Lajme

Deri në fund të vitit planifikohet të vaksinohen rreth 70% e popullatës

Autori: Gazeta inFokus 12:34 | 30 March 2021

Në Klinikën Infektive sot ka nisur vaksinimi i profesionistëve shëndetësorë të cilët për më shumë se një vit trajtojnë pacientët e infektuar me sëmundjen COVID-19.

I pari që nisin vaksinimin ishte infermieri i kësaj klinike, Osman Ismaili, e pas tij menjëherë u vaksinua edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku. Më pas vazhdoi vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve të tij. Në këtë klinik pritet që vaksinimi të vazhdojë edhe nesër.

Shefja e Imunizimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Edita Goranci-Haxhiu tha se sipas planit shtetëror për imunizim me vaksinën anti-COVID po planifikojnë të vaksinojnë 70 për qind të popullatës deri në fund të vitit.

-Advertisement-

Ajo tutje shtoi se për të dhënë këtë vaksinë janë të trajnuar 280 persona, ndërsa theksoi se vaksinimi nëpër komuna do nis nga dita e enjte.

“Sipas planit shtetëror të imunizimit me vaksinën kundër COVID janë planifikuar tri faza të vaksinimit të popullatës së Kosovës. Deri në 70 për qind të popullatës planifikohet deri në fund të vitit varësisht prej kontingjenteve të vaksinave që do i sigurojmë. Në krejt këtë proces janë 280 persona të cilët do të vaksinojmë me ekipet e vaksinimit në tërë Kosovën. Është planifikuar që ditëve në vijim nga e enjtja fillon vaksinimi edhe në komunat e tjera. Të njëkohshme në të gjitha rajonet, së pari do bëhen në spitale, reparte ku janë të shtrirë pacientët me COVID e pastaj punëtorët e tjerë dhe moshat mbi 80 vjeç dhe me sëmundje kronike. Dhe secili qytetar do të lajmërohet me kohë kur e ka kohën për t’u vaksinuar vaksinua”, theksoi ajo.

Epidemiologia e IKSHP-së, Goranci-Haxhiu tha se në sallën 1 tetori kanë planifikuar të vaksinohen 760 persona brenda ditës, ndërsa ende nuk është caktuar numri i atyre që do vaksinohen brenda ditës nëpër QKMF-të e Kosovës.

Shefja e Imunizimit në IKSHPK i ka siguruar qytetarët e Kosovës se me kohë do të njoftohen për t’u vaksinuar.

“Mënyra më e mirë e vaksinimit dhe më e lehtë për të vaksinuar është pa doreza meqenëse rekomandohet që të dezinfektohen duart në mes të çdo personi që vaksinohet edhe metoda e vaksinimit me shiringë është shumë më e lehtë pa doreza edhe nuk ka nevojë të barten dorëzat nëse dezinfektohen një pas një. Në sallën ‘1 Tetori’ është planifikuar 760 persona të vaksinohen gjatë ditës, në Klinikën Infektive sot dhe nesër do bëhet vaksinimi i tërë stafit dhe në rajone nuk është përcaktuar ende saktë se sa do jetë numri i atyre që do vaksinohen brenda ditës”, tha Goranci-Haxhiu.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Klinik Spitalor Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi tha se nga sot edhe Kosova po i bashkëngjitet vendeve të tjera në luftën me COVID-19 përmes vaksinimit.

Ai ka folur edhe për situatën epidemiologjike në vend për çka tha se aktualisht në QKUK dhe spitalet e përgjithshme janë të shtrirë mbi 900 pacientët ë infektuar, prej tyre 37 janë në kujdesin intensiv, ndërsa rreth 700 janë me oksigjenoterapi.

Edhe Krasniqi, që ka disa muaj që është prekur me COVID-19, thotë se do vaksinohet derisa deklaroi se edhe mjekët dhe infermierët e klinikave të tjera COVID do të vaksinohen nëpër repartet ku ata shërbejnë.

“Unë kam një mesazh të qartë që virusi është ende prezent dhe derisa të arrihet një masë e madhe e vaksinimit të njerëzve ne kemi nevojë ende të respektohen masat anti-COVID. Ne jemi të vetëdijshëm që ky proces do të marr kohë, megjithatë qytetarët duhet ta kenë durimin edhe pak. I lus edhe punëtorët shëndetësorë dhe qytetarët dhe grupet e tjera që të respektojnë planin dhe organizimin që ka paraparë IKSHPK me MSH-në të regjistrohen për të marrë vaksinën, vaksina është e sigurt dhe çdo qytetar duhet të ndihet i sigurt për ta marrë këtë vaksinë. Tashmë jemi në një fazë jashtëzakonisht të rëndë sa i përket situatës epidemiologjike sot kemi mbi 900 pacientët e shtrirë në të gjitha klinikat e QKUK-së dhe spitaleve, prej tyre 37 janë ne gjendje kritike duke u trajtuar nëpër repartet e kujdesit intensiv dhe kemi rreth 700 pacientë që janë duke marrë oksigjenoterapi të vazhdueshme”, tha Krasniqi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku pasi që mori vaksinën AstraZeneca tha se deri tani nuk ka asnjë ndikim negativ as tek ai por as tek profesionistët tjerë shëndetësorë që tash e sa kohë janë vaksinuar në Shqipëri.

Ditën e sotme duke e quajtur si historike, Sadiku ftoi për respektim të masave kundër përhapjes së pandemisë.

“Sot është një ditë historike për Kosovën, sa i përket menaxhimit të pandemisë për arsye se po hyjmë në fazën kur edhe Kosova i bashkëngjitet vendeve të tjera me marrjen e vaksinës dhe kjo është mënyra më e mirë për të futur pandeminë nën kontroll, por sigurisht që kemi ende kohë për të arritur te kjo, prandaj edhe njëherë po kërkojmë që qytetarët të respektojnë masat, sepse respektimi i tyre do thotë shpëtim jete dhe krijim i mundësive për futjen në kontroll të pandemisë. Nuk ka pasur hezitime nga asnjë kolegë për t’u mos u vaksinuar. Nuk ka asnjë reaksion, e kanë marrë edhe disa kolegë të tjerë në Kukës nuk kanë pasur ndonjë reaksion përveç ndonjë reaksioni të lehtë që janë normale dhe prej vaksinave të tjera”, u shpreh Sadiku.

Në Klinikën Infektive sot u vaksinua edhe infermierja, Fetije Hyseni e cila deri tani përveç që iu ka ndihmuar pacientëve të kalojnë COVID-in, asnjëherë nuk është infektuar.

Ajo apeloi tek qytetarët që të kenë kujdes sepse vetëm kështu e kanë më të lehtë që të kryejnë punën e tyre si duhet.

“Pak patëm emocione por ndjesia ke e mirë. Duke e ditur rrezikshmërinë që ballafaqohemi ne çdo ditë në klinikë është shumë e rëndësishme që ne të vaksinohemi. Nuk kam qenë e infektuar. Gjithqysh i inkurajojmë (të vaksinohen), por të kenë kujdes virusi është ende këtu të kenë kujdes dhe të na e lehtësojnë edhe neve punën”, deklaroi ajo.

Me vaksinën AstraZeneca sot u vaksinua edhe kryetari i Sindikatës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë, Fitim Havolli i cili uroi që sa më shpejt të sigurohen vaksinat për gjithë qytetarët e Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme për herë të parë me AstraZeneca në Kosovë u vaksinua kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zyrtarja e OBSH-së në Kosovë, Isme Humolli, infektologu, Sali Ahmeti dhe aktori Selman Jusufi. Vaksinimi u bë në sallën 1 tetori në Prishtinë. Edhe sot do vazhdoj vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve të kujdesit primar në sallën “1 Tetori”. Në Kosovë më 28 mars, arriti kontingjenti i parë me 24 mijë doza të vaksinave kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca.

Kosova këto vaksina i mori si donacion nga Kosova nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Vaksina e kompanisë britanike AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, thuhet se është 76 për qind efektive kundër sëmundjes COVID-19.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera