Lajme

ZPS thotë se duhet të refuzohen ankesat e Gucatit e Haradinajt dhe kërkon konfirmimin e dënimit

Autori: Gazeta inFokus 14:01 | 06 October 2022

Në dosjen prej 68 faqesh të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ku kjo e fundit ka paraqitur argumentet e saj në lidhje me ankesat e mbrojtjes së Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, thuhet se këto ankesa duhet të refuzohen dhe kërkohet konfirmimi i dënimit të shpallur nga trupi gjykues në shkallë të parë.

Sipas ZPS-së, paneli i Apelit duhet të hedhë poshtë çdo bazë në apelin e Hysni Gucatit dhe atë të Nasim Haradinajt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë hyrje të kësaj dosje thuhet se Gucati dhe Haradinaj janë shpallur fajtorë për pesë pika për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, kanosje gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Po ashtu, thuhet se ata u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim dhe një gjobë prej nga 100 euro për këto vepra të rënda që rezultuan, ndër të tjera, në zbulimin e emrave dhe/ose detajeve të qindra dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm.

-Advertisement-

Sipas prokurorisë, gjatë gjykimit, mbrojtja përdori çdo justifikim të imagjinueshëm në një përpjekje për të justifikuar sjelljen e ankuesve, e cila u kap në kasetë për ta parë të gjithë.

“Ajo që bënë ankuesit nuk është në diskutim, vetëm nëse sjellja e tyre ishte e paligjshme në dritën e arsyetimeve dhe justifikimeve të pretenduara ankuesve iu dha një gjykim i drejtë dhe iu dha një mundësi e plotë për të testuar dhe kundërshtuar provat e paraqitura kundër tyre. Trupi Gjykues vendosi në tërësi akuzat kundër ankuesve, duke vlerësuar mbrojtjen dhe pretendimet e tyre për gjykim të drejtë, duke nxjerrë vendime të arsyetuara dhe duke dhënë lehtësime aty ku ishte e nevojshme. Aktgjykimi është i detajuar, i arsyetuar dhe i bazuar në prova të kredibile dhe të besueshme”, thuhet tutje.

Prokuroria ka pretenduar se nuk janë identifikuar gabime të dukshme përpara vendimit dhe se të gjitha bazat në lidhje me mbrojtjen janë pa meritë. Sipas tyre, dënimi i përcaktuar ishte një ushtrim i duhur i diskrecionit.

Sipas organit të ndjekjes, dënimi pasqyron në mënyrë adekuate peshën e krimeve për të cilat ankuesit janë dënuar.

ZPS ka thënë se ankuesit nuk arrijnë të vërtetojnë ndonjë gabim në dënimin e shqiptuar dhe se ankesat e tyre duhet të refuzohen dhe dënimi të konfirmohet.

Ndryshe, më 18 maj 2022 është shpallur aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera