“Arlinda kërkoi mbrojtje dhe u vra” – Shifra ALARMANTE të dhunës në Kosovë, mbi 10 mijë raste të raportuara në më pak se katër vjet
Autori: Samire Jaha
15:17 | 31 October 2026
Mbi 10 mijë raste të dhunës në familje. Mbi 8 mijë gra viktima. Qindra fëmijë të përfshirë në dhunë. Këto janë shifrat që tregojnë përmasat shqetësuese të një fenomeni që vazhdon të godasë familjet në Kosovë.
Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, në Policinë e Kosovës janë raportuar gjihsej 2 mijë e 52 raste të dhunës në familje, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 2 mijë e 138, ku fatkeqësisht shumica dërrmuese e këtyre viktimave janë gra, shkruan Gazeta Infokus.
Këto të dhëna i ka siguruar Gazeta Infokus nga Policia e Kosovës, pas kërkesës për informacione lidhur me rastet e dhunës në familje, viktimat dhe shpërndarjen e tyre sipas rajoneve.
Sipas statistikave zyrtare, nga janari deri në shtator të këtij viti, 1 mijë e 626 viktima kanë qenë gra, ndërsa 512 burra.
Kjo do të thotë se rreth 76 për qind e viktimave të regjistruara gjatë kësaj periudhe janë të gjinisë femërore.
Por, edhe më alarmante është përfshirja e fëmijëve në rastet e dhunës në familje.
Sipas Policisë, 154 viktima kanë qenë të moshës deri në 18 vjeç. Kjo nënkupton se, mesatarisht, çdo dy ditë është regjistruar të paktën një viktimë e mitur e dhunës në familje.
Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar edhe 176 raste të përsëritura të dhunës në familje.
Këto shifra nuk janë vetëm statistika. Ato përfaqësojnë mijëra raportime për dhunë, mijëra viktima dhe raste kur siguria e individëve është cenuar pikërisht në ambientin ku duhet të ndihen më të mbrojtur.
Prishtina me numrin më të lartë të rasteve të dhunës në familje
Nga tetë rajonet policore, Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve të raportuara. Vetëm në kryeqytet janë regjistruar 672 raste të dhunës në familje gjatë periudhës janar–shtator 2026.
Pas Prishtinës renditet Peja me 272 raste, Gjakova me 244, Gjilani me 220 dhe Mitrovica e Jugut me 214 raste.
Në Prizren janë raportuar 206 raste, në Ferizaj 166, ndërsa në Mitrovicën e Veriut 58 raste.
Edhe numri më i madh i viktimave është regjistruar në rajonin e Prishtinës, gjithsej 695, prej të cilave 550 gra dhe 145 burra.
Shifrat tregojnë se dhuna në familje nuk është problem i izoluar në një qytet apo rajon të caktuar, por një fenomen i përhapur në të gjithë vendin.
Mbi 10 mijë raste të dhunës në familje nga viti 2023
Të dhënat e siguruara nga Infokus tregojnë se dhuna në familje ka qenë e pranishme në përmasa shqetësuese edhe gjatë viteve të mëparshme.
Në vitin 2023, Policia e Kosovës kishte regjistruar 2 mijë e 639 raste të dhunës në familje, me gjithsej 2 mijë e 717 viktima.
Në vitin 2024, numri i rasteve ishte rritur në 2 mijë e 959, ndërsa numri i viktimave kishte arritur në 2 mijë e 985.
Gjatë vitit 2025, janë raportuar 2 mijë e 815 raste, me gjithsej 2 mijë e 711 viktima.
Në total, nga janari i vitit 2023 deri në shtator të vitit 2026, në Policinë e Kosovës janë raportuar 10 mijë e 465 raste të dhunës në familje.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 10 mijë e 551 viktima, prej të cilave 8 mijë e 45 gra dhe 2 mijë e 506 burra.
176 raste të përsëritura vetëm për nëntë muaj
Një tjetër e dhënë shqetësuese nga raporti i Policisë është numri i rasteve të përsëritura të dhunës në familje.
Nga janari deri në shtator 2026, janë evidentuar 176 raste të tilla.
Prishtina prin edhe në këtë kategori, me 109 raste të përsëritura, pasuar nga Gjakova me 21 dhe Mitrovica e Jugut me 19.

Sociologu Sumiçi për Infokus: Dhuna në familje, problem i thellë shoqëror
Lidhur me këto shifra alarmante, sociologu Jahir Sumiçi ka deklaruar për Gazetën Infokus se dhuna në familje nuk mund të trajtohet vetëm si problem individual, pasi ajo pasqyron edhe mentalitetin patriarkal dhe kulturën e heshtjes që vazhdojnë të jenë të pranishme në shoqërinë kosovare.
“Këto shifra tregojnë se dhuna në familje nuk është thjesht problem individual, por një problem i thellë shoqëror. Në shoqërinë tonë ende mbijetojnë mentalitete patriarkale që e normalizojnë kontrollin dhe dominimin në familje. Për më tepër, ekziston një kulturë e heshtjes, ku ruajtja e imazhit të familjes shpesh vendoset mbi sigurinë e viktimës Familja duhet të jetë hapëirë e sigurisë dhe dinjitetit, jo e frikës dhe dhunës”, ka deklaruar Sumiçi për Infokus.
Ai ka theksuar se varësia ekonomike, frika nga hakmarrja dhe presioni familjar janë ndër faktorët që ua vështirësojnë grave largimin nga marrëdhëniet e dhunshme.
Duke komentuar edhe rastin e Arlinda Zekajt, e cila kërkoi mbrojtje para se të vritej, Sumiçi ka paralajmëruar se ngjarje të tilla mund ta thellojnë mosbesimin e viktimave ndaj institucioneve.
“Kur një grua kërkon ndihmë dhe më pas vritet, gratë e tjera mund të pyesin veten nëse raportimi i dhunës do t’u garantojë siguri. Kjo mund ta thellojë mosbesimin dhe frikën për të kërkuar ndihmë”, është shprehur ai.
Sipas sociologut, institucionet duhet të garantojnë mbrojtje reale për viktimat dhe të reagojnë me kohë ndaj rasteve me rrezik të lartë.
“Nuk mjafton të kërkojmë drejtësi pas një vrasjeje; duhet të ndërtojmë një sistem që e parandalon atë”, ka përfunduar Sumiçi.
Këto të dhëna alarmante publikohen në një kohë kur Kosova është tronditur nga vrasja e Arlinda Zekajt, nga Peja, e cila u vra me sëpatë nga kunati i saj Albert Sylaj më 25 tetor në shtëpinë e saj në Vitomiricë.
Por ajo që e bën edhe më tronditës këtë rast është fakti se Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga institucionet përpara se të vritej. Vetëm tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, ajo kishte paraqitur një kërkesë për mbrojtje urgjente, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Vrasja e saj ka ngritur dyshime serioze për mënyrën se si institucionet e trajtuan rastin dhe nëse u ndërmorën masat e nevojshme për mbrojtjen e saj.
Pas ngjarjes, janë ndërmarrë veprime për shqyrtimin e përgjegjësisë së zyrtarëve që ishin përfshirë në trajtimin e rastit, përfshirë suspendime dhe verifikime institucionale.
Ndërkohë, vrasja e Arlindës ka nxitur protesta qytetare, ku është kërkuar drejtësi për të dhe përgjegjësi nga institucionet që kishin për detyrë ta mbronin.
Protestuesit tashmë kanë vendosur një tendë para objektit të Qeverisë të premten, në ditën e tretë të protestave pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
/Gazeta Infokus/

T� tjera
-
Protes*tat e Gjeneratës Z arrijnë edhe në Gjermani, janë planifikuar në 34 qytete
Mijëra njerëz në të gjithë Gjermaninë u bashkuan me protestat sot, ndërsa një...
-
ShSKUK suspendon drejtorin e Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berishën
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se do të proce...
-
Udhëto nga Suedia drejt Kosovës me PrishtinaTickets
Për udhëtimin tuaj të radhës mes Suedisë dhe Kosovës, kërkoni biletat në Pris...
-
Studentët largojnë deputetët e opozitës dhe hodhën molotovë e gurë drejt Ministrisë së Arsimit, nis marshimi drejt Kryeministrisë
Protesta e 19-të ka nisur e ndarë në dy fronte, studentët përpara Ministrisë ...
-
Dy të rinj nga Vushtrria kapen në Morinë, ishin dënuar nga Gjermania me nga 15 vjet burgim
Dy shtetas kosovarë nga Vushtrria janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës...
-
“Burrëria nuk dëshmohet përmes kontrollit mbi gruan” – Mesazhi i sociologut Sumiçi pas shifrave alarmante të dhunës në familje
Mbi 10 mijë raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë në më pak se ...
-
Përshkallëzohet situata në Rrugën e Durrësit, policia bën thirrje: Protestoni paqësisht, përndryshe do veprojmë
Situata është përshkallëzuar në Rrugën e Durrësit, ku protestuesit kanë përdo...
-
Tensionohet situata përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, protestuesit i vendosin flakën kazanëve të plehrave, ndizen edhe tymuese
Kanë nisur tensionet përpara Ministrisë së Arsimit. Protestuesit i kanë ve...
-
Tahiri: Me këtë qeveri, Kosova ta harrojë integrimin dhe anëtarësimin në BE
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverinë ...
-
Drejtori i Spitalit të Mitrovicës u arrestua nën dyshimin për dhunë në familje, reagon SHSKUK
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka reaguar pas ar...
-
Ndalohet për 48 orë drejtori i Spitalit të Mitrovicës, dyshohet për dhunë në familje
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berisha, është ndalua...
-
Kurti për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Duhet ndryshuar dhe korrigjuar sa më parë
Kryeministri Albin Kurti ka folur sërish për procesin zgjedhor dhe aktgjykimi...





























