Opinione

Te dashur mjek, të dashur pacientë!

Autori: Shqipe Pantina 16:06 | 15 January 2020

Si për çdo sektor tjetër të shoqërisë, arsim, sistem drejtësisë, politikë, edhe për sektorin e shëndetësisë kritikat e gishti i fajit drejtohet pa kursim. Mantelbardhët (siç i quajmë mjekët dhe infermierët shpeshherë) janë cak i akuzave të shumë njerëzve që ua kanë nevojën, por se në fund sërish jua besojmë shëndetin e besa edhe jetën tonë, sepse as zgjidhje tjetër nuk kemi. Në mesin e mjekëve dhe infermierëve me siguri se ka të atillë që i meritojnë të gjitha akuzat që ju drejtohen, por a janë më të shumtë ata që meritojnë falënderimet tona? Pa dyshim se po!

Është më se e qartë se diçka nuk po funksionon në sistemin e shëndetësisë, ashtu si edhe në pothuaj secilin sektor të shoqërisë. Por, kur drejtojmë gishtin në drejtim të fajtorit vet ne, në anën tjetër të pasqyrës.

Këto ditë kam pasur fatin të pranoj shërbimet e disa prej qendrave shëndetësore, si të sektorit privat po ashtu edhe atij publik, e besa edhe disave jashtë vendit, prandaj dua të ndaj një pjesë të kësaj përvoje me ju.

-Advertisement-

Kosova, për fatin e mirë, ka mjekë jashtëzakonisht të përgatitur profesionalisht, të cilët janë pjesë e sektorit shëndetësor publik. Diagnoza a tyre ishte po e njëjta që kishin dhënë edhe mjekët e spitaleve private në vend, por edhe jashtë. Përderisa shërbimet që ofrojnë ata ne i marrim falas (ose kundrejt pagesave simbolike) të njëjtat në klinikat private, jo vetëm jashtë, por edhe brenda vendit, kushtojnë një dreq e gjysmë. Ndërsa, cilësia e këtyre shërbimeve profesionale mund të jetë më e lartë, por assesi më e dobët se e klinikave private.

Kujdesi dhe sjellja ndaj pacientëve është profesionale dhe në përputhje me nevojën që ka pacienti. Shumë pacientë mendojnë se neglizhohen dhe nuk ju ofrohet shërbimi i duhur, por mendoj se deklarimet e tilla janë të ekzagjeruara dhe të pabaza. Prej asaj se çfarë kam parë dhe kam përjetuar unë, sjellja si e mjekëve edhe e infermierëve ka qenë jashtëzakonisht profesionale me secilin pacientë, edhe atëherë kur pacientët kanë qenë të padisiplinuar dhe, dorën në zemër, në disa raste edhe të mërzitshëm.

Por, pse ne jemi të prirë të besojmë se në klinikat private apo jashtë vendit shërbimet janë me të mira? A kemi arsye të besojmë kështu? Cilat janë të metat e sistemit tonë shëndetësor?

Unë nuk pretendoj se i njoh problemet në sistemin shëndetësor në Kosovë, por (siç e thash edhe më lartë) po e ndaj vetëm përvojën time, çfarë duhet ndryshuar:

Menaxhimi mbetet problemi kryesor dhe jo vetëm në shëndetësi. Në disa prej klinikave numri i mjekëve specialistë ishte i vogël, ndërsa numri i pacientëve që kërkonin shërbime shumë i madh, përderisa, në anën tjetër, ka disa klinika që kishin më shumë specialistë sesa pacientë që kanë nevojë për ta.

Furnizimi dhe pajisjeËshtë mëkat i madh që për shërbimet që mjekët tanë mund t’i ofrojnë, ne jemi të detyruar të paguajmë mijëra euro në klinika private ose jashtë vendit, sepse mungon aparatura apo pajisjet e mjetet tjera të nevojshme. P.sh. ndonëse ka numër të mjaftueshëm e ndoshta edhe tepër të specialistëve për analiza laboratorike, pacientët janë të detyruar për një numër prej tyre të paguajnë nëpër laboratorë private, ngase mungon aparatura apo materiali tjetër. Apo për disa lloje të shërbimeve (operacioneve) duhet të pritet deri neë tri vite ( në ortopedi për shembull) dhe kjo vetëm si pasojë e menaxhimit jo të duhur, qoftë me resurse njerëzore, qoftë furnizimi me materiale shëndetësore.

Komunikimi– Të dashur mjekë, e dimë se gjuha mjekësore është e mbushur me terma kryesisht latinë dhe kjo është gjuhë në të cilën ju komunikoni mes vete, por pacientëve kjo gjuhë ua shton frikën. Prandaj, ju lutem me ne si pacientë flisni shqip kur na tregoni se nga se vuajmë dhe çfarë duhet bërë tutje. Kuptoj se ka terma që nuk përkthehen në shqip, por besoj se për shumicën e tyre kemi fjalë shqipe që i kupton secili pa marrë parasysh nivelin e shkollimit. P.sh. nëse e pyesni një pacient a ke hemorragji nuk e kupton, por po e pyetet e keni gjakderdhje është më e lehtë! Nuk po flas për rastet e sëmundjeve të rënda kur komunikimi është edhe më i vështirë, e ndoshta prania e psikologut është më se e domosdoshme. Në raste të tilla reagimi i pacientëve apo i familjarëve edhe mund të jetë joracional edhe ndaj jush ndonëse ju nuk jeni fajtorë.

Të dashura infermiere, roli juaj në sistemin shëndetësor është po aq i rëndësishëm sa edhe i mjekut. Ju bëni një punë të shkëlqyeshme, unë këtë e kam parë vet, e sidomos te sallat e kujdesit intensiv. Ndonëse askujt nuk i dëshiroj të ketë fatin të shoh sa të përkushtuar janë secili infermier apo teknik që punon në sallën e kujdesit intensiv, do doja ta dinin se sa me kujdes e dashuri e trajtoni secilin pacientë që kalon nëpër atë sallë. Unë ju jam mirënjohëse pafundësisht, ndonëse asnjërës prej jush nuk jua di emrat dhe nuk jua mbaj mend fytyrat, por, në sytë e mi, ju jeni engjëjt në tokë.

Por, për fat të keq shumë njerëz nuk e kanë mendimin e njëjtë për infermiere. Kjo kryesisht për shkak komunikimit. Si për dreq sa herë që ju uleni të pini një kafe me kolege, një pacient ka nevoje për ju. Mënyra se si ju silleni në atë moment, kënd e leni të prisni pacientin apo kafenë, e përcakton përshtypjen që krijohet për krejt punën tuaj. Për mendimin tim, kafja çdoherë mund të presë, sidoqoftë ju e dini! Ju po ashtu nganjëherë ndoshta pa dashje na i tregoni edhe problemet që ju keni me kolege, shoqe, me vjehrrën apo me burrin. Muhabetin me kolegen, derisa jeni duke ja bërë gjilpërën pacientit pa dashje e dëgjon edhe ajo ose ai. Ju këtë punë e bëni çdo ditë, por kur pacientin ju sheh tek i afroheni me gjilpërë në dorë, e në anën tjetër flisni me kolegen, e bënë të dyshojë se ju nuk e keni mendjen tek ai/ajo por tek “turshitë që diçka nuk ishin bo të mira sivjet” . Aty ai/ajo i frikohet gjilpërës që keni në dorë, por sapo del nga dera ka mundësi që shkrep një arsenal fjalësh të pakëndshme drejt jush.

Por a janë vetëm mjeket fajtorë për pakënaqësitë ne kemi me ta në veçanti e sistemin shëndetësor në përgjithësi, Jo. A kanë pacientët faj në këtë mes, padyshim se po.

Te dashur pacientë,

Spitali nuk është hotel me pesë yje dhe ju nuk jeni aty për pushime, prandaj ankesat leni në shtëpi dhe filloni të silleni sipas udhëzimeve të personelit mjekësor. Ju i jeni drejtuar mjekut se keni nevojë për të, prandaj duhet t’i dëgjoni dhe respektoni këshillat/urdhrat e tij/saj. Në spital nuk shkohet nga qejfi, është e kuptueshme se keni dhimbje, dhe mos harroni se dhimbjet me të cilat po përballeni ju tani, mjekët dhe infermierët përballen çdo orë, çdo ditë e çdo javë, prandaj në vend se vetëm të ankoheni e të bërtisni e shani, është mirë t’ju buzëqeshni e t’ju thoni Faleminderit.

Të dashur mantelbardhë, JU FALEMINDERIT!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera