Ekonomi

Ekonomia e Kosovës shënon rritje vetëm 2.02 për qind, opozita me akuza për pushtetin

Autori: Gazeta inFokus 11:00 | 17 September 2023

Prodhimi i Brendshëm së Kosovës ka shënuar rritje reale për 2.02 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.Kështu është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se rënia e eksporteve të mallrave kanë shënuar rënie për rreth 11 për qind.

“PBB-ja në tremujorin e dytë 2023 shënon rritje reale për 2.02 për qind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak”, bën të ditur ASK-ja, shkruan Telegrafi.

“Komponentët e PBB-së sipas metodës së shpenzimeve që kishin rritje ishin eksporti i shërbimeve me 13.62 për qind, importi i mallrave dhe shërbimeve me 6.29 për qind, shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 3.96 për qind, shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake me 3.68 për qind dhe formimi i bruto kapitalit me 2.04 për qind. Ndërsa, rënie kishte eksporti i mallrave me 10.67 për qind”, thekson raporti.

-Advertisement-

Ku pas këtyre të dhënave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë kritikuar Qeverinë Kurti për këtë normë, siç e kanë quajtur ata, të ulët ekonomike.Sipas tyre, kjo rritje e ulët ekonomike po e degradon çdo ditë e më tepër standardin e jetës së qytetarëve në vend.

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa ka thënë se kjo është norma më e ulët e rritjes ekonomike në dhjetë vitet e fundit.

“Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se norma reale e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2023 ishte vetëm 2.02 për qind – norma më e ulët e rritjes në dhjetë vitet e fundit”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Tutje, ai është shprehur se kjo normë kaq e ulët e rritjes ekonomike kryesisht reflekton kushtet e vështira nëpër të cilat po kalon sektori privat.“Këto të dhëna tregojnë se kah po shkon ekonomia e vendit dhe me këtë edhe standardi i jetesës së qytetarëve të Kosovës që po degradon çdo ditë e më tepër. Drejtimi që ka marrë ekonomia e vendit që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit ilustrohet qartë nga figura në vijim”, ka përfunduar ai.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka potencuar se rritja ekonomike në vend është më e ulëta ndonjëherë.Bajrami në një postim në Facebook shkruan se nuk ka dialog me biznese, 42 për qind e buxhetit shkon në subvencione, ndërkaq janë bllokuar investimet kapitale.

“Që 80 ditë vendin e kemi nën sanksione, që tri vite i kanë bllokuar investimet kapitale, nuk ka asnjë politikë fiskale, asnjë reformë për përmirësim të ambientit të biznesit, nuk ka rritje të pagave, 42 për qind e buxhetit shkon në subvencione, vetëm 18 për qind në investime kapitale që nuk arrijnë t’i shpenzojnë, nuk ka bashkëpunim me komuna, nuk ka dialog me biznese, ka korrupsion, ka nepotizëm dhe ka tenderë me negocim.

Dhe ja rezultati 2.02 për qind rritja ekonomike për tremujorin e dytë 2023, më e ultë ndonjëherë”, thuhet në reagimin e Bajramit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera