Opinione

Sa turistë e vizituan Shqipërine sivjet

Autori: Besnik Vathi 09:19 | 11 November 2019

Në disa debate në studio të ndryshme televizive, apo në intervista, kam shprehur bindjen se në statistikat e publikuara apo në komentet e ndryshme në media ka keqkuptime apo prezantime të gabuara lidhur me numrin e turistëve të huaj që hyjnë në Shqipëri. Për të qenë më i qartë në opinionin tim, u përpoqa të bëj një analizë të shifrave të sapobotuara nga INSTAT, për periudhën nëntëmujore të vitit 2019.

U përpoqa të gjej numrin e turistëve të huaj që kanë hyrë gjatë kësaj periudhe në këto shifra, por realisht nuk arrij ta gjej. Shifra e vetme që gjej është që në Shqipëri kanë hyrë gjithsej rreth 5.460.000 shtetas të huaj. Por, a mund të quhen këta të gjithë turistë, siç rëndom përmenden në media apo në deklarime qeveritarësh?

Për të dhënë një përgjigje, le të analizojmë të dhënat, nga tabelat e botuara dhe vrojtimet personale. Për të qenë më të kuptueshëm, në fillim, do të jap përcaktimet për disa terma që përdoren dhe duhet të përdoren në statistikat kombëtare sipas dokumenteve me të cilat Organizata Botërore e Turizmit u sugjeron autoriteteve të vendeve të ndryshme, anëtar të së cilës jemi edhe ne.

-Advertisement-

Kjo Organizatë përcakton këto terma:

Udhëtar është çdo person që udhëton në një vend jashtë vendit të tij të banimit.

Vizitor është ai Udhëtar që udhëton jashtë vendit të tij të banimit për më pak se 12 muaj, për arsye jo punësimi.

Turist është ai Vizitor që udhëton jashtë vendit të tij të banimit për më shumë se 24 orë dhe për më pak se 12 muaj, për arsye jo punësimi.

Vizitor i së njëjtës ditë është ai Vizitor që udhëton jashtë vendit të tij të banimit për më pak se 24 orë për arsye jo punësimi.

Bazuar në këto përkufizime, duke analizuar hyrjet totale të të huajve në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, do të konsideroj që ky numër total përfaqëson Udhëtarë të huaj. Pra janë Vizitorë dhe Jo-Vizitorë të huaj. Po ç’mund të jenë Jo-Vizitorët e huaj? Dhe sa mund të jenë ata? Mendoni që Jo-Vizitorë të huaj janë të gjithë ata shtetas të huaj që hyjnë në Shqipëri për qëllime imigrimi, punojnë në Shqipëri ose si sipërmarrës, ose si të punësuar. Këtu futen edhe ata shtetas të huaj që punojnë si diplomatë në Ambasada dhe Organizma Ndërkombëtare brenda vendit tonë. Të gjithë këta, së bashku me familjet e tyre, mund të lëvizin disa herë dhe janë futur në hyrjet totale në statistika. Duke menduar që në Shqipëri mund të ketë rreth 20 mijë të huaj që mund t’i konsideroj në lëvizjet e tyre si hyrje e Jo-Vizitorëve të huaj dhe duke konsideruar që ata mund të lëvizin drejt vendeve të tyre rreth 5 herë gjatë vitit, atëherë numri i hyrjeve do të ishte përafërsisht 100 mijë. Dhe kjo shifër i duhet zbritur totalit.

Pra mbërritëm në numrin 5.360.000 hyrje vizitorësh të huaj.

Kalojmë në kategorinë e vizitorëve të së njëjtës ditë. Këtu do të merrem me dy nënkategori.

Në nënkategorinë e parë futen Vizitorë e së njëjtës ditë që kalojnë tranzit në Shqipëri. Në statistikat që paraqiten nga INSTAT është futur gabimisht si qëllim udhëtimi tranzit. Në dokumentet e Organizatës Botërore të Turizmit, udhëtimi tranzit nuk përfshihet në qëllimet e udhëtimit. Në këtë kuptim, nëse në statistikat tona, kemi Vizitorë tranzit, ata të huaj që janë pyetur për qëllimin e hyrjes në Shqipëri dhe ata janë përgjigjur për tranzit, mendoj se shifra që ka dalë është e gabuar. Nxjerrja e shifrës se sa shtetas të huaj hyjnë tranzit në Shqipëri nuk duhet të dalë nga pyetja e qëllimit të udhëtimit, por nga llogaritja ditore e hyrjeve dhe e daljeve brenda ditës i të gjithë shtetasve të huaj. Në të dhënat e INSTAT-it unë shoh shifrën 166 mijë. Nga vëzhgimi im gjatë disa ditëve në verë dhe nga përllogaritjet që bëj, vlerësoj se kjo shifër duhet të jetë rreth 500 mijë. Nisem nga numri i madh i hyrjeve për tranzit i shtetasve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që udhëtojnë:

– me mjete individuale apo autobusë drejt Europës nëpërmjet kufirit tonë me Malin e Zi;

– me tragete drejt Italisë apo edhe drejt Greqisë;

– për pushime në Malin e Zi e veçanërisht në Ulqin. Për dijeni, në Ulqin kalojnë për pushime rreth 100 mijë shqiptarë të Kosovës, ku janë turistë në Mal të Zi dhe tek ne llogariten dy herë, edhe në vajtje, edhe në ardhje, pra 200 mijë.

Këtu duhen marrë në konsideratë si Vizitorë të së njëjtës ditë tranzit edhe hyrjet me destinacion final apo anasjelltas, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut e të gjithë shtetasve europianë me kombësi shqiptare të Kosovës apo Kombësi Maqedonase të Veriut.

E pra, duke zbritur këtë nënkategori shkojmë te shifra 4.860.000

Nënkategoria tjetër e Vizitorëve të së njëjtës ditë quhet Ekskursionistë. Këtu janë të gjithë ata Vizitorë të huaj që hyjnë në Shqipëri për të bërë vizita brenda ditës. Asnjë statistikë nuk nxirret për ta. Në Sarandë dhe në Shkodër, si dy qytete në kufi me vende me turizëm të zhvilluar, kanë përfituar nga kjo lëvizje masive e të huajve nga vende të ndryshme. Dhe Ekskursionistë janë edhe hyrjet me kroçierë në Sarandë dhe Durrës. Do të vlerësoja që në total, ekskursionistë do të jenë rreth 860.000.

Duke zbritur edhe këta, shifra prej 4 milionësh do të ishte një shifër më afër reales për turistët që kanë hyrë në Shqipëri.

Nga vijnë turistët

Meqenëse mbërritëm në një shifër të përafërt të numrit të turistëve, e theksoj, sipas meje, do të doja të analizoja edhe origjinën e hyrjes së shtetasve të huaj në Shqipëri gjatë këtij viti sipas Tabelës 2 të Statistikave të botuara. Në këtë Tabelë, të gjithë Shtetet që kanë gjeneruar hyrje në Shqipëri, me përjashtim të Polonisë dhe Spanjës, janë vende ku ose banojnë shqiptarë (Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal i Zi), ose vende ku jetojnë në numër të madh emigrantë me Kombësi Shqiptare të larguar gjatë 25 – 30 viteve të fundit dhe që kanë marrë pasaportën e vendit ku jetojnë (Greqi, Itali, Gjermani, Angli, Zvicër, SHBA. Dhe vlerësoj që hyrjet e kësaj kategorie duhet të jenë rreth 4 milionë.

Turistë me kombësi të huaj

Konkluzioni është që në Shqipëri hyjnë më shumë shtetas të huaj me Kombësi Shqiptare. Diferenca rreth 1.5 milionë duhet të jenë Shtetas të huaj me kombësi të huaj.

Pra konkluzioni është që në Shqipëri hyjnë më shumë shtetas të huaj me Kombësi Shqiptare. Diferenca rreth 1.5 milionë duhet të jenë Shtetas të huaj me kombësi të huaj.

Duhet të kuptojmë se ka një lidhje tepër të ngushtë ndërmjet rritjes së emigracionit të popullsisë shqiptare jashtë vendit dhe nga ana tjetër, rritjes së numrit të turistëve etnike drejt Shqipërisë. Studimi dhe nxjerrja e statistikave të sakta është me interes, pasi kjo kategori turistësh ka karakteristika të veçanta interesash, qëllimi, konsumi dhe shpenzimi. Ndaj dhe Kombësia e hyrjeve është karakteristikë tepër e rëndësishme për ndërtimin e strategjive më të sakta për të ndihmuar realisht, jo thjesht në rritjen e numrit të hyrjeve, por e të ardhurave.

Por nga Statistikat e publikuara nuk ka vetëm mungesë informacioni të detajuar, por edhe gabime në tabela dhe në Metodologjinë shpjeguese.

Përkufizimi për hyrjet është, ose përkthim i gabuar ose moskuptim i asaj që është realisht, ose keqkuptim. Aty thuhet:

“Një person që viziton disa vende njëkohësisht gjatë një viti llogaritet çdo herë si një hyrje e re”.

Është e gabuar dhe e pakuptimtë.

Duhej të ishte:

“Një person që viziton vendin disa herë gjatë një viti llogaritet çdo herë si një hyrje e re”.

Përkufizimi për Vizitor është i gabuar në pjesën e qëllimit. Edhe këtu është ose përkthim i gabuar, ose moskuptim i asaj që është realisht ose keqkuptim. Aty thuhet:

“……qëllimi kryesor i këtij udhëtimi në vendin e vizituar nuk është ai i një veprimtarie fitimprurëse”.

Është e gabuar. Nëse do të ishte kështu, atëherë nuk duhej të flitej për turizmin e biznesit, të konferencave etj., që përbën një lloj turizmi me shumë të ardhura.

Duhej të ishte:

“…qëllimi kryesor i këtij udhëtimi në vendin e vizituar nuk është ai i punësimit”.

U mora me këtë analizë, për të parë më me realizëm zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Duke pranuar që gjatë 5 viteve të fundit, u bënë ndryshime të mëdha pozitive në zhvillimin e turizmit:

Filluan dhe u shtuan fluturimet charter me destinacion Shqipërinë nga Polonia, Çekia, Sllovakia, Suedia, Norvegjia, Izraeli, Ukraina, Rusia etj.

Hotelet në plazhet shqiptare filluan të ofrojnë për herë të parë kontrata garancie, nisën shërbimin all inclusive, zgjeruan sezonin e shitjeve deri në 100 – 120 ditë, përmirësuan shërbimet dhe mjedisin brenda hoteleve.

U shtua turizmi malor në veri të vendit dhe kjo bëri që e tërë harta e Shqipërisë të ketë produkt turistik.

U rrit interesi i investimeve në hoteleri edhe nga zinxhirë ndërkombëtarë hotelesh për plazhe

U shtua në mënyrë të ndjeshme ardhja e Linjave të ndryshme të kroçierave, sidomos në Sarandë.

Kuptohet që ndryshimet pozitive janë shoqëruar edhe me problematika të ndryshme, të cilat vazhdimisht janë ngritur si shqetësime. Shqetësimi im në këtë analizë është i lidhur me përmirësime që duhen bërë.

Së pari, Raportimi shkencor i të dhënave statistikore për numrin real të turistëve, nuk është vetëm nevojë e adaptimit të të dhënave tona sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Turizmit, por është edhe kuptim dhe raportim real i rritjes dhe i ndryshimeve pozitive në masën e saktë, duke shmangur fluturimet e tepruara e të gabuara në deklarime për realizimet apo parashikimet.

Së dyti, nëse analizohen saktë tregjet që gjenerojnë turistë, autoritetet qendrore dhe lokale do të jenë më në gjendje për të ndërtuar politika më të sakta që nuk synojnë thjesht të rrisin numrat, por të mbrojnë mjedisin dhe kryesorja të rrisin të ardhurat dhe punësimin. E them këtë se, nëse ne do t’i rrisim vizitorët tranzit dhe ekskursionistët, të ardhurat jo vetëm që do rriten shumë pak, por edhe efekti në punësim apo në zgjerimin e prodhimit vendas në ndihmë të turizmit do të jetë shumë i vogël.

Në analizën e mësipërme mund të kem bërë edhe gabime në përllogaritje, por më falet, nuk është detyra ime të jap shifra të sakta, është detyrë e organeve shtetërore të na japin informacion dhe këtë informacion të na e japin sa më të saktë dhe sa më të detajuar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera