Narkoza e vizave – Mit apo Realitet (6)
Autori: Gazeta inFokus 15:49 | 02 January 2019
Shkruan: Agron HOTI
Pse të paguajmë çmim?!
Në qoftë se kriza e refugjatëve sirianë ka dridhur BE-në në tërësinë e saj, ka rritur dhe thelluar ndasitë mes Shteteve Anëtare të BE-së, ka rritur popullizmin nacionalist gjithandej BE-së, ka pjellur Brexit-in dhe me një fjalë ka shkundur tërë BE-në, pse duhet që Kosova të izolohet duke paguar çmimin e këtyre problemeve gërryese brenda BE-së?! Në qoftë se korrupsioni, krimi i organizuar, ekonomia joformale janë evidente edhe në shtetet më të fuqishme të botës përfshirë edhe vende të BE-së, atëherë s’mund të pritet as nga Kosova që të jetë imune duke pasur parasysh dallimin në zhvillim të kapaciteteve me shtete mbi 300 vjeçare.
BE asnjëherë se mori parasysh këtë fakt, dhe ndonëse ishim një vend me të kaluar shumë të dhimbshme, ajo e zvarriti këtë proces deri në pafundësi. Pra, edhe pse Kosova doli nga një luftë gjenocidale që sistematikisht ushtronte Serbia mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare, të cilën tërë NATO u desh të zgjohej në këmbë për ta ndaluar, BE na dyfishoi kriteret nga 42 sa kishin vendet e rajonit në 95.
Nuk duhet harruar se pikërisht në kohën kur BE është duke vluar nga problemet e brendshme si p.sh. i) borxhi publik në rritje në pothuaj tërë vendet e BE-së, ii) humbjet elektorale të partive tradicionale që historikisht mbështetën projektin Evropian dhe fuqizimi i atyre që synojnë shkatërrimin e këtij projekti, iii) rënien e nivelit të demokracisë nëpër shtete të ndryshme të BE-së sidomos në pjesën lindore dhe jugore të saj; iv) rritja e disparitetit në zhvillim ekonomik mes jugut dhe veriut të BE-së, iv) rënien e lirë demografike nëpër tërë BE-në dhe nevojën për fuqi të re punëtore dhe jogatishmërinë e politikanëve dhe Shteteve Anëtare të BE-së për të përgatitur vendet e tyre për këtë trend në ardhje, Kosova në anën tjetër në vitin 2016 e 2017 shënoi progres në Raportin e Transparency International duke u ngritur në 10 vende më lartë dhe natyrisht plotësoi edhe kriteret për liberalizim të vizave. Sigurisht që kjo nuk është perfekte, por jep indikacion pozitiv.
Kush e zbuloi korrupsionin?!
Askush nuk e mohon korrupsionin endemik dhe krimin e organizuar në Kosovë dhe rajon, ashtu siç nuk mund ta mohojë korrupsionin brenda BE-së dhe Shteteve Anëtare të saj, ku investitorë evropianë të mbështetur fort nga qeveritë e tyre investojnë sa të munden nëpër shtete me popullsi të mëdha (si Kina, India, Brazili, Indonezia, Pakistani, Bangladeshi, Vietnami, etj.), të cilat vlojnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Mjafton të lexojmë sot gazetat e njohura botërore dhe të kuptojmë se ç’po ndodh nëpër botë, përfshirë BE-në.
Gazetat si “Economist”, të cilat qytetarët e Kosovës sot për fat të mirë kanë mundësi t’i lexojnë, të mekin për nivelet korruptive brenda BE-së dhe nga nivelet korruptive që kompanitë e BE-së demonstrojnë nëpër vendet ku investojnë, sidomos nëpër vendet me popullsi të mëdha, ku syri i medias nuk arrinë të kap detajet dhe ta kuptojë kompleksitetin dhe allazhvereshet e korporatave të ndryshme.
Pastaj, është sekret publik se qindra miliarda euro keqpërdoren nga vet institucionet e BE-së dhe Shtetet Anëtare të saj, këto të fundit keqpërdorin fonde të zhvillimit rajonal. Mjafton të lexosh raportet e Gjykatës së Auditorëve të BE-së si e Raporte të ndryshme ndërkombëtare dhe të shohësh nivelin korruptiv gjatë implementimit të fondeve të BE-së gjithandej globit.
Pra, nëse Kosova ka korrupsion, kjo nuk është më ndryshe as në hapësirat e BE-së. Sigurisht që kjo nuk është arsyetim për vizionin e Kosovës, sepse ne duhet të vazhdojmë të merremi me këtë problematikë të rëndë, por të njëjtën sfidë e ka pothuaj çdo shtet në botë.
Dhe nëqoftëse shtete që ekzistojnë që mbi 300 vjet, nuk kanë arritur ta zhdukin tërësisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe ekonominë joformale, e as që pritet ta zhdukin ndonjëherë, pasi vetë struktura e shtetit është aq komplekse sa zbrazëtirat në qeverisje gjithmonë do të jenë aktuale, atëherë si paska mundësi që Kosova ta bëjë një gjë të tillë? Sigurisht që kjo nuk e arsyeton dhe s’duhet të kuptohet si arsyetim i gjendjes jo të mirë në Kosovë, por një shtet që ka vetëm 10 vjet s’mund të arrijë qeverisje ideale.
A ka korrupsion në BE?
A nuk ishte korrupsion nga evropianët transferet e miliardave euro në Panama Papers, a nuk janë korrupsion miliardat që transferohen nga një shtet në tjetrin brenda vendeve të BE-së për t’iu ikur tatimeve, a nuk janë korrupsion lobingjet e ndryshme brenda BE-së që shtyjnë përpara agjenda të ndryshme në interes të grupeve të ndryshme të interesit, a nuk janë korrupsion shpërlarjet e mbi 100 miliardë EUR në vit (sipas Economist) vetëm në Londër! Thuhet që institucionet përgjegjëse në Angli nuk po kanë kapacitete e resurse të mjaftueshme për të luftuar shpërlarjen enorme të parave në këtë shtet.
A nuk janë korrupsion afera të panumërta brenda për brenda vendeve të BE-së, a nuk janë korrupsion deponimi i miliarda eurove të kriminelëve më të mëdhenj që ka njohur bota prej pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot nëpër vende të hapësirës së Schengenit, a nuk janë korrupsion aferat multimiliardëshe të fabrikave të veturave që po manipulojnë shifrat e emetimit të dioksidit të karbonit, industri kjo e mbështetur fuqishëm nga politika e vendeve të ndryshme?!
A nuk është korrupsion tregtia me këlyshë të qenve anë e përtej BE-së (me qindra miliona euro), tregtia me drogë e armë në vlerë miliarda eurosh, a nuk janë korrupsion lidhjet e shefave të shteteve/kryeministrave të vendeve të BE-së, të cilët menjëherë pas përfundimit të mandateve politike, kalojnë në projekte euro-multimiliardëshe, kontratat e të cilave i kishin negociuar sa ishin në pushtet, a nuk janë korrupsion lidhjet e dyshimta të politikanëve të kalibrit të lartë të Shteteve të BE-së me firma të ndryshme kineze, ruse, etj., duke dëmtuar kështu seriozisht ekonominë e BE-së?!
Duhet të jemi të vetëdijshëm që luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është një proces, me të cilin institucionet e Kosovës do të merren një kohë të gjatë. Sa më shumë që do të zhvillohet vendi në aspektin ekonomik aq më i vogël do të jetë korrupsioni, këtë e ka treguar praktika siç është shembulli me Korenë Jugore dhe pse zhdukja e plotë e tij ka rezultuar të jetë e pamundshme edhe në demokracitë më të zhvilluara në glob.
(Vazhdon)
Të tjera
-
Ngjarjet e datës 27 prill
Organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Komisioni Qeveritar për Perso...
-
Ministria e Jashtme gjermane tregon për takimin me Kurtin
Zyra gjermane për Punët e Jashtme ka komentuar takimin që ka pasur ministrja ...
-
Osmani nesër me nderime te Memoriali për të Pagjeturit dhe për homazhe në Mejë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nesër do të bëjë nderime te Memoriali për...
-
Gjiganti zviceran “Lika Group” synon ta zbukurojë Prishtinën
Klanin mund ta kenë inspirim, që në Kosovë të fillojnë një ndërtim. Kompan...
-
Tërmeti me magnitudë 5.8 ballë godet Tajvanin
Një tërmet me magnitudë 5.8 ballë ka goditur Tajvanin. Tërmeti u regjistrua m...
-
Blinken: Kemi parë prova të përpjekjes së Kinës për të ndikuar në zgjedhjet e SHBA
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA ka parë prova të përp...
-
Kurti: Kur vendet autoritare po kërcënojnë me largim, Kosova me meritë kërkon anëtarësimin në KiE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka fol...
-
Ndërron jetë Bojan Tonçiq, gazetari serb që kundërshtoi Millosheviqin për luftën e Kosovës
Në moshën 57 vjeçare ka ndërruar jetë gazetari serb Bojan Tonçiq. Tonçiq d...
-
Abdixhiku në Hamburg këtë fundjavë, paralajmëron dy tubime
Kryetari I LDK-së, Lumir Abdixiku ka njoftuar për agjendën që do ta ketë gjat...
-
Sandulloviq-Hillit: “Duhet t’ju vijë turp nga vetja”
Politikani serb, Nikolla Sandulloviq, e ka postuar një fotografi në platformë...
-
Mbahet ceremonia e lidhjes me internet të shkollës së 100-të në Republikën e Kosovës
Ministria e Ekonomisë, përmes Projektit të Kosovës për Ekonomi Digjitale (KOD...
-
Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit
Pretendimi i ngritur nga Vudi [Vedat] Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari...