Fokus

A do të sjellë 1 shtatori tensionim të situatës në veri edhe pas takimit Kurti – Vuçiq?

Autori: Elvira Haxhiu 18:05 | 20 August 2022

Në ditën e parë të muajit shtator pritet të rifillojë zbatimi i reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet hyrje/dalje. Kjo pasi vendimi i marrë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për fillim të reciprocitetit nuk arriti të vazhdohej nga 1 gushti e tutje.

Vendimin për shtyrjen e reciprocitetit me Serbinë i pari i qeverisë e mori në harmoni me faktorët ndërkombëtarë, pas barrikadave të vendosura dhe tensioneve të shkaktuara në veri të vendit.

Në një komunikatë për media të lëshuar pas mesnatës ekzekutivi njoftoi se ky vendim është shtyrë deri më 1 shtator, shkruan Gazeta Infokus.

-Advertisement-

Por, a do të sjellë reciprociteti tensione edhe pas takimit Kurti-Vuçiq?

Njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Agron Hoti, në një përgjigje për Gazetën Infokus ka thënë se rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi, do të ndikojë edhe në fillimin e zbatimit të reciprocitetit ku sipas tij nuk do të ketë ri përsëritje të tensioneve në veri të vendit.

Mirëpo, Hoti nuk e përjashton mundësinë që sërish të ketë shtyrje të zbatimit të këtij vendimi.

“Fakti që dialogu ka rifilluar dhe NATO ka bërë thirrje për ulje tensionesh, nuk e besoj që do të paraqesë tensionim të mëtejmë të gjendjes edhe ashtu të tensionuar, përkundrazi do t’i ulë tensionet. Edhe nëse nuk gjendet ndonjë modalitet reciprociteti deri më 1 shtator 2022, mund të ketë prapë shtyrje të ‚koordinuar‘. As pala kosovare e as ajo serbe nuk do të mund të ngrisin tensionet në veri, sepse atje tanimë është vendosur KFOR-i dhe se Policia e Kosovës nuk do të mund të shkojë aty pa leje të KFOR-it, ashtu siç nuk do të guxojë të futet as ushtria apo policia serbe, ngase të dyja palëve u është bërë qartazi me dije nga NATO se në çfarëdo eskalimi situate trupat e NATO-s do të ndërhynin në veri”, ka thënë Hoti.

Edhe analisti Gazmir Raci, nuk beson se dita e parë e muajit shtator do të sjellë tensione në vend.

Në një prononcim për Gazetën Infokus, ai vlerëson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, mirëpo ai thotë se nuk duhet të lejohet rihapja marrëveshjeve të cilat veçse kanë përfunduar, ngase sipas tij çdo rihapje e marrëveshjeve që janë mbyllë para shumë viteve e kthen procesin e dialogut në dialog teknik.

“Nuk ka nevojë me pas tensione, ka nevojë me vazhdu dialogu edhe u bë mirë që u tha nga BE-ja që palët janë pajtu që të takohen rregullisht, çdo muaj, e po ashtu edhe ekipet e kryenegociatorët do të ritakohen përsëri në javën e ardhshme”, ka thënë Raci.

Kujtojmë se më 29 qershor, Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e reciprocitetit për hyrjen të shtetasve të Serbisë në Kosovë dhe për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë me ato RKS.

Ndërkaq më 31 korrik, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë dhe mjete tjera rrugët në veri, si shenjë proteste ndaj vendimit të ekzekutivit të Kosovës për reciprocitet, gjë që bëri që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet deri më 1 shtator.

Ndryshe, lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje Serbia e pati zbatuar para 11 vjetësh ku për të cilin vendim Kosova e Serbia kishin rënë dakord në Bruksel./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera