Lajme

Çfarë deklaroi kryetari i Deçanit dy ditë para nisjes së hetimeve ndaj komunës së tij

Autori: Gazeta inFokus 20:38 | 03 June 2022

Komuna e Deçanit është bërë subjekt i hetimeve nga Prokuroria Themelore e Pejës sepse në vazhdimësi ka refuzuar që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përmes të cilit manastirit i njihet pronësia e 24 hektarëve tokë.

Nisja e hetimeve është konfirmuar sot nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj.

“Po, hetimet i kemi filluar. Procedura është te ne, kaq mund të them tani. Janë duke u marrë disa veprime në këtë drejtim”, ka thënë shkurtimisht Kurmehaj për Evropën e Lirë.

-Advertisement-

E dy ditë para nisjes së hetimeve, Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj kishte thënë me bindje të plotë që institucioni që ai udhëheqë s’do ta zbatojë asnjëherë vendimin e Kushtetueses, duke theksuar se kjo është cështje që bien nën autoritetin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

“Çështja realisht është komplet nën patronatin ose nën legjislacionin që shteti e rregullon. Është përgjegjësi e agjencionit kadastral. Sa i përket kadastrës së Deçanit, nuk ka me e zbatu kurrë”, kishte deklaruar Ramosaj.

“Edhe me mujtë me e bë, nuk kemi me e zbatu. Edhe me pasë mundësi, me pasë të drejtë me e bë, nuk kemi me e bë”, kishte thënë ai për Gazetën Expres.

Nisja e hetimeve vjen thuajse nëntë muaj pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dërguar një letër kryeprokurorit të atëhershëm të shtetit, Aleksandër Lumezi, në të cilën është thënë se “i takon Prokurorisë së Shtetit të ndërmarrë veprime” për moszbatimin e aktgjykimeve, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera