Opinione

Dy (marrë)veshjet

Autori: Taulant Malaj 21:06 | 27 January 2020

Ka gati 12 vjet qëkur Kosova de-juro shpalli pavarësinë e saj. Që prej asaj kohe, përpjekjet e qeverisë së Serbisë dhe kishës Ortodokse serbe për të penguar me sa më shumë forcë njohjen ndërkombëtare të realitetit të ri për Kosovën kanë pasur suksese evidente.

Jo vetëm që njohjet e shtetit të Kosovës janë ndaluar me kohë, por ka pasur edhe deklarime të herëpashershme të vendeve të ndryshme për të ashtuquajtura tërheqje të njohjeve, një praktikë e panjohur në diplomacinë ndërkombëtare, por edhe enigmatike për shkak të territ informativ që ka aplikuar Ministria e Punëve të Jashtme në Prishtinë.

Përkundër këtij “suksesi” të Beogradit zyrtar dhe fetar, sukses i cili nuk është i vetmi për ta, autoritetet e Kosovës kane treguar për më shume se nje dekadë se janë në ekstazën e vetkënaqësisë që solli shpallja e pavarësisë, ose janë të pa-aftë që të hartojnë dhe implementojnë në mënyrë rigoroze një strategji te rritjes së njohjeve ndër vendet skeptike, apo së paku të arrijnë anëtarësimin në organizata te rendesishme të tjera rajonave, kontinentale apo ndërkombëtare.

-Advertisement-

Mesa duket, edhe në këto të fundit Kosova ka mbetur si jetimi pas derës, shpesh për shkak të zgjuarsisë serbe, por jo aq rrallë për shkak të qasjes së mbrapshtë të institucioneve të Kosovës. Shpeshherë ka qënë, dhe është edhe sot evident fakti se interesat personale të individëve të veshur me pushtet politik, dhe një grupi të vogël të popullsisë i lidhur ngushtë me influencat politike, janë vënë mbi interesat e popullit të Kosovës.

Biles edhe atëherë kur elementët e “nacionalizmit të shekullit të 21-të” apo vendosja e reciprocitetit të stërvonuar u vunë në veprim, segmente të politikës dhe grupe të interesit të lidhura ngushtë me to dhe krimin e organizuar arritën që të thyejnë “embargon” reciproke të nacionalizmave ekonomikë.

Shumë muaj e vite kaluan që nga shpallja e pavarësisë, që nga momenti kur politikanët, por jo vetëm, rendën në statuse FB apo Twitter për tu treguar ndjekësve të tyre shprehjen që tashmë duket bajate “Bac u kry!”. Edhe për së vdekuri, delenxhitë e Prishtinës dhe Tiranës do përdornin figurën e legjendarit Adem Jashari për të fituar disa vota më shumë, vota që në vetvete përkthen në mbrojtje politike kurdo që ajo do u duhet për të fshehur vjedhjet masive të pronave dhe fondeve publike.

Sot, gati 12 vjet nga shpallja e pavarësisë, Kosova endet e humbur mes Danubit, Savës, Drinit e Vardarit, peng i folklorizmave ballkanikë, etjeve Europiane dhe interesave Amerikane dhe Ruse. Sot, një “vetëtimë” nga qielli i Berlinit thuhet se paska sjellë shpresë për të ardhmen pasi paska bërë të mundur nënshkrimin e dy (marre)veshjeve me Serbinë.

A thua pak marrveshje kanë arritur Kosova dhe Serbia në këto 12 vite me ndërmjetësimin e BE-së dhe kujdesin Amerikano-Rus?! Sa prej atyre marrveshjeve janë vënë në funksionim?! Pothuaj asnjë që mbart vlerë reale. E pse tash duhet që këto dy marreveshjet e sjella me “force” qënkan kaq të mira sa nuk mbeti asnjë politikan shqiptar pa i përshëndetur si shumë të rëndësishme?

(Marre)veshja e parë, pra ajo për vënien në funksionim të linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit packa se shitet si dicka e re nuk është e tillë. Linjë ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit ka pasur edhe para 99-tës edhe pas 99-tës. Në 21 vitet e fundit udhëtimet ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit nga funksionarë të UNMIK, NATO dhe EULEX janë bërë duke shfrytëzuar kanalin ajror mes dy vendeve, natyrisht jo në kapacitete komerciale por ushtarake. Risia e kësaj marrveshjes së re është se shtohet edhe elementi komercial, pra civilët mund të udhëtojne tashmë nga Prishtina në Beograd dhe anasjelltas, me avionë, pa pasur nevojën e përdorimit të trajektoreve rrugore. Po kush janë përftuesit dhe humbesit kryesor e reale të kësaj marrveshjeje?

Lufthansa, kompania gjermane e fluturimeve e cila i shton tani edhe një zë tjeter fitimeve të saj duket se është një përfitues i qartë i kësaj (marre)veshjeje.

Qeveria e Serbisë e cila tashmë funksionalizon edhe më tepër strategjinë e saj për të kthyer aeroportin e Beogradit në një nyje të rëndësishme të trafikut ajror ballkanik. Në të njëjtën kohë, duke qënë se Beogradi përfaqësohet në bisedimet e kësaj marrveshje nga një ministër, ndërsa Kosova nga një drejtor agjencie, Beogradi vazhdon të konkretizojë qasjen se Kosova është pjesë integrale e Serbisë (pra sipas tyre qeveria qëndrore nënshkruan një marreveshje me një agjencion brenda vendit).

Qeveria e Kosovës përkundër deklarimeve të njëpasnjëshme është humbëse në këtë marreveshje sepse ajo defakto pranon të bëhet instrumentalizuese e politikës dhe strategjisë së qeverisë Serbe për mbajtjen në status-quo dhe në akull të Kosovës. Ekonomikisht, edhe sikur marreveshja të implementohet plotësisht sic është rënë dakord në parim, nuk ka se si të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për shkak se eficensa e kësaj linje ajrore varet nga marreveshjet e tregëtisë së lirë mes dy vendeve, dicka që tashmë është shumë e largët.

Administrata Amerikane, duke qënë se po luan rolin e ndërmjetësuesit në këtë marrveshje ishte shumë e shpejtë në marrjen e krediteve të plota. E dëshpëruar për të gjetur një arritje në politikën e saj të jashtme për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme (Koreja e Veriut, Irani, Afganistani, Iraku, Ukrahina etj) duket se ka zgjedhur të përdorë Kosovën si tabelën e radhës kur bëhen prova qitjeje për sukseset e humbura. Ndëkohë politka e Prishtinës në këmbim të mbështetjes amerikane në luftën e tyre për pushtet pranon degradojë statusin e Kosovës.

Populli i Kosovës duket se në shumicë nuk do ketë ndonjë përfitim konkret përvec përfitimit që një pjesë e vogël, kryesisht ata që do përdorin aeroportin e Beogradit për fluturime lidhëse, apo ata që posedojnë dokumenta jo Kosovare dhe qe mund te udhëtojnë tani me avion. Shumica e popullit të Kosovës thjeshtë do mund të shohin dy avionë më tepër në ditë teksa fluturojnë mbi shtepitë dhe tokat e tyre.

Po aq boshe duket se do jetë edhe marreveshja për hekurudhën. Në kushte normale kjo do sillte përfitime për shkak të uljes së kostove të transportit mes dy vendve, dhe lidhjes me arterie të tjera hekurudhore ndërkombëtare, sic edhe ka qënë dikur krejtësisht funksionale, por në kushtet e mosnjohjes së lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave riaktivizimi i linjave ajorore apo hekurudhore në vetvete nuk sjell asnjë përfitim për Kosovën.

Biles, ndërsa marreveshjet e tjera janë arritur nga bisedime mes Presidentëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetesimin e BE-së, këto dy marreveshje janë një humbje pozite për Kosovën pasi niveli i përfaqësimit të saj zyrtar në këto marreveshje është shumë më i ulët se ai i Serbisë, cka e kthen Kosovën në suazat e para 99-tës si krahinë autonome e Serbisë. E kësisoj, shprehja që do duhej të thuhej sot është : “ Bac, s’u kry se na shitën tanët”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera