtë moshë janë të liruar nga pagesa.

Procesi i aplikimit mund të marrë kohë deri në 10 minuta me pyetjet bazike që ndërlidhen me të dhënat personale, derisa procesi deri në marrjen e lejes mund të zgjas deri në 1 muaj.

Ideja për këtë sistem buron qysh në vitin 2016, kur ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kishte thënë se “Evropa duhet të di se kush po kalon nëpër kufijtë e saj”./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera