Fokus

Loja e presidentes Shiroka-Pula: Deklarata e Pavarësisë në korridor, fotografia e Rugovës larg vendit të nderit

Autori: Gazeta inFokus 10:06 | 10 November 2026

Loja e Presidencës me fotografinë e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe Deklaratën e Pavarësisë nisi dje, ndërsa sot po zbardhet ajo që mbeti pas arsyetimit se “të gjitha janë aty”.

Burime të Gazetës Infokus brenda Presidencës bëjnë të ditur se presidentja Justina Shiroka-Pula i ka larguar të dyja nga vendet e nderit. Deklaratën e Pavarësisë e ka zhvendosur në korridor, ndërsa fotografinë e Rugovës në një kënd anësor.

Pra, ato ndodhen ende brenda institucionit, por, sipas këtyre burimeve, janë hequr nga hapësirat përfaqësuese të pritjeve zyrtare.

-Advertisement-

Pas reagimeve të djeshme, Presidenca mohoi largimin e tyre nga institucioni.

“Asgjë nuk është larguar nga zyra e Presidencës. Të gjitha janë aty”, ishte përgjigjja e zyrës për media të Presidencës.

Por ky arsyetim nuk sqaron pikërisht çështjen që nxiti reagimet e qe është largimin nga vendet e nderit dhe zëvendësimin e tyre me elemente të tjera.

Burimet e Infokusit përmendin dy pozicione kryesore përfaqësuese brenda zyrës, ballin e oxhakut dhe tavolinën kryesore të punës.

Sipas tyre, këto janë hapësirat ku zhvillohen pritjet dhe takimet zyrtare dhe ku fotografia e Rugovës dhe Deklarata e Pavarësisë kishin dukshmërinë dhe peshën simbolike që u takon.

Tani, sipas të njëjtave burime, Deklarata është vendosur në holl, jashtë zyrave të pritjes. Ndërsa fotografia e Rugovës është zhvendosur në një kënd që burimet e përshkruajnë si të fshehur dhe pa pozicion ballor gjatë takimeve.

Në vend të këtyre dy simboleve, burimet thonë se janë vendosur një punim filigrani dhe një pikturë. Ato vlerësojnë se pozicionet e reja të fotografisë dhe Deklaratës nuk i përmbushin kriteret për t’u konsideruar vende nderi sipas protokollit.

Largimi i tyre nga pozicionet e mëparshme nxiti dje reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo parti kërkoi rikthimin e të dyjave në vendet e nderit dhe kundërshtoi trajtimin e tyre si dekorime që mund të zëvendësohen me vepra arti.

Pikërisht këtu qëndron edhe dallimi mes sqarimit të Presidencës dhe asaj që tregojnë burimet e Infokusit. Prania e fotografisë dhe e Deklaratës brenda ndërtesës nuk do të thotë se ato vazhdojnë të jenë në vendet e tyre përfaqësuese.

Në përgjigjen e bërë publike, Presidenca nuk ka sqaruar arsyet e zhvendosjes dhe as përse këto dy simbole nuk janë më në pozicionet ku qëndronin gjatë pritjeve zyrtare.
/Gazeta Infokus

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy