Lajme

Edhe Kokaj thumba VV’së që s’po e lënë të flas: Shumë e vështirë me arritë te foltorja

Autori: Gazeta inFokus 15:54 | 22 September 2022

Profesori i Fizikës dhe deputeti i VV-së, Jahja Kokaj, është ankuar sërish për grupin e tij parlamentar që s’po e lënë të flasë. Ai me terma shkencorë tha se e kishte të vështirë të arrijë te foltorja e Kuvendit për dallim nga kolegët e tij që po arrijnë në mënyrë “frekuente”. Pakënaqësi ndaj GP të VV-së më herët ka pasur edhe deputeti Haki Abazi.

Kokaj sot mori fjalën i pari në seancën plenare të Kuvendit.

“Nëse do me arritë psh te kjo foltore ku sot arrita është shumë vështirë të arrish, unë i shoh disa kolegë të mi me çdo respekt arrijnë në mënyrë frekuente kurse ai pat thënë që duhet të arrish me një aktivitet strategji por edhe me bërryla”, u shpreh ai.

-Advertisement-

Fizikani Kokaj ishte ankuar edhe më herët ndaj shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari Lila, duke thënë se s’po i japin hapësirë të mjaftueshme për t’i shprehur mendimet e tij shkencore në Kuvend.

“Këto mendime po kam dëshirë t’i jap, por është e vështirë ti të afrohesh te foltorja e parlamentit. Është vështirë se s’ta jep ty fjalën. Glauku ka respekt shumë të madh për mua. Por dikush, ta zëmë, deputeti i një partie çohet pesë herë në ditë flet. E unë e bëj aty… se është një procedurë… Ne jemi 58. Duhet t’i lajmërohesh kryetares së grupit parlamentar. Ajo kryetarja është gjakovare, ka respekt ndaj meje, thotë: profë, ta kalojmë edhe sot, mos fol, a di. Edhe sot ta kalojmë, mos fol, për arsye se s’je në rend dite ti me folë. Ama mua më vëlon sepse e di që janë kah flasin kot”, tha ai.

Edhe deputeti tjetër i VV-së, Haki Abazi, kishte shprehur pakënaqësi për grupin parlamentar të VV-së, dhe kishte vendosur të mos marrë pjesë në disa seanca.

Mungesën e Abazit e kishte komentuar vet shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari.

Ajo kishte thënë se arsyet e mungesës së Abazit, lidheshin me kërkesën për krijimin e Grupit të Gjelbër.

“S’më duket se ka qenë direkt e lidhur me mua personalisht. Ne kemi komunikim të rregullt. Ka qenë me pakënaqësinë e tij për mos formimin  e Grupit të Gjelbër që e ka thënë edhe publikisht dhe kjo ka qenë njëfarë shtytje e procesit. Nuk ka pasur diçka përtej kërkesës për formimin e këtij grupi”, kishte thënë ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera