HUQJA E KUVENDIT ME REZOLUTËN PËR DIALOGUN ME SERBINË
Autori: Gazeta inFokus 17:16 | 16 December 2018
Shkruan: Agron Halitaj
Nganjëherë është mirë që Rezolutat nuk kanë karakter obligues. Kur bëhen me qëllimin e mirë, padyshim se është mirë të jetësohen në praktikë, por kur ato janë të pavlera, është mirë të hidhen në koshin e plehrave. Në kategorinë e dytë hyn edhe Rezoluta e miratuar së fundmi në Kuvendin e Kosovës, e cila, nëse nuk cilësohet si qesharake, padyshim se është një ndër rezolutat më koti që mund t’i ketë miratuar Kuvendi i Kosovës në këto 10 vjet shtet.
Është ofenduese për masën e gjerë kur një dokument i tillë pretendohet të shitet si diçka me peshë nga përfaqësuesit e BE-së, nga presidenti i shtetit, liderët e partive në pushtet dhe nga iniciuesit e rezolutës. Me këtë dokument, jo që nuk është arritur konsensusi i gjerë politik për procesin e dialogut, siç edhe po thuhet, por është krijuar një hendek edhe më i gjerë mes opozitës reale dhe koalicionit qeverisës dhe kreut të shtetit.
Serioziteti i atyre që e kanë përpiluar, e më pas edhe i atyre që e kanë votuar këtë rezolutë, shihet në atë se kë e kanë zgjedhur të jetë bashkëkryesues, e kë anëtar të ekipit shtetëror dialogues. Qëllimshëm ata kanë bërë një huqje të madhe. Shpend Ahmeti nuk do të duhej të vihej në krye të një ekipi shtetëror për sa kohë që nuk përfaqëson gjë në Kuvendin e Kosovës.
Dikush mund të thotë se ai është kryetar i një partie që i ka 12 deputetë në Kuvend, por e vërteta është se ata 12 deputetë nuk përfaqësojnë kurrfarë partie parlamentare. Duhet sqaruar se PSD është vetëm akronimi i një Grupi parlamentar, e jo i një partie parlamentare. Të gjithë deputetët e këtij grupi janë aty me mandatet që i kanë fituar duke qenë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje. Si të tillë ata do të mbesin në regjistrin e KQZ-së përgjatë gjithë mandatit zgjedhor. Ky është rregulli, i pëlqeu dikujt ose jo.
Pavarësisht asaj që ka ndodhur pas konstituimit të legjislaturës së gjashtë, nëse ndonjëri nga deputetët e Grupit parlamentar PSD, apo edhe të Vetëvendosjes, tërhiqet për shkaqe nga më të ndryshmet, apo i merret mandati, në vendin e tij vjen ai që ka mbetur i pari në listë për t’u bërë deputet. Kushdo që të jetë ai, KQZ nuk e pyet nëse është në VV apo PSD, por i hap rrugën për të shkuar në Kuvend si përfaqësues/e i/e Vetëvendosjes. Shpend Ahmeti e ka të qartë edhe vetë këtë gjë. Kur e ka dorëzuar mandatin e deputetit për të mbetur kryetar i Komunës së Prishtinës, vendin që e ka liruar në Kuvend e ka zënë Xhelal Sveçla, që edhe sot e kësaj dite është në VV.
Aktualisht Ahmeti mund të thirret vetëm në fuqinë e pushtetit lokal, të cilën po ashtu e ka fituar nga elektorati i Vetëvendosjes, por assesi në fuqinë parlamentare. Duhet pritur zgjedhjet e ardhshme për t’u parë se sa i madh po del prej tyre. Në këto rrethana nuk janë reale pritjet që opozita ta mbështesë një Rezolutë që i jep përgjegjësi shtetërore dikujt që nuk ka peshë politike të definuar.
Absurdi tjetër i shprehur me anë të Rezolutës është plotësimi i vendeve të dedikuara për LDK-në dhe Vetëvendosjen. Derisa këto dy parti të mos i delegojnë anëtarët e tyre, në ekip do të jenë Visar Ymeri e Dukagjin Gorani. Kështu, në përbërjen nëntanëtareshe të ekipit, tre nga ta dalin të jenë nga GP i PSD-së. Me këtë, ekipi shtetëror rezulton të jetë vetëm kuotë anëtarësh, jo mekanizëm që përfaqëson vullnetin e qytetarëve. Gjithë kësaj, kulmi i vihet me zgjedhjen e Dardan Gashit, anëtar të ekipit. Kë e përfaqëson ai? Krejt ata që e kanë votuar, e dinë se ai nuk e përfaqëson askënd, pos potencialisht familjen e tij.
Është e qartë se pas daljes së Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, Qeveria Haradinaj nuk mund të mbijetojë pa një infuzion nga opozita. Grupi “PSD” mund t’i bëjë ndonjë shërbim, por jetëgjatësia e kësaj Qeverie prapë do të jetë e shkurtër. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë kërkon konsensus të gjerë politikë. Mbi presidentin Thaçi rëndon përgjegjësia që ta sigurojë mbështetjen e shumicës parlamentare për çfarëdo marrëveshjeje që nënshkruan me homologun serb. E kjo mbështetje nuk mund të arrihet pa shkuar vendi në zgjedhje, në mënyrë që më pas, të formohet një Qeveri e koalicionit të gjerë.
Në frymën e gjithë kësaj, rezulton se fati i Qeverisë Haradinaj është i varur nga Thaçi. Nëse kreu i shtetit vendos që vendi të shkojë në zgjedhje, Qeverinë Haradinaj nuk ka asnjë gjasë që ta shpëtojë Shpend Ahmeti. Në një rrethanë tjetër, Haradinaj e Ahmeti mund të bëhen vetëm partnerë të koalicionit parazgjedhor. Përgjegjësinë për shtetin duhet ta marrin ata që kanë peshë elektorale.
Të tjera
-
“Në veri një regjistruesi të popullsisë ia kanë lëshu qenin”
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati tha...
-
Hakerët e Rusisë sulmuan faqet e institucioneve të Kosovës, atë të Presidencës dhe Kryeministrisë
Hakerët nga Rusia kanë sulmuar faqet e institucioneve të Kosovës, të cilat gj...
-
Osmani kujton Betejën e Çabratit: Vendosja e drejtësisë është angazhim i yni i vazhdueshëm
Beteja e Çabratit paraqet stoicizmin e vajzave dhe djemve të Brigadës 137 “Gj...
-
I dyshuari që dhu*noi se*ksua*lisht për një vit 14 vjeçaren nga Ferizaj dyshohet se ishte zyrtar i Policisë së Kosovës
Herën e parë e kishte dhunuar në Autobus. E më pas për një vit rresht 59 vjeç...
-
Kosova të bëjë gjithçka që është e mundur që ta sigurojë mbështetjen e Komitetit të Ministrave
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka mirëpritur vendimin e BE-së për mir...
-
Kurti: Kosova ka nevojë për një qeverisje efikase që i përmbush nevojat e qytetarëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se administrata publike ësht...
-
Ambasada britanike: Kosova të bëjë gjithçka që është e mundur që ta sigurojë mbështetjen e Komitetit të Ministrave
Në Strasburg sot zëvendësministrat e Jashtëm të vendeve anëtare janë duke bër...
-
ASK i bën thirrje qytetarëve që të regjistrohen: Është obligim ligjor
Agjencia e Statistikave e Kosovës i ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëz...
-
”Elektrosever” nis instalimin e njehsorëve inteligjentë në veri
Kompania “Elektrosever” do të fillojë instalimin e njehsorëve të rinj intelig...
-
Përparim Rama: Deri në transformim, ish-ndërtesa e Gërmisë do të shërbejë për ekspozita
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar pamje nga punim...
-
Selmanaj: Kam dëgjuar se në burgun e Dubravës po u duhet të presin nga 10 ditë për t’u pastruar
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha se...
-
Raporti i Borell për çështjen e masave ndaj Kosovës në përfundim e sipër, pritet t’u dorëzohet shteteve
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se Brukseli zyrtar e ka...