Fokus

Shteti nuk iu siguroi uniformat – shtyhet diplomimi i kadetëve të policisë së Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 19:52 | 29 October 2026

Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës, e cila ishte paraparë të mbahej nesër, më 30 tetor, është shtyrë për shkak të mos sigurimit të uniformave.

Burime të Gazetës Infokus bëjnë të ditur se kadetët janë njoftuar nga instruktorët e tyre se ceremonia e diplomimit nuk do të mbahet të premten, ashtu siç ishte planifikuar, por është shtyrë për datën 6 nëntor.

Shkak për këtë shtyrje, sipas burimeve të Infokusit, është bërë mungesa e uniformave zyrtare, me të cilat kadetët duhet të paraqiten gjatë ceremonisë së diplomimit.

-Advertisement-

Gazeta Infokus kishte raportuar ditë më parë se diplomimi i kësaj gjenerate ishte në pikëpyetje, pikërisht për shkak se uniformat ende nuk ishin siguruar.

“Të premten kemi pasur ta mbajmë ceremoninë e diplomimit, por tash po na thonë që ka gjasa të mos mbahet, sepse nuk po mund të sigurohen uniformat”, kishte deklaruar një kadete për Gazetën Infokus, e cila kishte kërkuar të mbetej anonime.

Tashmë, sipas burimeve të Infokusit, ajo që ishte paralajmëruar si mundësi është bërë realitet: ceremonia është shtyrë për një javë.

Kadetët e gjeneratës së 63-të, të cilët kanë përfunduar përgatitjet për diplomim, do të duhet të presin edhe një javë për ceremoninë zyrtare, për shkak të mungesës së uniformave.

Kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës përballet me probleme që lidhen me kushtet e punës dhe pajisjet e nevojshme për zyrtarët policorë. Çështja e uniformave dhe pajisjeve të tjera ka qenë edhe më parë në qendër të shqetësimeve, ndërsa rasti i fundit ngre sërish pikëpyetje për mënyrën se si institucionet përgjegjëse po i trajtojnë nevojat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Ende nuk dihet se përse uniformat nuk janë siguruar me kohë dhe nëse ato do të jenë në dispozicion deri më 6 nëntor, datë për të cilën, sipas burimeve, është shtyrë diplomimi. Gazeta Infokus i ka dërguar pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me mungesën e uniformave dhe rrezikun e shtyrjes së ceremonisë së diplomimit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy