Lajme

Ekskluzive| Aktakuzë ndaj drejtorit të Mytaher Haskukës për dallavere me prona të komunës

Autori: Halil Berisha 14:08 | 03 December 2019

Prokuroria Themelore e Prizrenit, këtë të martë ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave, zyrtarë të komunës së Prizrenit.

Aktakuza është ngritur ndaj L.K, F.K., R.Sh., A.Sh., dhe G.B., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, siç thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, shkruan gazeta inFokus.

Mirëpo, nga burimet e saj të sigurta, Gazeta inFokus, ka mësuar se bëhet fjalë për drejtorin e shërbimeve publike në Prizren, Levent Kasemi.

-Advertisement-

Gazeta inFokus, ka provuar që të flas me Kasemin në telefon mirëpo i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, komisioni për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, me në krye Levent Kasemin, ka favorizuar ofertuesen F.B, në dëm të të dëmtuarit A.D.

Ky i fundit nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se kishte ofruar çmim më të lartë, gjegjësisht shumën prej 25.2 euro për m2 për lokalin me nr. 29 që gjendet në sheshin Shatërvan në Prizren, shkruan gazeta inFokus.

Ndërsa ajo të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofruar 20.06 euro për m2, dhe në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se kjo me iniciale F.B nuk ka pasur përvojë në menaxhimin e zhvillimin e biznesit.

Përkundër krejt këtyre, Komisioni i udhëhequr nga Levent Kasemi, drejtor i Shërbimeve Publike në Prizren, e ka poentuar me pikë maksimale ndërsa më pas komisioni i ankesave pranë Komunës së Prizrenit e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar dhe përmes Vendimit të datës 28.02.2019 duke e kthyer çështjen në rishqyrtim, mirëpo, përkundër faktit të tillë Komisioni përmes njoftimit të datës 01.04.2019 ka potencuar se qëndrojnë prapa njoftimit të datës 17.01.2019 ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit L.K., F.K., R.Sh., A.Sh., dhe G.B., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, sipas aktakuzës, me datë 18.03.2019, në Prizren, të pandehurit, duke vepruar në cilësi të personave zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Gjithashtu, sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, thuhet që këta në këtë mënyrë kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore dhe me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, përkatësisht Ligjin për Dhënien në Shfrytzim dhe këmbim të Pronës së Paluajtshme, shkruan gazeta inFokus.

Në këtë ligj theksohet se kjo duhet të bëhet përmes procedurave të ankandit publik dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihen në barrë./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…

Të tjera