Opinione

TRI ARSYE PSE SË PARI DUHET TË FORMOHET QEVERIA, PASTAJ TË VOTOHET PËR PRESIDENTIN

Autori: Agron Halitaj 20:51 | 15 March 2021

Qëkur kanë përfunduar zgjedhjet e 14 shkurtit, është hapur mëdyshja nëse pas konstituimit të Legjislaturës së tetë të Kuvendit, së pari duhet të krijohet Qeveria, apo duhet votuar për zgjedhjen e presidentit.

Është fakt se Kushtetuta nuk ka qartësi lidhur me procedurën që duhet ndjekur në raste të tilla, megjithatë ekzistojnë tri arsye përse së pari duhet të formohet Qeveria, e më pas të votohet për presidentin.

E para:

-Advertisement-

Zgjedhjet e 14 shkurtit nuk janë organizuar pse vendi është pa president të zgjedhur, por për shkak të rënies së Qeverisë, e cila erdhi si rrjedhojë e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u konstatua se zgjedhja e ekzekutivit të udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte bërë në mënyrë jokushtetuese. Mbi bazën e këtij aktgjykimi, ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, më 6 janar nxori dekretin për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë dhe e shpalli datën e zgjedhjeve të parakohshme. Votuesit iu drejtuan kutive të votimit, thjesht për t’i zgjedhur përfaqësuesit e një Kuvendi të ri, përkatësisht drejtuesit e një qeveri të re. Pas përfundimit të këtij procesi, nuk ka sens të pretendohet që zgjedhja e presidentit të futet në procedurë fill pas konstituimit të Legjislaturës së tetë, duke e lënë votimin e Qeverisë së re, si të fundit. Partitë parlamentare e kanë për obligim që ta jetësojnë vullnetin e qytetarëve duke e përmbyllur fillimisht procesin e konstituimit të Kuvendit dhe të Qeverisë së re, e më pas t’i ndërmarrin hapat e tjerë, në përputhje me përgjegjësitë që i kanë.

E dyta:

Zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet pasi të jenë plotësuar disa parakushte në Kuvendin e ri. Një prej kushteve është krijimi i Komisioneve Parlamentare, e që për rastin konkret, duhet që Komisioni për Legjislacion të jetë funksional. Përgjegjësi e këtij komisioni është që të verifikojë nëse kandidatët për president, (pasi duhet të jenë së paku dy kandidatë që duhet t’i nënshtrohen vullnetit të deputetëve), i plotësojnë kriteret për të qenë kryetar shteti. Kur është zgjedhur Atifete Jahjaga ka qenë nënkomisioni për mandate dhe imunitete ai që e ka bërë verifikimin e kritereve, ndërsa në rastin e Hashim Thaçit, këtë punë e ka kryer Komisioni për Legjislacion. Çështja është se komisionet parlamentare nuk mund të krijohen pa u zgjedhur Qeveria. Së pari duhet të dihen ministritë, pastaj të caktohen Komisionet Parlamentare si mbikëqyrëse të sektorëve përkatës.

E treta:

Nëse anashkalohen dy arsyet e para dhe zgjedhja e presidentit futet në procedurë para se të jetë formuar Qeveria e re, atëherë Kosova futet në një proces të komplikuar si asnjëherë më parë. Pyetja kryesore që shtrohet në këtë rast është: Çka nëse dështon zgjedhja e presidentit dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh? A mund të mbetet në detyrë Qeveria Hoti e votuar nga legjislatura e shkuar dhe e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe të dhunohet vullneti i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt? Përgjigjja duhet të jetë – Jo! Prandaj, krijimi i institucioneve të reja duhet shkuar sipas renditjes: Kuvendi-Qeveria-Presidenti. Ushtruesja e detyrës së presidentit qysh tani mund t’ia japë mandatin për formimin e Qeverisë së re kandidatit që partia fituese e nominon zyrtarisht për kryeministër. Ajo nuk ka pasur asnjë pengesë t’i niste procedurat për zgjedhjen e presidentit fill pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, por nuk e ka bërë këtë. Procedurat nuk janë të komplikuara. “Interpretimet juridike” sipas interesave politike, janë ato që i bëjnë gjërat më të vështira.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera