Opinione

Bankat burim i rëndësishëm i kapitalit për bizneset por edhe për buxhetin shtetëror të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 11:04 | 11 April 2018

Shkruan: Petrit Balija

Rëndësia e institucioneve bankare si katalizator ekonomik është i pazëvendësueshëm. Sektori bankar në Kosovë ka qenë dhe mbetet injektuesi kryesor i kapitalit në ekonominë e vendit. Bankat po japin kontribut të madh në zhvillimin ekonomik përmes kreditimit të bizneseve si dhe në qëndrueshmërinë makroekonomike duke financuar buxhetin e shtetit përmes bonove të thesarit dhe obligacioneve qeveritare.

Vetëm gjatë vitit 2017 bankat kanë dhënë kredi afër 1.3 miliard, prej tyre rreth 780 milion ishin të destinuara për bizneset ndërsa pjesa tjetër për ekonomitë familjare.  Njëkohësisht, bankat vazhdojnë të jenë bartëse kryesore të borxhit shtetërorë ku vetëm gjatë vitit 2017 janë investuar 405 milionë Euro, prej tyre bono të thesarit janë 190 milionë Euro ndërsa obligacione qeveritare 215 milionë Euro.

-Advertisement-

Kriza financiare globale pati një  moratus efekt apo ndikim të vonuar në kreditimin e institucioneve bankare. Këto efekte të ngadalësimit të kreditimit u panë në vendet e rajonit qysh në vitet 2008-2010 kur edhe kishte ndodhur kriza. Ndërsa në Kosovë, ngadalësimi i kreditimit nuk ndodhi deri në vitin 2012 kur norma e rritjes së kreditimi pësoj rënie nga 16.4% sa ishte në vitin 2011, në 3.8% në vitin 2012. Rënia në kreditim vazhdoi edhe në vitin 2013 duke shënuar vetëm 2.4% rritje vjetore. Përkundër kësaj goditje, sektori bankar arriti që të bëjë kthesën e madhe dhe të ndaloj këtë rënie duke ju kthyer trendit pozitiv në vitet që pasuan dhe gradualisht arriti që në vitin 2016, pas pesë vitesh, të rrite qasjen në financa duke shënuar normat dyshifrore të kreditimit, respektivisht 10.4% (2016) dhe 11.5% (2017).

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të ceket që kthesa e madhe që ndodhi në vitin 2014 në kreditim, u reflektua edhe në një kthesë po ashtu pozitive për kreditë jo-performuese pasi që deri në vitin 2013 ato ishin në rritje dhe arritën kulmin në 8.7%, kurse në vitin 2014 filloi të bie përqindja e kredive të këqija. Në fund të vitit 2017, kreditë jo-performuese ishin pothuajse të papërfillshme duke shënuar vetëm 3.1%.

Produktet financiare në Kosovë tani janë konkurrente me çmimet e rajonit dhe normat të  interesit për kredi, për sektorë të rëndësishëm si bujqësia, kanë shënuar rënie të madhe. Në fund të vitit 2017, norma mesatare për kredi bujqësore ishte 6.6% ndërsa ato hipotekare vetëm 5.8%.

Bazuar në këto zhvillime mund të them se sektori bankar në Kosovë po tregon se Kosova ka një avantazh konkurrues në arenën financiare të rajonit. Kosova si shtet me sipërfaqe territoriale dhe popullatë relativisht të vogël po tregon se ka një sektor bankar solid të cilin duhet ta ndihmoj dhe zhvilloj edhe më tutje dhe, pse jo, të bëhet qendër financiare për rajonin në të ardhmen e afërt. Do të ishte humbje e madhe e kohës dhe resurseve nëse investohet në sektorët në të cilët Kosova nuk është konkurrente. Kosova duhet të mbështes dhe të investoi në sektorët të cilët kanë dëshmuar se mund të jenë bartës të zhvillimit ekonomik të vendit. Sektori bankar e ka dëshmuar një gjë të tillë në vazhdimësi dhe çdo fuqizim i këtij sektori do të thotë stabilitet financiar dhe avantazh konkurrues për Republikën e Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera