Opinione

A të themi “u testua pozitiv” apo “doli pozitiv”?

Autori: Gazeta inFokus 21:59 | 08 July 2020

Shkruan: Ilmi Rexhepi

Dje, Lumir Abdixhiku ka shkruar:

“Sot unë dhe Albina jemi testuar pozitiv…”

-Advertisement-

Shpesh dhe nga shumë medie këtyre ditëve mund të keni dëgjuar dhe mund të keni lexuar fjalitë: “u testua pozitiv” dhe “testohet pozitiv”.

Ia keni marrë vesh domethënien, por nuk ju ka tingëlluar natyrshëm shprehja.

E kanë marrë nga gjuha angleze “tested positive”…
Në gjuhën angleze, për kuptimin mjekësor, po u përdorka kjo folje në veprore “tested positive”, që, nëse e përkthejmë në gjuhën shqipe edhe duke mbajtur parasysh trajtat gramatikore, i bie “ka testuar pozitiv” dhe jo “është testuar pozitiv”.

Duket që gazetarëve tanë nuk u ka ardhur tamam folja në veprore “ka testuar pozitiv” dhe e kanë bërë “më shqip”: “është testuar pozitiv”, pra, duke e kthyer foljen në joveprore. (Hulumtova te arabët dhe ata, kur e kanë përdorur kalkun e anglishtes, foljen arabe e kanë lënë në veprore si në gjuhën angleze)

Sikur të pranohet në gjuhën shqipe si e mirëqenë kjo shprehje “u testua pozitiv”, atëherë mbiemri “pozitiv” në sintaksë duhet të trajtohet si përcaktor kallëzuesor i kryefjalës së fjalisë me kallëzues të shprehur me folje joveprore.

Por, i njëjti kuptim mund të jepet me ndërtim të pastër të shqipes: doli pozitiv, ka dalë negativ, del pozitiv, iu nënshtrua testit dhe doli pozitiv, ose me foljet e tjera më pak të pëlqyera në këtë rast “konfirmohet” dhe “rezulton”.

E, në rast se u dashka se u dashka të merret gjithsesi përdorimi i anglishtes, atëherë, më pak i dëmshëm për shqipen është versioni me foljen në veprore “testoi pozitiv”, sepse kështu do të dallohej më qartë se është për kuptimin mjekësor si në gjuhën angleze.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera