Lajme

Temat e mëdha e kthejnë Kurtin tek opozita, darka e 13 majit si lutje për votë në Kuvend?

Autori: Gazeta inFokus 15:58 | 11 May 2024

Tema e anëtarësimit në Këshill të Evropës dhe votimi i Kodit Civil janë dy çështjet e ndërlikuara që kryeministri Albin Kurti ka para vetes. Për këtë të dytën, shefit të Qeverisë po i duhen edhe votat e partive opozitare, meqë deputetë të tij s’kanë ndërmend të japin votën pro për shkak të çështjes së martesave mes gjinive të njëjta.

Përgjatë qëndrimit në Gjermani në fund të muajit prill, Kurti kishte premtuar se personalisht do të angazhohej për të krijuar shumicën në Kuvendin e Kosovës.

“Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, ka deklaruar Kurti më 26 prill nga një ngjarje e organizuar nga SPD-ja gjermane.

-Advertisement-

Për këtë premtim të dhënë në fundin e muajit prill, Kurti duket se tashmë ka filluar përpjekjet konkrete për ta jetësuar. Kreu i ekzekutivit ua ka çuar një ftesë zyrtare partive opozitare për një darkë që do të organizohet të hënën më 13 maj.

 

Në letrën që Kurti ua ka drejtuar shefave të grupeve parlamentare të partive, thuhet se në këtë takim do të diskutohet për përmbushjen e agjendës së mbetur legjislative dhe ka shtuar se pret përgjigje pozitive.

 

Partia Demokratike e Kosovës ndonëse kishte marrë vendim në struktura të partisë për të mos i votuar asgjë pushtetit, ka treguar se kanë marrë vendim që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kryeministrit Kurti.

Zëdhënësi i PDK-së ka treguar se Krasniqi në këtë takim do të hapë edhe temën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe se pjesëmarrja e Kransiqit në këtë takim do të jetë në funksion të diskutimit për caktim të datës së zgjedhjeve të reja.

Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka deklaruar zëdhënësi i LDK-së, Faton Abdullahu.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani ka reaguar vetëm deputeti Avdullah Hoti. Ish-kryeministri ka thënë se Kurti po kërkon koordinim me partitë opozitare, derisa shton se sjellja e tij si kryeministër bashkë me grupin e deputetëve VV-GUXO e kanë cenuar demokracinë parlamentare në Kosovë.

Hoti ka thënë se Kuvendi i Kosovës ka funksionuar më mirë edhe në kohën kur ishte gjuajtur gaz lotsjellës.

Edhe kur është hedhur gaz lotsjellës, Kuvendi ka funksionuar më mirë, ka qenë më transparent e më efikas dhe ka marrë vendime kushtetuese e ligjore”, ka shkruar Hoti në reagim.

Kjo darkë do të mbahet në Prishtinë katër ditë para mbledhjes së Komitetit të Minsitrave të Këshillit të Evropës dhe nuk dihet nëse Kurti do ta hapë si temë edhe me liderët e partive opozitare. Shtetet e QUINT-it por edhe të tjera brenda BE-së janë duke kërkuar që Kosova të bëjë progres me themelimin e Asociacionit, kusht të cilin Kurti ka thënë se s’e pranon.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera