Fokus

Bajraktari: S’ka zgjatje të afatit për Presidentin, dështimi çon në shpërndarjen e Kuvendit

Autori: Samire Jaha 14:49 | 24 September 2026

Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se zgjedhja e Presidentit duhet të përfundojë më së voni deri më 6 tetor, duke theksuar se nuk mjafton vetëm nisja e procedurave brenda këtij afati, shkruan Gazeta Infokus.

Në një prononcim për Gazetën Infokus, Bajraktari ka thënë se afati po afrohet, ndërsa deri më tani nuk janë parë komunikime mes subjekteve politike për arritjen e një marrëveshjeje.

“Afati po ofrohet, ndërkohë që kohëve të fundit nuk kemi parë komunikime në mes të subjekteve politike në lidhje me këtë çështje, duke qenë se dje Gjykata Kushtetuese publikoi pjesë të vendimit, besoj që në ditët në vazhdim do kemi përpjekje, me shpresë se do arrihet ndonjë marrëveshje”, ka deklaruar Bajraktari.

-Advertisement-

Sipas interpretimit juridik të Bajraktarit, nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda afatit, pasojë është shpërndarja e Kuvendit.

“Kalimi i këtij afati dhe mos zgjedhja e presidentit të vendit, nënkupton dështim të deputetëve për ta përmbushur njërin nga detyrimet që ka Kuvendi, e mos zgjedhja e Presidentit brenda këtij afati, nënkupton shpërndarje të Kuvendit sipas nenit 82 të Kushtetutës..”, ka thënë Bajraktari.

Avokati ka folur edhe për procedurën që do të pasonte në rast se deputetët dështojnë ta zgjedhin Presidentin deri më 6 tetor.

“Referuar interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese, dështimi i deputetëve për ta përmbushur këtë detyrim përkatësisht mos zgjedhja e presidentit brenda këtij afati, nënkupton shpërndarje sipas fuqisë kushtetuese të Kuvendit, dhe caktimin e datës së zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen jo me vonë se 45 ditë, pas datës 6 tetor 2026”, ka deklaruar Bajraktari për Infokus.

Sipas avokatit, nuk ka hapësirë për zgjatjen e afatit përtej 6 tetorit. Ai thekson se deri në këtë datë duhet të përfundojë vetë zgjedhja e Presidentit dhe jo vetëm të fillojë procedura.

“Nuk mund të shtyhet afati, nuk mjafton fillimi i procedurave, procedura përkatësisht zgjedhja e presidentit/es duhet të bëhet më së voni deri me datën 6 tetor 2026”, ka thënë avokati.

Ndërkaq, zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Nëse asnjëri kandidat nuk e merr shumicën prej 80 votash në dy votimet e para, Kushtetuta parasheh organizimin e një votimi të tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr të paktën 61 vota zgjidhet President./Gazeta Infokus/

 

Krizë e re apo president me marrëveshje politike, çfarë e pret Kosovën edhe 12 ditë?

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy