Opinione

Shqiptarët dhe hebrenjtë e një bashkëpunimi strategjik

Autori: Gazeta inFokus 10:11 | 06 March 2021

Shkruan: Agron HOTI

Se a ka vëllazëri fetare apo jo në botë mjafton të shohim si në vijim: Shqipëria e Kosova trekonfesionale, por me shumicë muslimane, bëhen shtete me ndihmën e SHBA-së e BE-së (të dyjat të krishtera), luftërat mesjetare mes shteteve të krishtera ishin shkatërrimtare ashtu siç ishin shkatërrimtare e aspak vëllazërore ato mes botës muslimane; edhe luftërat mes lindjes dhe perëndimit ishin për interesa të pastra ekonomike; luftërat mes gjermanëve dhe francezëve si dhe mes francezëve e anglezëve (të gjithë të krishterë) ishin shkatërrimtare dhe aspak vëllazërore; Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore u bënë kryesisht mes shteteve të krishtera ku vetëm vëllazëri fetare s’kishte; Rusia e krishterë sulmon Ukrainën e Gjeorgjinë e krishterë gjersa ka raporte të mira me vende arabe muslimane derisa lufton Çeçeninë muslimane brenda territorit rus; Serbia e krishterë bashkëpunon ngushtë me vendet muslimane jashtë Evropës gjersa brenda Evropës lufton kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve trekonfesionalë (por me shumicë muslimane); Serbia e krishterë lufton kundër të krishterëve (bullgarëve, sllovenëve e kroatëve).

Turqia (muslimane sunite) është në rivalitet me Iranin (musliman shiit), ndërkohë që mbështet Azerbajxhanin (musliman shiit). Hebrenjtë e Azerbajxhanit mbështesin Azerbajxhanin në luftën kundër Armenisë në Nagorno Karabah, kurse Turqia me Izraelin kanë raporte shumë të mira me Azerbajxhanin, ndërkohë që mes vete kanë raporte tensioni. Irani musliman mbështet Armeninë e krishterë ashtu siç Arabia Saudite e Emiratet e Bashkuara Arabe mbështesin Armeninë e krishterë e janë kundër Azerbajxhanit musliman, ndërkohë që Armenia e krishterë urren hebrenjtë, urren Turqinë muslimane, gjersa ka raporte shumë të mira me Iranin, Arabinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ashtu siç ishte rivaliteti i madh mes shteteve evropiane të krishtera që solli luftëra të tmerrshme, ashtu siç ishte dhe ende është rivaliteti mes vendeve të Azisë Lindore e Juglindore që solli edhe luftëra të tmerrshme, po i njëjti rivalitet ka ekzistuar dhe sot është intensifikuar mes shteteve muslimane në Lindje të Mesme të cilat shpesh kanë përfunduar në luftëra të tmerrshme. Kësi diskrepancash brenda për brenda llojit dhe mes llojeve ka pafund në botë. Prandaj, një shqiptar, para se të rreshtohet krah vëllazërive fetare, nëse ato ekzistojnë, duhet të ketë parasysh absurdet e mësipërme, që bindin në mënyrë të përsosur se bota kurrë s’ka pasur, s’ka dhe me gjasë kurrë s’do të ketë vëllazëri fetare. Këta dy paragrafë të lartëpërmendur do të shërbejnë si hyrje e shkrimit për nevojën e një bashkëpunim strategjik mes shqiptarëve dhe hebrenjve.

-Advertisement-

Evropa dhe Azia janë dy kontinente, të cilat përgjatë tërë trajektores historike jo rrallë i kanë mësyrë njëra tjetrës me pushtime, shkatërrime dhe pse jo edhe shkëmbime vlerash materiale e shpirtërore. Nëse në njërën anë grekët kishin arritur të depërtonin deri në Indi e romakët në Arabi, në anën tjetër mongolët kishin arritur të depërtonin deri në Poloni, arabët deri në Francë, kurse osmanët deri në Vjenë. Të gjitha këto lëvizje të mëdha të popujve e parandorive kanë lënë gjurmët e veta, ku më shumë e më pak. Në të kaluarën Evropa shihej si vendi ku perëndonte dielli (Oksidenti) dhe Azia (minus Rusia) vendi ku lindte dielli (Orienti).

Më konkretisht, deri në shekullin 20, Oksidenti apo Perëndimi kishte mësyrë tri herë (grekët, romakët, kryqëzatat) Orientin apo lindjen, ndërsa Orienti kishte mësyrë po ashtu tri herë (mongolët, arabët, osmanët) Oksidentin. Pavarësisht të kaluarës tejet komplekse dhe jo rrallë armiqësore, fundi i shekullit 20 dhe fillimi i shekullit 21 si asnjëherë më parë në histori të njerëzimit i gjeti aq shumë të ndërthurura mes vete Oksidentin dhe Orientin, saqë sot është vështirë, nëse e pamundshme, të bëhet prerje e qartë dalluese mes dy anëve. Mjafton të analizohet bashkëpunimi politik e ekonomik mes Orientit dhe Oksidentit për ta kuptuar prirjen për rritje të ndërvarësisë dhe ulje të ngadalshme të dallimeve.

Nëse Oksidenti dhe Orienti kishin shkëmbyer mes vete materializmin, shpirtërorja e Oksidentit rrodhi nga Orienti. Nëse judaizmi, krishterimi dhe islami kishin lindur dhe ishin bërë vlerë shpirtërore në një pjesë të Orientit, në të njëjtën kohë ato kishin arritur të bëheshin vlerë shpirtërore edhe në pothuaj tërë Oksidentin. Ka mbi dymijë vite që ky shkëmbim vlerash materiale dhe shpirtërore mes Oksidentit dhe Orientit është parë shumë më shumë si divergjencë dhe luftë për protagonizëm global se sa konvergjencë në diversitet. E kur perandoritë e ndryshme shtriheshin nga Orienti në Oksident ose anasjelltas, kjo sigurisht që prekte popuj të ndryshëm në masë afërsisht të njëjtë duke lënë e shlyer gjurmë ku më shumë e ku më pak, bile në të gjitha zhvillimet si politike, socio-ekonomike, kulturore dhe pse jo shpirtërore.

Hebrenjtë (në Orient) dhe shqiptarët (në Oksident) kanë qenë të pushtuar nga Perandoria Osmane për mbi katër respektivisht pesë shekuj, perandori kjo që shtrihej nga Orienti deri në Oksident. Para osmanëve, shqiptarët ishin nën Perandorinë e Bizantit, ndërkohë që hebrenjtë nën Perandorinë Arabe. Më parë, shqiptarët dhe hebrenjtë kishin qenë nën Perandorinë Romake dhe greke. Nëse territoret shqiptare ishin dhe janë edhe sot urë lidhëse mes Evropës përmes Ballkanit drejt Lindjes së Mesme (pra Azisë), territoret hebreje shtriheshin atëherë dhe sot në nyjën kryesore dalëse të Mesdheut lindor.
Mbajtja nën kontroll e pozicioneve kyçe gjeografike në glob ka qenë dhe do të mbetet interes jetik për fuqitë e mëdha. Nuk është e rastësishme që në cepin më perëndimor të Mesdheut, apo pikërisht në portën hyrëse të tij, gjendet Gjibraltari nën qeverisjen dhe marinën e fuqishme britanike, gjersa në cepin më lindor të Mesdheut gjendet Izraeli me armë bërthamore, pastaj Turqia në veri të Mesdheut me baza ushtarake amerikane, Greqia me armatë të fuqishme, Franca me armë bërthamore, baza e NATO-s në Aviano të Italisë, etj.

Ky është “bunkerizimi” i Mesdheut nga SHBA, Britania e Madhe dhe NATO, që daton që pas Luftës së Dytë Botërore në mënyrë që Bashkimi Sovjetik i atëhershëm, dhe Rusia e sotme të mos kishin dhe as sot të mos kenë asnjë mundësi daljeje ushtarake në ujëra të nxehta të Mesdheut. Ishte pikërisht ky “bunkerizim” i Mesdheut që nuk lejonte përhapjen e fuqisë komuniste në Evropën Jugore (Spanjë, Portugali, Itali, Greqi), Afrikën Veriore dhe Lindjen e Afërt, përfshirë Turqinë.

Rëndësia e shqiptarëve dhe hebrenjve në hartën globale ishte përafërsisht e njëjtë, edhe pse në dy lokacione të ndryshme gjeografike. Ashtu siç trojet shqiptare ishin trampolinë pushtimesh pafund kryesisht edhe për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik, njëjtë kishte ndodhur edhe me trojet hebreje. Ashtu siç trojet hebreje vazhdimisht u tkurrën, njëjtë kishte ndodhur edhe me ato shqiptare. Ashtu siç janë popull autokton hebrenjtë në Orient, njëjtë janë shqiptarët në Oksident. Ashtu siç pushtues të shumtë dhe fqinj vazhdimisht synonin shfarosjen dhe zhdukjen e hebrenjve, njëjtë synohej edhe me popullin shqiptar. Nëse vazhdimisht është tentuar përvetësimi i historisë hebreje, e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me përvetësimin e historisë së lashtë të popullit shqiptar sidomos nga grekët dhe romakët. Edhe gjatë pushtimit osman, ashtu sikurse gjatë pushtimeve të mëhershme, harta botërore nuk njihte as shqiptarë e as hebrenj. Thjesht nuk ekzistonim në letër, gjersa në terren po.
Shqiptarët dhe hebrenjtë janë dy popujt në dy kontinente të ndryshme që kurrë nuk kanë pushtuar as fqinj e as vende më të largëta. Dhe nëse ka ndonjë vlerë unikale në botë, e cila përpos që i përbashkon shqiptarët dhe hebrenjtë dhe i bën të veçantë, ajo është padyshim mungesa e shpirtit pushtues të të dy popujve. Eshtë pikërisht kjo vlerë unikale që ka tunduar dhe tundon edhe sot fqinjët tanë (dhe jo vetëm), të cilët kanë bërë projeksione për zhdukje nga faqja e dheut të këtyre dy popujve.

Shteti hebre shtrihet mes dy hapësirave ish perandorake, Turqisë së sotme dhe Vendeve Arabe, të cilat duke qenë krenare me të kaluarën pushtuese dhe pan-projeksioneve të tyre për të ardhmen, e kanë shumë të vështirë ta pranojnë një Izrael, edhe pse autokton në ato troje, me epërsi të theksuar ushtarake (p.sh. me armë bërthamore), zhvillim ekonomik dhe mirëqenie të lartë sociale. Ashtu si Irani dhe Vendet Arabe, edhe fqinjët tanë jugosllavo-grekë përpos që nuk e fshehin krenarinë për të kaluarën e tyre pushtuese, edhe sot kan pan-projeksione në kurriz të trojeve shqiptare, të cilat për fat të mirë janë ndaluar nga SHBA dhe NATO. Serbia historikisht ka luftuar për territore. Synimi i saj për ndarjen e veriut të Kosovës është në linjë me të kaluarën e saj për të zgjeruar “Lebensraum-in” në Ballkan.

E vetmja përparësi e shqiptarëve, nëse do të mund të quhej e tillë, është se jugosllavo-grekët nuk kanë armë bërthamore dhe as që pritet të kenë të tilla në të ardhmen dhe se fuqia e fqinjëve tanë krahasuar me Turqinë, Iranin dhe Vendet Arabe është më e dobët. Për dallim prej Vendeve Arabe, Turqia, përkundër retorikës politike aktuale ndaj Izraelit, nuk ka shprehur asnjë ambicie të hapur dhe publike për zhdukje dhe pushtim të Izraelit krahasuar me Vendet Arabe dhe Iranin. Përkundrazi në planin ekonomik tregtia mes Turqisë dhe Izraelit është në rritje.

Të gjitha këto krahasime historike të sjellin te pyetja e madhe: a mos kanë gjë faj shqiptarët dhe hebrenjtë që lindën aty ku lindën? Nëse të gjithë popujt e botës paskëshin pasur të drejtë të formonin e konsolidonin shtetet e tyre, pse atëherë shqiptarët dhe hebrenjtë nuk paskëshin pasur këtë të drejtë?! Nëse të gjithë popujt e botës, përfshirë fqinjët e shqiptarëve dhe hebrenjve, paskëshin pasur të drejtë të jenë krenarë për të kaluarën e tyre edhe pse pushtuese, pse atëherë këtë të drejtë të mos e kishin shqiptarët dhe hebrenjtë që nuk pushtuan kurrë askë?!

Nuk duhet harruar asnjëherë që historia e formimit të shtetit të mirëfilltë shqiptar dhe atij izraelit fillon vetëm pas Luftës së Parë Botërore me rënien e Perandorisë Osmane. Katrahurat historike, pushtimet e parreshtura mbi dymijëvjeçare të territoreve shqiptare dhe hebreje janë emëruesi i përbashkët i trajektores së gjatë të përshkuar historike. Dhe po të mos shpërfaqej në glob superfuqia e SHBA-së, gjasat e formimit të një shteti shqiptar apo hebre do të ishin minimale, nëse jo edhe inekzistente. (Vazhdon nesër në ora 10:00)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera