Fokus

“Shteti pa uniforma për kadetët” – Reagon Kabashi – Ramaj: Është banale dhe tragjike sepse tregon që MPB-ja ka probleme serioze

Autori: Gazeta inFokus 15:26 | 29 October 2026

Ceremonia e gjeneratës së 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës e cila është parashikuar të ndodh nesër (e premte), rrezikon të dështojë, shkruan Gazeta Infokus.

Kjo për shkak se shteti ende nuk ka arritur t’i pajisë me uniformat zyrtare. Kështu kishte raportuar Gazeta Infokus më 26 tetor ku nxorri në pah problemet me furnizimin e institucioneve të sigurisë, pas ankesave të vazhdueshme të policëve dhe ushtarëve për mungesë të uniformave, çizmeve dhe pajisjeve të tjera bazike.

Lidhur me këtë çështje, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, në një prononcim për Gazetën Infokus ka reaguar ashpër, duke e cilësuar situatën si tragjike dhe dëshmi të dështimeve serioze në menaxhimin e sektorit të sigurisë.

-Advertisement-

“Nëse një ceremoni e diplomimit të kadetëve mund të dështojë për shkak të mungesës së uniformave, sa është vetëm banale, është edhe tragjike sepse tregon se në Ministrinë e Punëve të Brendshme, respektivisht në Policinë e Kosovës, ka probleme serioze të prokurimit dhe dështime të vazhdueshme të procesi të prokurimit”, ka deklaruar Kabashi-Ramaj për Gazetën Infokus.

Ajo ka kritikuar institucionet për mungesën e pajisjeve më elementare për pjesëtarët e Policisë, duke ngritur shqetësimin se një situatë e tillë vë në pikëpyetje edhe aftësinë për të përmbushur nevojat më komplekse të sektorit të sigurisë.

“Çfarë mund të presim nga një shtet dhe nga Policia e Kosovës nëse nuk jemi në gjendje t’ua as nevojat më bazike, t’ua plotësojmë si uniformat dhe veshmbathjet? Të mos flasim për pajisjet që u nevojiten për ta kryer punën, trajnimet për të i adresu çështjet e ndjeshme me të cilat merren e qa më pak mos të flasim për sigurimin shëndetësor, jetësor dhe pensionet dinjitoze kundër të cilit në fakt dy herë që e kemi propozuar amendamenteve për të i ofruar sigurime shëndetësorë dhe jetësore deputetët e Vetëvendosjes kanë votuar kundër, kështu që ky rasti i uniformave tregon që kemi të bëjmë me një problem shumë më të madh. Nëse policët e Policisë së Kosovës nuk kanë këmisha që 5 vjet gati nuk u është dhënë uniformë e re që është gjëja më bazike për me e kry punën e tyre, nuk kanë këpuca adekuate, çka mund të flasim për pajisje më të sofistikuara dhe taktike që u nevojiten për ta kryer punën”, është shprehur ajo.

Sipas deputetes së PDK-së, problemi me uniformat nuk është rast i izoluar, por pjesë e një vargu dështimesh që, sipas saj, kanë përcjellë institucionet e sigurisë gjatë viteve të fundit.

Kabashi-Ramaj ka përmendur edhe problemet me furnizimin me ushqim në institucionet e sigurisë, duke akuzuar Qeverinë se nuk e ka trajtuar me seriozitetin e duhur këtë sektor.

“Çfarë mund të flasim për trajnimet e dizajnuara për trajtimin e rasteve specifike dhe të ndjeshme me të cilat Policia e Republikës së Kosovës duhet të përballet? Ky nuk është një problem që ndodh vetëm në Polici. Të njëjtin problem e kemi edhe në Ushtri. Kemi pasur probleme edhe me ushqimin në Polici, që u shndërrua në skandal publik. Qeveria aktuale ka dështuar ta trajtojë me seriozitetin e duhur mbarë sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes dhe ka dështuar të dëshmojë se di ta menaxhojë atë. Në vazhdimësi e kemi përcjell edhe formën si kanë buxhetuar edhe formën si premtimet e kryeministrit mandej nuk kanë reflektuar në buxhetin shtetëror dhe unë gjithmonë e ngri këtë çështje për me ja bë të qartë qytetarëve e sa seriozisht e ka një kryeministër dhe një qeveri me i realizur premtimet a jo. Nëse ekziston një kryeministër në fjalim dhe respektivisht nuk gjinden në buxhetin shtetëror dmth që nuk ka të holla të dezignuara për ta zbatuar atë premtim ”, ka deklaruar deputetja.

Deputetja e PDK-së ka kërkuar që çështja e uniformave të trajtohet me urgjencë dhe të nisë një proces i auditimit të brendshëm për të identifikuar përgjegjësitë dhe arsyet e dështimeve në prokurim.

“Fillimisht do të rekomandoja që me urgjencë të adresohet çështja e uniformave dhe të krijohet një proces i auditimit të brendshëm, i cili do të japë rezultate konkrete lidhur me atë se çfarë ka shkuar gabim. Pse është e pamundur të realizohet një kontratë e tillë për një periudhë gati trevjeçare? Pse Policia e Kosovës nuk ka uniforma të reja për një periudhë gati pesëvjeçare? Këto janë probleme flagrante. Kosova ballafaqohet në kontekstin rajonal dhe global aktual ballafaqohet me kërcënime dhe rreziqe ndaj sigurisë kombëtare të vendit të llojllojshme dhe nëse kjo qeveri po dështon me ua plotësu kushtet më bazike atyre që shërbejnë në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, çka mund të pritet në lidhje me shërbimet e sofistikume dhe të rrezikshme që duhet të njëjtin të realizojnë për ta mbrojt shtetin dhe qytetarët”, ka theksuar ajo.

Kabashi-Ramaj ka shtuar se, në një kohë kur Kosova përballet me kërcënime dhe rreziqe të ndryshme ndaj sigurisë kombëtare, mungesa e pajisjeve bazike për policët dhe ushtarët përbën shqetësim serioz.

“Është një turp i madh për mbarë shtetin, pavarësisht se kush është në pushtet. Ne kemi paralajmëruar me vite se kjo Qeveri nuk e trajton seriozisht sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, e politizon vazhdimisht dhe e instrumentalizon për beteja politike por nuk bënë punë të mirëfilltë dhe kjo mundet me u dokumentu shumë lehtë. mjafton me i pa kritikat që i kemi ngrit në vazhdimësi, për projektligjet që kanë kaluar pa u trajtuar seriozisht ku pas kritikave që kemi bërë ne është kthy mandej prej zyrës së presidentes dhe nuk është proceduar tutje. ”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe një kadete e kësaj gjenerate ka rrëfyer për Gazetën Infokus se janë njoftuar për mundësinë e shtyrjes së ceremonisë, pikërisht për shkak të mungesës së uniformave.

“Të premten kemi pasur ta mbajmë ceremoninë e diplomimit, por tash po na thonë që ka gjasa të mos mbahet nëse nuk sigurohen uniformat deri nesër (e martë) ”, ka thënë një kadete. (Emër i njohur për redaksinë).

Bëhet fjalë për gjeneratën e 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës, trajnimi i së cilës ka filluar më 27 prill 2026 në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri. Sipas njoftimit zyrtar të Akademisë, pjesë e kësaj gjenerate janë gjithsej 395 kadetë.

Kjo situatë ka krijuar pasiguri te kadetët, të cilët pas muajsh trajnimi profesional pritet të përmbyllin këtë fazë të përgatitjes së tyre, por ende nuk e dinë nëse ceremonia e diplomimit do të zhvillohet sipas planifikimeve.

Gazeta Infokus i ka dërguar pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me këtë problem por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje. /Gazeta Infokus/

SKANDAL: Kadetët njoftohen se mund t’u dështojë ceremonia e diplomimit sepse shteti nuk ka uniforma për ta

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy