Lajme

Shikoni se çka përmban udhërrëfyesi i miratuar sot në Bruksel

Autori: Gazeta inFokus 13:19 | 21 June 2022

Një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë, u arrit sot mes palës kosovare dhe asaj serbe në kuadër të dialogut në Bruksel.

Ky Udhërrëfyes përmban 9 pika dhe parasheh licencimin e kompanisë serbe Elektrosever nga ZRrE-ja, përcjell klankosova.tv.

Por çka në fakt përmban ky udhërrëfyes, e gjeni më poshtë të përkthyer në gjuhën shqipe:

-Advertisement-

”Me qëllim të tejkalimit të krizës dhe problemeve në sektorin e energjisë, duke marrë parasysh Marrëveshjet në lidhje me Energjinë e datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshja e Energjisë 2013”), dhe Konkluzionet e lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë 2013 të 25 gushtit 2015 (“Marrëveshja e Energjisë 2015”), palët kanë rënë dakord për Udhërrëfyesin e mëposhtëm:

1. ZRRE do t’i lëshojë licencën për furnizim Elektrosever. ZRRE-ja do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

2. Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSIT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, përmes BE-së.

3. Brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSIT dhe KEDS për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSIT, Marrëveshjen mbi Detyrimin e Bilancit me KOSIT, Marrëveshjen e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe kyçja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit. 5 të Marrëveshjes 2013.

4. Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSIT, Elektrosever do të marrë Kodin e Identifikimit të Energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parapara me licencën e furnizimit.

5. Në përputhje me nenin. 14 të Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2015, brenda 30 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, KEDS dhe KOSIT (nën lehtësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të kenë qasje në nënstacionin ValacNallaq, si dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe shpërndarjes.

6. Brenda 45 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, KOSIT dhe KEDS, pas konsultimit me Elektrosever, do të dorëzojnë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.

7. Brenda 21 ditëve pas dorëzimit të planit të investimit dhe shpenzimeve të kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjeve të rrjetit, ZRRE do të aprovojë në parim këto plane, kosto dhe humbje.

8. Në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre Konkluzioneve të rënë dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Elektrosever, me kusht që me lehtësimin nga BE-së, të konsultohet paraprakisht me palët gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një mendim ekspert, nëse një gjë e tillë kërkohet nga të paktën njëra nga palët.

9. Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit të rënë dakord është pa paragjykim ndaj detyrimeve të palëve për të zbatuar plotësisht Marrëveshjet e Energjisë nga 2013 dhe 2015”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera