Fokus

Shefat e kabineteve të Albin Kurtit e Përparim Ramës, takim kokë më kokë në një restorant në lagjen e milionerëve

Autori: Gazeta inFokus 22:02 | 07 November 2026

Ditën, përplasje me akuza e kundërakuza të ashpra për korrupsion, keqpërdorime e bllokime. Natën, dy prej bashkëpunëtorëve më tëbafert të Albin Kurtit dhe Perparim Ramës, kokë më kokë duke pirë birra.

Luan Dalipi dhe Vllaznim Osmani, të cilët kanë drejtuar kabinetet përkatësisht të kryeministrit Albin Kurti dhe të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, janë parë së bashku në një restorant në “Marigona”, lagjen e njohur si lagjja e milionerëve.

Takimi ka ndodhur sonte, pikërisht në një periudhë kur përfaqësues të VV-së po dorëzojnë në Prokurori materiale për dyshime për keqpërdorime në kontrata milionëshe të Komunës së Prishtinës. Në anën tjetër, Rama po e akuzon pushtetin e Kurtit për sulme politike, bllokime dhe pengim të investimeve.

-Advertisement-

Qëllimi i takimit mes dy ish-shefave të kabineteve nuk është konfirmuar. Mbetet e paqartë nëse biseda ka pasur karakter privat apo institucional.

Përplasjet e Ramës me VV-në janë të vazhdueshme prej vitesh. Së fundmi, ato janë përqendruar te kontrata me vlerë rreth 10 milionë euro për ndriçimin publik “Smart”. Më 3 nëntor, deputeti Ilir Kërçeli dhe asamblisti Gëzim Sveçla dorëzuan në Prokurorinë Speciale materiale mbi dyshimet për dëmtim të buxhetit të Prishtinës. Ata ngritën pretendime për dallime të mëdha në çmime mes dy kontratave dhe për mënyrën e faturimit të punimeve.

Kërçeli ka denoncuar edhe çmimin e shiritit nëntokësor për paralajmërimin e pranisë së kabllove elektrike, duke pretenduar se është faturuar shumë më shtrenjtë se çmimi i tregut. Rama i ka kundërshtuar akuzat, duke deklaruar se çmimi përfshin materialin, transportin, vendosjen, TVSH-në dhe garancinë e mirëmbajtjen dhjetëvjeçare.

Gjuha e përplasjes ka shkuar deri te deklaratat për burg. Deputeti i VV-së, Egzon Azemi, ka deklaruar se shpresonte që Rama të përfundonte sa më parë në burg. Kryetari i Prishtinës i ka kundërshtuar akuzat dhe ka paralajmëruar padi për shpifje.

Në anën tjetër, Rama e ka akuzuar Qeverinë Kurti për bllokim të mjeteve dhe ndëshkim financiar të komunave që nuk udhëhiqen nga VV-ja.

Ndërkohë, Dalipi dhe Osmani, dy prej bashkëpunëtorëve të afërt të Kurtit dhe Ramës, kanë kaluar në angazhime të tjera institucionale. Dalipi, pas largimit nga kabineti i Kurtit në shkurt 2026, doli i pari në konkursin për drejtor ekzekutiv të Agjencisë së Investimeve dhe Eksportit. Osmani është emëruar këshilltar politik i Ramës dhe prezantohet publikisht si këshilltar për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Angazhimet e tyre lidhen tashmë me promovimin e investimeve dhe eksporteve, si dhe me përgatitjet për një ngjarje të madhe sportive ndërkombëtare./Gazeta Infokus

 

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy