Opinione

‘Shkatërrimi’ masiv 22 vjeçar i Kosovës adresën kryesore e ka në Komunë të Rahovecit

Autori: Gazeta inFokus 10:16 | 01 September 2021

Shkruan: Agron HOTI

– nga më pak se 5% rrugë të asfaltuara para lufte, në 99% të asfaltuara pas lufte, sot jo vetëm që të gjitha vendbanimet janë të lidhura me asfalt, por edhe brenda vetë vetëvendbanimeve s’të shkel më këmba në baltë siç ishte tmerr para lufte;

– me 100% rrjet të internetit e kabllovikut në të gjitha vendbanimet, paramendoni sot qytetari i Rahovecit ta shtron muhabetin në WhatsApp apo Viber nëse jo edhe në Insta me atë të Japonisë duke bërë muhabet të përkthyer nga teknologjia, ç’mega-arritje;

-Advertisement-

– Komuna e Rahovecit është ndër komunat e pakta në Kosovë, nëse asnjë, që pas lufte e ka rregulluar dhe stabilizuar furnizimin me ujë të pijes në të gjitha vendbanimet e saj, ky është një sukses i paparë duke ditur që uji i pijes përbën sfidë për tërë Kosovën, pastaj Komuna e Rahovecit e ka zgjeruar pas lufte rrjetin e ujitjes së tokave përmes Liqenit të Dukagjinit (ish-Radoniqit);

– nga 0% rrugë fushore të shtruara para lufte, sot në shumicën e arave shkohet si zotni me veturë si rezultat i zhavorizimit të rrugëve fushore, diçka që po vazhdon edhe sot;

– nga 0% mbledhje bërlloku para lufte, në 100% pas lufte;

– nga më pak se 5% ndriqim publik para lufte, në mbi 80% pas lufte, diçka që po vazhdon të kompletohet edhe sot;

– nga më pak se 5% kanalizime para lufte, në mbi 90% pas lufte, diçka që po vazhdon të kompletohet edhe sot;

– transformimi i madh tri fshatrave më të mëdha (Krushja, Xerxë e Ratkoci) nga fshatra të harruara para lufte, në qyteza që gumëzhijnë nga qarkullimi pas lufte me punësime që fare s’ekzistonin para lufte;

– nga 0 supermarkete para lufte, sot edhe nëpër fshatra të mëdha më falni qyteza (Krushja, Xerxë dhe Ratkoc) ka nga dy tre sosh të standardeve më të larta, diçka që s’e gjen në rajon;

– nga një infrastrukturë shkollore e lodhtë para lufte ku nxënësit mërdhiheshin dimrit nëpër shkolla në shkolla e çerdhe moderne pas lufte bile me ngrohje qendrore, internet e kompjuterë, salla moderne sportive, të cilat as në ëndërr s’i kemi parë e që ishin të panjohura para lufte;
– nxënësit e shkollave fillore e të mesme sot janë konkurues nëpër gara të ndryshme anembanë Kosovës;

– nga kuadrot arsimore që duhej siguruar edhe nga komunat tjera para lufte, Komuna e Rahovecit sot i ka të gjitha kuadrot arsimore të veta;
– nga mentaliteti i mëhallës, fisit, odës, konflikteve të shumta, bestytënive të shumta që rëndonin jetën edhe ashtu agrare të paraluftës, sot Komuna e Rahovecit është e kozmopolitizuar dhe rrjetëzuar me të gjitha trojet shqiptare;

– me privatizime tejet të suksesshme të ndërmarrjeve publike duke gjeneruar kështu vende pune; sot verën e Rahovecit e gjen konkuruese nëpër supermarkete të vendeve të BE-së, argumenti ky më i mirë për suksesin e privatizimit;

– nga 0 shitje perimesh para lufte nëpër vende të BE-së, në eksporte perimesh tashmë nëpër vende të BE-së,

– nga fshatra që dukeshin gati afganistaneske para lufte në fshatra me super shtëpia e infrastrukturë pothuaj të kompletuar që nuk i sheh në rajon;
– nga bujqësia e punës fizike të paraluftës në bujqësi të modernizuar pas lufte;

– nga pothuaj 0 firma ndërtimesh para lufte ku mjeshtrit e ndërtimeve as bukë s’ngiheshin siç thuhej në popull, në një bum të paparë të firmave të tërë zingjirit të ndërtimtarisë, kopshtarisë, gastronomisë, ferma blegtorie e shpeztarie, agropërpunimit, prodhimit bujqësor, etj.;

– me komplekse memoriale që s’i gjen kund në Kosovë;

– me festivale e festa të ndryshme, për të cilat s’dinim ç’ishin para lufte;

– me rregullime të shumta trotuaresh nëpër fshatra e mbjellje pemësh buzë rrugësh për të cilat s’dinim ç’ishin paralufte;

– me rregullime shtretërish përrockash për të cilat s’dinim ç’ishin para lufte;

– sot qytetari i Komunës së Rahovecit për shkak të rritjes së paparë të standardit të jetesës së pasluftës nuk është më ai agrari me flokë qatall, i palarë, i baltosur deri në vesh, dhëmbët thua ti kishte ngrënë guri apo hekur tanë copa copa dhe të ‘shkruar’ siç i quanin në popull dhëmbët e zi, teshat me arrna, i përjashtuari social, pa vetura e telefona nëpër shtëpia ku flihej në kashtë e pastrohej me pacërkë “pas shtëpie dhe shtalla kafshësh” pra jashtë çdo niveli higjiene, e jo sot qytetari i Komunës së Rahovecit është para se gjithash i veshur e higjienik sepse ka ujë, ka banjo, ka kuzhina e standarde evrope jetese, i veshur me vetura e i pajisur me nga 4 apo 5 telefona, me mbipeshë nga ushqimi me bollëk që s’e kishte para lufte kur nga nënushqyerja, fukarallëku e zaiflllëku masiv dukej sikur t’i kishte ikur hoxhës nga tabuti, me nivele shkollimi shumë më të larta se para lufte, me shofere pa fund femra që s’ishin për t’u parë para lufte, me prindër që kujdesen fort për shkollimin e fëmijëve krahasuar me paraluftën ku veç në klasë të parë të çonin të shkolla dhe kujt më palla për ty s’i hante, me internet nëpër shtëpia e të gjitha të mirat, të cilat s’dinim ç’ishin para lufte;

– sot Komuna e Rahovecit me të drejtë mund të quhet Kalifornia ose Lombardia e Kosovës, pra hambari i Kosovës, me kodra të mbuluara me pemë dhe rrafshina me perime, me Drinin e Bardhë si kufi natyral me Komunën e Gjakovës, me Xërxën si “udhëkryqin e Avrropës” siç e quajnë ana jonë, me fusha duke u ujitur sikur në Holandë, pllus me pulat e Selimit e Halimit n’Fortesë që të shkrihen në gojë me erë hudhre sa qatje, që haj medet haj;
– sfidë ende mbeten impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, rregullimi i shtratit të Drinit të Bardhë i cili duhet filluar nga Peja, në Klinë, Gjakovë e Rahovec e deri në Prizren, riaktivizimi i hekurudhës Prishtinë-Prizren që përshkon gati tërë Komunën e Rahovecit, riciklimi i mbeturinave, të gjitha këto shkojnë përtej mundësive të Komunës, pllus se kesh tuj harru edhe ndërtimi i një ure të madhe mbi Dri të Bardhë që do të lidhte Ratkocin tim me Gjakovën, më falni nuk heq dorë nga kjo;

– kush nuk beson për të gjitha këto ‘shkatërrime’ 22 vjeçare le t’i hyp dramafilit e ta vizitojë vetë Komunën e Rahovecit, se nga lufta e ‘popllave’ që ende mbretëron atje sikurse në çdo cep të Kosovës, shumë gjëra tentohen të heshten, prandaj shkoni e prekni vetë me dorë dhe ejani pastaj flasim;
– mos kini frikë nga ky përshkrim objektiv, se të gjithë e dimë që Komuna e Rahovecit ende s’është bërë as Zvicër e as Gjermani. Por, kujt i kujtohet ende viti 1999 komuna jonë përpos që ka humbur njerëz gati më së shumti ka qenë Komuna më e djegur në Kosovë, prandaj nëse e krahasojmë se ku ishim dhe ku jemi, dallimi për të mirë është si nata me ditë për ata që duan ta dinë.

Respekt motra e vllazni!
A.H.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta

Të tjera