Ekonomi

BQK del me udhëzime shtesë për kujdes të shtuar nga monedhat e falsifikuara në qarkullim

Autori: Gazeta inFokus 15:14 | 01 December 2023

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në vijim të komunikatës dhe udhëzimeve të datës 7 nëntor 2023, me qëllim te udhëzimeve shtesë dhe sqarimit të paqartësive të ngritura, njofton qytetarët dhe bizneset se të gjitha denominimet në Euro të kartëmonedhave dhe monedhave të vërteta (origjinal), pa përjashtim, janë mjet i vlefshëm pagese në Republikën e Kosovës. Asnjë autoritet tjetër nuk mund të vendos për ndalimin ose lejimin e asnjë instrumenti të ligjshëm të pagesave.

BQK thotë se duke njohur rëndësinë që ka furnizimi i ekonomisë së Republikës së Kosovës me para të gatshme dhe nevojën të ruhet besueshmëria dhe integriteti i Euros në përdorimin e saj si mjet pagese, është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti kundër ligjor, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale dhe teknike.

Si rezultat i bashkërendimit të aktiviteteve që dalin nga detyrat dhe plani i përbashkët, dhe veprimit efektiv të konfiskimit të një sasie të madhe të monedhave të denominimit prej 2 € nga organet e zbatimit të ligjit, ku edhe BQK kishte kontribut, edhe më tej udhëzohen qytetarët dhe bizneset të vazhdojnë të kenë kujdes të shtuar gjatë transaksioneve me këtë denominim.

-Advertisement-

Monedhat e vërteta janë të dallueshme nga ato të falsifikuara dhe se ka disa mundësi që të identifikohen. Monedhat e falsifikuara përgjithësisht kanë veti të ndryshme magnetike nga ato të vërteta, si dhe në pamje kanë një kualitet të dobët të detajeve, zakonisht ngjyrë të ndryshme të rrethit dhe sipërfaqes brenda rrethit dhe mungesë të shkronjave në skaje.

Prandaj BQK udhëzon qytetarët dhe bizneset që për një verifikim më të lehtë të bazohen në manualin e publikuar në vijim: https://bqk-kos.org/edu/materialet/monedhat-euro/.

“Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Nenit 296 të Kodit Penal Nr. 06/L-074 të Republikës së Kosovës dhe Nenit 19 dhe 20 te Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdorë ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë, dënohet me gjobë ose burgim. Prandaj, në rast të dyshimit, qytetarët dhe bizneset udhëzohen që të kontaktojnë Policinë e Kosovës në mënyrë që monedhat e dyshuara si të falsifikuara të tërhiqen nga qarkullimi dhe të dërgohen për analizë tek Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ashtu qe te luftohet burimi i prejardhjes së tyre dhe shpërndarjes brenda vendit. Luftimi i këtij fenomeni do të vazhdojë dhe bashkëpunimi i tillë është i nevojshëm për rezultate efektive nga organet e zbatimit të ligjit”, thuhet në kumtesën e BQK-së.

BQK udhëzon bizneset që furnizimin me monedha të bëjnë vetëm përmes bankave, monedhat e pranuara t’i verifikojnë para se të njëjtat t’i ri-qarkullojnë, të punojnë në vetëdijesimin dhe trajnimin e punonjësve dhe mënyrën e identifikimit të tyre.

Lidhur me këtë, bankat dhe institucionet tjera financiare duhet të vazhdojnë të ngrisin kapacitetet e tyre në adresimin e kësaj dukurie, të lehtësojnë furnizime me monedha të reja për qytetarët dhe bizneset dhe të shtojnë komunikimin me klientët dhe autoritetet përkatëse sa më efektivisht. Gjithashtu, bankat dhe institucionet jo bankare, duke përdorur pajisjet e tyre adekuate dhe të avancuara, të lehtësojnë deponimin apo zëvendësimin e monedhave që detektohen si origjinale me denominime në monedha më të vogla apo kartëmonedha që konsiderohen nga qytetarët dhe bizneset më lehtë të qarkullueshme.

Për aq sa është e mundur, rekomandohet shmangia e përdorimit te parasë se gatshme dhe përdorimi i mjeteve elektronike të pagesave, por pa penguar dhe kufizuar te drejtën e secilit për të zgjedhur instrumentin ligjor te pagesës me rastin e kryerjes së pagesave.

BQK brenda mandatit dhe fushëveprimit të saj, mbetet e përkushtuar të mbështes organet ligj zbatuese në zbatimin e të gjitha veprimeve përkatëse institucionale në luftimin e falsifikimit të parasë si një veprim i paligjshëm dhe i dënueshëm. Ndërsa do të vazhdojë të monitoroj, udhëzoj publikun, asistoj dhe marr masa për të ndihmuar në luftimin e këtij fenomeni, i shfaqur edhe ne vendet tjera dhe i cili kërkon përgjigje adekuate dhe efektive jo vetëm në nivel lokal.

“Sa i përket ankesave lidhur me këtë çështje, çdo pengesë eventuale që qytetarët apo bizneset mund të hasin nga institucionet financiare ato mund të adresohen në BQK, kurse nëse pengesat për qytetarët paraqiten nga bizneset, ata mund t’i adresojnë ankesat e tyre të institucionet përkatëse inspektuese (qendrore apo lokale), apo tek organet e zbatimit të ligjit”, përfundon kumtesa.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera