Opinione

Recension i librit “Qëndresa e Ratkocasve”, të autorit Dr. Sadik Krasniqi

Autori: Gazeta inFokus 11:11 | 13 June 2022

Po të shkosh nëpër vendet perëndimore dhe të vizitosh lokacione, vendbanime apo objekte të ndryshme institucionale, fetare, sportive, kulturore, etj. është gati e pamundur të mos gjesh së paku një libërth, apo broshurë që flet për historinë e tyre.

Shkruan:Agron HOTI

Kjo mënyrë dokumentimi i jep vizitorit një pasqyrë për fazat historike e zhvillimore nëpër të cilat kanë kaluar ato lokacione, vendbanime apo objekte të ndryshme. Dhe kjo mënyrë dokumentimi merret aq e mirëqenë sot, saqë edhe nëse ndodh të vizitosh një lokacion, vendbanim, apo objekt e të mos gjesh së paku një libërth, apo broshurë mbi të kaluarën e tyre, vizitorët atje menjëherë pyesin pse s’ka një dokument të tillë.
 
Njëra ndër pikat ku pushtuesit tanë, që nga romakët e deri te sllavo-grekët, na kanë goditur në vazhdimësi ka qenë pikërisht përpjekja e tyre për përvetësimin e historisë sonë ku sot ka hamendësime për gjurmë të ndryshme arkeologjike nëse ato ishin greke, romake, bizantine, osmane, apo sllavo-greke e për fat të keq më së paku shqiptare. Njëra nga pikat ku më së shumti na ka goditur pushtimi më i fundit, mbi 100 vjeçar serb e grek, ka qenë literatura e shumtë e prodhuar prej tyre duke tentuar përvetësimin e historisë shqiptare, duke filluar nga kultura materiale e deri te ajo shpirtërore.
 
Ndërkohë, shqiptarët duke qenë vazhdimisht të pushtuar, asnjëherë s’e kanë pasur mundësinë të hulumtonin, gjurmonin e shkruanin për veten e tyre, sa dhe si duhet, e që në fakt ky ishte edhe qëllimi i pushtuesve tanë, që ne si shqiptarë të mos e dinim se kush dhe çfarë ishim. Ishte pikërisht ky analfabetizëm kronik që po na shoqëronte pas Luftës së Parë Botërore (LPB) dhe pas Luftës së Dytë Botërore (LDB), përfshirë periudhën mes këtyre dy luftërave kur pushtuesit sllavo-grekë përmes projeksioneve të tyre po përpiqeshin për asgjësimin përfundimtar të popullit shqiptar.
 
Pra, përderisa në njërën anë popujt e Evropës po përpiqeshin të ecnin përpara pas shkretimit që kishte shkaktuar Lufta e Dytë Botërore, në anën tjetër ndaj popullit shqiptar – që kishte mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë administrative – kishte filluar një terror i paparë asgjësimi dhe dëbimi.
 
Duke qenë në një situatë terrori nën pushtuesin serb, shqiptarët deri në vitet e 70-ta ishin ndoshta populli i vetëm në Evropë që ende s’kishin filluar të ndërtonin shtresën e mesme (mësues, arsimtarë, mjekë, profesorë, inxhinierë, etj), shtresë kjo që në fakt përbën bazën për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e një kombi. Që nga 1945 deri në vitet e 70-ta, shqiptarët në ish-Jugosllavi ishin ndër popujt më të përjashtuar socialë, më të pashkolluar dhe më të varfër në Evropë. Në rrethana të tilla ishte gati e pamundur të projektoje të ardhme e aq më pak arsimim.
 
Por, ishin përpjekjet e pareshtura rezistuese të popullit shqiptar ato që po e detyronin Jugosllavinë e asaj kohe që të lejonte hapjen e shkollave shqipe, të cilat kulmuan me hapjen e Universitetit të Prishtinës dhe shtrirjen e rrjetit të shkollave të larta nëpër komuna tjera. Vetëm pas viteve të 70-ta shqiptarët fillojnë të arsimohen për aq sa lejonte gjendja e rëndë socio-ekonomike dhe ky ishte edhe filli i ndërtimit të shtresës së mesme.
 
Ishte vetë arsimimi i popullatës shqiptare ai që po hapte shtigje për hulumtimin e së kaluarës sonë për të ndërtuar të ardhmen. Megjithatë, të jetuarit nën një Jugosllavi, linte pak hapësirë, nëse fare, për hulumtime të mirëfillta shkencore aq më pak për të kaluarën e shqiptarëve, edhe pse përpjekjet tona asnjëherë s’u ndalën, pavarësisht vështirësive dhe pengesave.
 
Autori i këtij libri Dr. Sadik Krasniqi, është pikërisht ndër ato gjenerata që po ndërtonin shtresën e mesme qytetare, përmes shkollimit dhe arsimimit. Përmes punës akademike, Dr. Krasniqi po kontribuonte pikërisht aty ku sistemi arsimor në Kosovë çalon më shumti: e që janë në hulumtimet dhe punimet shkencore. Edhe libri “Qëndresa e Ratkocasve” është një hulumtim që përshkon një zonë në Kosovë, pra Ratkocin e Komunës së Rahovecit, që nga antikiteti e deri te e sotmja. Të sotmen, Dr. Krasniqi e mbulon objektivisht me intervista dëshmitarësh të gjallë ngjarjesh e zhvillimesh duke qenë edhe vetë pjesë e shumicës së tyre.
 
Përparësia e librit është se Dr. Krasniqi “Qëndresën e Ratkocasve” e sheh të ndërlidhur me zhvillimet shqiptare, rajonale e globale. Duke qenë edhe vetë historian, Dr. Krasniqi përmes këtij libri i bën me dije lexuesit se “Qëndresa e Ratkocasve” është e pashkëputur nga mozaiku i përpjekjeve të shqiptarëve për ditë më të mira. Përmes këtij libri autori përshkruan zhvillimet sociale të trevës së Ratkocit duke filluar nga toponimet, emrat, përbërjen e popullsisë si dhe ndryshimet që kanë ndodhur në këtë trevë si rezultat i zhvillimeve të ndryshme historike.
 
Gjithsesi, që autori asnjëherë s’e humb përqendrimin e librit te qëndresa shqiptare, e cila – ashtu siç ishte manifestuar në të gjitha hapësirat shqiptare – në të njëjtën mënyrë kishte ndodhur edhe në Ratkoc e rrethinë. Vetë fakti që autorit në këtë libër shkojnë duke iu shtuar faktet e referencat për trevën e Ratkocit duke filluar nga antikiteti e deri më sot, e tregon në fakt edhe historinë tonë shqiptare, një histori faktet shqiptare të së cilës po mundoheshin t’ia përvetësonin pushtuesit e popullit shqiptar.
 
Vetë gjurmimi i së kaluarës sonë has në vështirësi gjetjeje faktesh, ndaj të gjithë hulumtuesit, përfshirë Dr. Krasniqin, përballen me këtë sfidë. Megjithatë, Dr. Krasniqi ia del që të ndërtojë rrëfimin e një qëndrese të një treve siç është Ratkoci si pjesë e pandashme e mozaikut të përgjithshëm të qëndresës së tërë popullit shqiptar. Në kuadër të zhvillimit të materies së këtij libri, autori zgjerohet në historinë më të re të përpjekjeve të popullit shqiptar të Kosovës për çlirim e pavarësi.
 
Edhe Dr. Krasniqi – ashtu sikurse të tjerë –  në librin “Qëndresa e Ratkocasve” na jep të kuptojmë rëndësinë e rreshtimit të popullit shqiptar përkrah Perëndimit, sepse ishte pikërisht ky rreshtim i drejtë ai që avancoi dhe përmirësoi pozitën e shqiptarëve në Ballkan dhe Evropë si asnjëherë më parë në histori.
 
Libri “Qëndresa e Ratkocave” duhet parë brenda mozaikut e shfrytëzimit të përsosur të rrethanave ndërkombëtare nga ana e UÇK-së për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Shqiptarët vetëm gjatë 25 viteve të arta të Skënderbeut kishin arritur të rreshtoheshin krah Perëndimit që prej rënies së Perandorisë Romake.

-Advertisement-

Dhe që nga atëherë, shqiptarët asnjëherë s’ishin ndalur së shpresuari kah përkrahja e Perëndimit, përkrahje kjo që u arrit me Pavarësinë e Shqipërisë. Ndërsa UÇK, që prej rënies së Perandorisë Romake ka arritur që përfundimisht ta rreshtonte popullin shqiptar përkrah Perëndimit.

Duke qenë pjesë përbërëse e aktiviteteve të shumta atdhetare që nga vitet e 80-ta dhe ushtar i celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe duke qenë vëlla dëshmori, Dr. Krasniqi më shumë se çdo kush e ka ndjerë peshën dhe rëndësinë dhe pse jo çmimin e madh të lirisë që një popull duhet paguar për çlirimin e vendit që e lindi dhe rriti. Të marrësh pjesë në aktivitete të shumta atdhetare që kulmuan me luftë, të jesh pjesë e pandashme e luftës deri në çlirim dhe më pas t’i futesh jetës akademike siç veproi me zell Dr. Krasniqi, tregon më së miri për krajatat nëpër të cilat janë formësuar intelektualët shqiptarë.

Uroj që ky kontribut akademik i Dr. Krasniqit, të mos jetë as i pari e as i fundit në hulumtimin dhe dokumentimin e historisë shqiptare të trevës së Ratkocit për aq sa është e mundshme.

Uroj që ky libër të përkthehet edhe në gjuhë tjera dhe të shpërndahet në Ratkoc, rrethinë dhe diasporë si dhe të jetë lehtësisht i qasshëm edhe nëpër institucione arsimore e kulturore të tërë Komunës së Rahovecit, me theks të veçantë në Ratkoc e rrethinë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera