Lajme

Skandaloze: Titujt e raporteve të ministrisë së Sveçlës dhe Gërvallës nuk i referohen si vrasje rastit të Arlindës

Autori: Gazeta inFokus 20:10 | 29 October 2026

Edhe pas vrasjes brutale të Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet vetëm pak ditë para se t’i merrej jeta, mënyra se si institucionet shtetërore e kanë titulluar rastin e saj në raportet zyrtare ngre shqetësime serioze.

Veçanërisht shqetësues është titulli i raportit të hartuar nga Zyra e Koordinatores Nacionale për Mbrojtje të Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës me Bazë Gjinore dhe njherësh ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Faqja e parë e raportit flet vetëm për rast të dhunës në familje kur në realitet një grua është vrarë mizorisht me sëpatë nga kunati i saj.

“Raport për rastin e Dhunës në Familje të Arlinda Zekaj”, është titulli që mban dokumenti zyrtar i datës 29 tetor 2026, raport ky që iu dorëzua zyrës së kryeministrit.

-Advertisement-

Pra, një grua që u vra me sëpatë, pasi kishte paralajmëruar institucionet se jeta e saj ishte në rrezik, në titullin e raportit të Ministrisë së Drejtësisë trajtohet vetëm si rast i dhunës në familje.

Në titull nuk përmendet askund fjala “vrasje”, ndonëse pikërisht vrasja e saj dhe dështimi i mundshëm i institucioneve për ta parandaluar atë janë në qendër të kërkesave për përgjegjësi.

As raporti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i datës 29 tetor, nuk e përmend vrasjen në titull.

“Raport përmbledhës mbi veprimet dhe gjetjet rreth rastit të Arlinda Zekaj Sylaj”, është titulluar dokumenti i kësaj ministrie.

Të dy raportet janë përgatitur pas vrasjes së Arlindës dhe në kohën kur qytetarët po protestojnë në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet që kishin për detyrë ta mbronin.

Megjithatë, në asnjërin prej titujve të dokumenteve zyrtare nuk përmendet shprehimisht se Arlinda Zekaj është vrarë.

Më shqetësues mbetet formulimi i Ministrisë së Drejtësisë, e cila, edhe pas përfundimit tragjik të rastit, ka zgjedhur ta titulloje raportin si një rast të dhunës në familje.

Ndonëse dhuna në familje është pjesë e historisë së rastit, vrasja e Arlindës është fakti tragjik që ka nxitur kërkesat për hetimin e veprimeve dhe mosveprimeve institucionale.

Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje urgjente nga shteti, duke paralajmëruar rrezikun për jetën e saj. Vetëm pak ditë më vonë, ajo u vra./ Gazeta Infokus

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy