Ku ka mbetur projektligji për pagën minimale?
Autori: Gazeta inFokus 16:35 | 19 December 2022
Projektligji që do t’i hapte rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë, ka mbetur aty ku ka qenë në qershor: i miratuar në lexim të parë.
Për të hyrë në fuqi, ai duhet të kalojë edhe leximin e dytë dhe të tretë në Kuvendin e Kosovës dhe të nënshkruhet nga presidentja e vendit.
Sipas rregullores së Kuvendit, pas miratimit në lexim të parë, projektligji duhet të procedohet në lexim të dytë brenda dy-tre muajsh, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Për arsyet, REL ka pyetur Kuvendin e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.
Interesimit të REL-it nuk i është përgjigjur as Armend Muja, kryetar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, të cilin rregullorja e Kuvendit e ngarkon me shqyrtimin e mëtejmë të Projektligjit për pagën minimale.
Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro.
Kjo vlerë, e pandryshuar qysh në vitin 2011, është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.
Projektligji i ri parasheh që ajo të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.
“Ka kaluar çdo afat”
Ferat Shala, anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, thotë se, pas miratimit të projektligjit në lexim të parë, nuk është bërë asnjë hap tjetër.
“Ende nuk e kemi në lexim të dytë. Tashmë ka kaluar çdo afat i mundshëm optimal”, thotë Shala, deputet i opozitës në Kuvendin e Kosovës.
Ai kujton se projektligji në fjalë ka shkaktuar pakënaqësi qysh në fillim dhe thotë se kjo mund të jetë arsyeja përse Qeveria “e zhargit”.
“Qeveria, siç duket, është ende e paqartë për hapat e vet institucionalë dhe [projektligjin] nuk e kemi ende në lexim të dytë”, thotë Shala.
Projektligji është kundërshtuar nga disa parti opozitare, të cilat kanë kërkuar që paga minimale neto të rritet në 370 euro.
Projektligji, po ashtu, nuk parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve të luftës ashtu siç është aktualisht.
Në rast se miratohet ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë prej 170 eurosh. Për këtë arsye, veteranët kanë protestuar disa herë.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, thonë se nuk ka ndonjë mekanizëm kontrollues, që do t’i obligonte komisionet t’i respektojnë afatet kohore për shqyrtimin e projektligjeve.
“Neglizhencë e papranueshme”
Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të publikuar në muajin prill, janë mbi 100 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale.
Mbi 94 për qind e tyre janë të punësuar në sektorin privat, kryesisht në tregti me shumicë dhe pakicë, në industri përpunuese, në gastronomi, në aktivitete financiare dhe të sigurimit, në ndërtimtari e të tjera.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se punëtorët në këtë sektor mbesin të harruar nga shteti.
“Është e papranueshme neglizhenca që po i bëhet këtij projektligji. Punëtorët e sektorit privat vazhdojnë të marrin pagën minimale më të ulëtën në rajon e më gjerë”, thotë Azemi.
Në Kosovë, punëdhënësi më i madh është sektori privat, me më shumë se 220 mijë të punësuar. Paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 380 euro.
Në sektorin publik, ndërkaq, janë të punësuar mbi 80 mijë persona, me pagë mesatare bruto rreth 620 euro.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në vend, vitin e kaluar, është sjellë mes 20.5 për qind dhe 25.8 për qind.
Norma e inflacionit, sipas ASK-së, ka arritur në 11.6 për qind në muajin nëntor.
Viteve të fundit, Kosova është duke u përballur edhe me mungesë punëtorësh të profileve të ndryshme.
Interesimi i qytetarëve për të punuar, sidomos në sektorin privat, ka rënë për disa arsye. Sipas Inspektoratit të Punës, ato lidhen me pagën e ulët, mungesën e kontratës, punën në fundjavë, mospagesën e orëve shtesë e të tjera.
Të tjera
-
LDK nuk i shkon kryeministrit Albin Kurti në darkë
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ia ka kthyer letrën kryeminsitrit Albin K...
-
Prince Caffe hyn në tregun e Belgjikës
Prince Caffe ka filluar shtrirjen në tregun e Belgjikës, duke u bashkuar me d...
-
Presidentja Vjosa Osmani pozon si “sherife” në Texas
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, prej disa ditësh është duke qëndruar në ...
-
Loja s’ka nisur akoma, Ali Ahmeti publikon “Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare”
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti publikoi “Dekla...
-
Xhamia e shkatërruar në luftën e Bosnjës ngrihet nga rrënojat
Për gati 400 vjet, një xhami osmane e shekullit të 16-të ishte në Banjallukë,...
-
Arrestohet një serb për vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës
Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka arrestuar një person me inicialet S.M.,...
-
Temat e mëdha e kthejnë Kurtin tek opozita, darka e 13 majit si lutje për votë në Kuvend?
Tema e anëtarësimit në Këshill të Evropës dhe votimi i Kodit Civil janë dy çë...
-
Nisin takimet VMRO – VLEN, për qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut
Kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski është takuar me liderët e koalicion...
-
Memli Krasniqi i thotë “PO” ftesës së Kurtit për takim, LDK e AAK ende nuk kanë vendosur
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, do t’i përgjigjet ftesës për një takim pun...
-
Abdixhiku takon kompozitorin Boshnjaku: Idetë e tij do t’i përfshijmë në “Rruga e Re”
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka takuar kompozitorin Florent Boshnjakun...
-
Policia e Kosovës i shqiptoi mbi 2 mijë e 100 gjoba në trafik për 24 orë
Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 2140 gjoba në trafik. ...
-
A do të shkojnë në darkën e punës të thirrur nga Kurti, flasin nga PDK
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar në një darkë pune liderët e t...