Lajme

Fjala përfundimtare e Adem Grabovcit para gjykatës për rastin Pronto

Autori: Gazeta inFokus 15:16 | 30 December 2019

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, i akuzuar në rastin “Pronto”, Adem Grabovci, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se dënimi publik e moral veçse është kryer dhe se pafajësia e tij është vërtetuar edhe nga fjalët e prokurores speciale që, sipas tij, në shumë raste ka rënë në kundërshtim me veten

“Dënimi publik, moral veç është kryer, ndërsa këtu e tri vite unë kam heshtur, jo pse s’kam pasur se çfarë të them, por sepse kam dashur të besoj në institucionin përkatës edhe kam besuar në të drejtën, çka u vërtetu edhe këtu gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor edhe nga vet fjalët e prokurores,, qoftë në fjalën hyrëse, qoftë në përfundimtare, se në shumë raste ka rënë në kundërshtim me vetveten”, ka thënë Grabovci.

Së bashku me Grabovcin, në këtë rast po akuzohen edhe ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

-Advertisement-

Në seancën e së hënës, Grabovci ka thënë se për të ekzistuar një vepër penale duhet të ekzistojë pala e dëmtuar dhe ajo që ka përfituar.

“Edhe në fjalën hyrëse kam kërkuar që të paktën të më bëni nder vetëm një njeri, një dëshmitar që të mund të thotë që ia kam mohuar të drejtat dikujt, unë atëherë do të isha dakorduar, por kjo nuk është dëshmuar dhe nuk do të dëshmohet kurrë. Unë e them me bindje të thellë se unë gjatë tërë jetës sime, i kam 40 vite të plota aktivitet që kam punuar me përkushtim, për të mirën, mirëqenien e këtij populli, nuk e kam pritur që një institucion i vendit tim të më akuzojë se unë i kam shkelur të drejtën dikujt. Kam pritur nga prokuroria të më tregojë se cilin ligj e kam shkelur”, ka thënë Grabovci.

Tutje, i akuzuari Adem Grabovci tha se kjo akuzë është politike, duke i’u referuar deklarimeve të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, për rastin në fjalë.

Të njëjtat deklarime i përmendi edhe mbrojtësi i tij, avokati Florent Latifaj.

“Aleksandër Lumezi në një intervistë thotë se nuk ka me pas hetim në çështjen “Pronto” sepse këto përgjime kanë qenë subjekt i hetimeve të një prokurori tjetër, ndërsa Imer Beka ka thënë “çuditem se një çështje duhet të fillojë me një procedurë e të përfundojë në një procedurë tjetër””, ka thënë Latifaj.

Në fjalën përfundimtare, avokati Florent Latifaj, ka thënë se për të keqpërdorur një pozitë zyrtare, duhet ta kesh një të tillë, e se klienti i tij nuk ka pasur.

“Për ta keqpërdorur një pozitë zyrtare duhet ta kesh atë pozitë zyrtare. Kemi ardhur në një situatë që prokurori nuk provon asgjë, ne duhet edhe të propozojmë dëshmitarë për të provuar të kundërtën e asaj që pretendon prokuroria”, ka thënë Latifaj, në seancën e së hënës të mbajtur për këtë rast.

Në fjalën e tij përfundimtare, avokati Latifaj ka deklaruar se në këtë rast nuk është vërtetuar asgjë, përpos asaj se disa njerëz kanë biseduar në telefon mes vete.

“Nuk ka mundur asgjë me u vërtetu, pos që disa njerëz kanë biseduar në telefon mes vete, por as nuk janë zyrtar të cilat do mund të ndikonin për punësimin e personave të ndryshëm për të cilat pozita në fund dikush tjetër ka vendosur që të vazhdohen mandatet”, ka thënë ai.

Latifaj ka thënë se i mbrojturi i tij akuzohet se dy herë ka kryer veprën penale të të shkeljes së statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës dhe shtatë herë ka mbetur në tentativë, e që sipas tij, vepra duhet kryer e jo të mbetet në tentative.

“Kjo vepër penale për t’u kryer duhet të përmbushen disa elemente. Kjo vepër duhet të kryer e jo të mbetet në tentativë, e jo nga një person që nuk ka pasur mundësi të ndikojë. Nëse konsiderohet tentativë biseda telefonike kemi problem serioz për të përmbushur elementet qenësore për t’u kryer kjo vepër penale”, ka thënë Latifaj.

Avokati i Grabovcit tha se klienti i tij nuk ka pasur funksion që të ndikojë, pasi sipas tij, Grabovci nuk ka qenë pjesë e asnjë komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fund, avokati ka kërkuar nga gjykata që ndaj Grabovcit të merret aktgjykim lirues, pasi sipas tij, në të kundërtën gjykata do të krijojë një praktikë të rrezikshme juridike dhe një praktikë të rrezikshme për qytetarët e këtij vendi.

Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.

Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera