Opinione

Dalja në kafe dikur e sot – Ç’ndryshime të mëdha!

Autori: Gazeta inFokus 19:35 | 22 September 2022

Kafja (si lokal) kishte kuptimin më të keq të mundshëm në vite të 80-ta. Edhe më të keq e kishte në vite të 70-ta. Përcepsioni i kafes sidomos nëpër fshatra, por pse jo edhe në shumicën e qyteteve në atë kohë, ishte ky: vend pijanecësh, vend telashesh, ngatërresash e vrasjesh, vend konubaricash, vendi ku familja merr fund e qe besa edhe vendi ku sipas kohës rrinin vetëm pijanecët sllavë.

Nëpër fshatra s’kishte kafe. Kishte vetëm ca shitore (zadruga) të lodhëta shteti me vetëm ca artikuj kryesorë si kripë, sheqer, vaj, marmeladë, miell, krunde, ndonjë lëng borovnice që përdorej më shumë kur shkohej për ta parë dikë që ishte i sëmurë, kishte birra dhe raki të tipit çukana të vegjël që fort shkonin me nga një gullash narezak.

Shpesh më dërgonte në shitore një arsimtar i Ratkocit dhe m’i jepte dinarët për t’ia blerë një çukan alkohol që quhej Brandy (nëse s’gaboj) dhe gullash narezak kinse për t’i shkuar dita më ‘mirë’ në orë të mësimit siç e thoshte vetë me humor. Kjo ishte kështu deri në fund të viteve të 80-ta, ku s’kishte as kafe në fshatra, por as shitoret nuk përdoreshin si kafe.

-Advertisement-

Ndërkohë në vite të 90-ta kur ‘erdhi’ demokracia siç thuhej në popull, pra demokraci nën terrorin serb, siç dihet qe lejuar sektori privat, ndaj numri i shitoreve po rritej nëpër fshatra. Me rritjen e numrit të shitoreve po rritej edhe numri i atyre që pinin nëpër shitore. Me një fjalë tanimë ishin bërë më të ekspozueshëm ata që po pinin alkohol.

Pra, në mungesë të kafeve nëpër fshatra njerëzit po pinin alkohol nëpër shitore. Nëpër fshatra njiheshin me emër e mbiemër ata që pinin alkohol nëpër shitore, edhe pse alkoholin ta ‘çmontonin’ fort edhe nëpër shtëpia. Dhe në sytë e të zotërve të shtëpive, këta pijanecë shiheshin me sy shumë të keq, sepse thuhej që po i merrnin në qafë familjet tërë ditën duke pirë. Ç’është e vërteta nuk është që s’kishin tërësisht të drejtë.

Neve si fëmijë, kur na i jepnin paratë për të blerë diç në shitore, p.sh. një pako (paqetë) cigare, na thonin “bleni dhe dilni sa më shpejtë prej shitores”, sepse po qëndrove gjatë aty përcepsioni ishte se mund të të mbushej mendja që kur të rriteshe do të mund të bëheshe pijanec, alias rrugaç.

Dhe kështu jetohej, duke i parë ata që pinin si e keqja dhe me këtë edhe vetë shitorja shihej si e tillë, pavarësisht faktit se ata që pinin nuk të mos bënin asnjë të keqe, përpos që ishin shpirti kozmopolit e shpërthyes i kohës kundrejt rregullave të rënda sociale që mbretëronin në mentalitetin e asaj kohe pa kohë.

Pas luftës shpërtheu ndërtimi i kafeve nëpër pothuaj çdo fshat e mos të flasim për qytete. Tensioni tanimë kishte filluar të zhvillohej mes të zotërve të shtëpive (që në shumicën e rasteve ishte personi më i vjetër në shtëpi) dhe të rinjëve që veç kishin filluar të dilnin çdoherë e më shumë për të pirë kafe në kafe. E mbaj mend që kishte shumë pleq që e shihnin si fund të botës daljen e djemve të tyre nëpër kafe.

Por, me kalimin e kohës përcepsioni për kafe kishte filluar të ndryshonte. Nuk shihej më kafja si vend i pijanecëve. Gastronomia tanimë nëpër fshatra të mëdha është po aq e zhvilluar sikurse edhe në qytetet më të mëdha të Kosovës e rajonit. Sot i sheh të rinjtë (vajzat e gratë ende shumë pak) që mbushin kafet gju me gju me kapuçbardhët (pleqtë) që deri dje s’linin fjalë të keqe pa e thënë për kafe.

Është pikërisht çlirimi i vendit që mundësoi, ndër të tjera, zhvillimin e gastronomisë, ku të rinjtë dhe të gjitha moshat dalin e komunikojnë mes vete edhe nëpër kafe fshati e nuk mbesin të izoluar sikur para luftës ku dominonte mentaliteti i mëhallës, pra ku duhej mbrojtur mëhallën qoftë nëse edhe dikush e kishte keq dhe fare s’ia vlente ta mbroje.

Ky homogjenizim i jetës e ka rritur edhe produktivitetin e shoqërisë, sepse njerëzit sot nuk kanë më barriera për të komunikuar e punuar së bashku, pra jo sikurse në të kaluarën kur pengoheshin nga mentaliteti izolues mëhallor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera