Lajme

Qeveria ua ndalë pagat edhe punëtorëve të komunave

Autori: Gazeta inFokus 19:23 | 31 August 2022

Përveç mësimdhënësve, Qeveria e Kosovës i ka lënë pa pagën e muajit gusht edhe gjithë shërbyesit civilë nëpër komuna. Ata kanë hyrë në grevë që nga dita e enjte e javës së kaluar, pas mosplotësimit të kërkesës së tyre për 100 euro shtesë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga, shkruan Reporteri.net.

Shërbyesve civilë nëpër administratat komunale nuk u janë ekzekutuar pagat e muajit gusht, meqë disa prej komunave kanë refuzuar t’ia dërgojnë Thesarit të Shtetit, listat me emrat e atyre që janë në grevë.

Këto lista, Thesari i kishte kërkuar më 29 gusht. Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar e-mailin që u ka dërguar institucioneve Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, Nysret Koca, ku thuhej se listat duhet të dërgoheshin deri më 30 gusht.

-Advertisement-

“Thesari kërkon nga Ju që deri nesër datë 30.08.2022, ora 14:00, të dërgoni listën e nëpunësve grevistë e cila do të procedohet nga Thesari konform të dhënave që dërgohen në OB dhe do të finalizoj llistat e pagave për muajin gusht 2022”, thuhej në këtë e-mail.

Urdhërin e Thesarit për listën e grevistëve, Komuna e Prishtinës e ka konsideruar “pa kurrfarë mbështetje ligjore”.

Komuna që drejtohet nga Përparim Rama i LDK’së, në përgjigjen e saj për Thesarin e njofton Ministrinë e Financave se bazuar në ligjet në ndaj grevistëve “nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës”.

Madje, zyra ligjore e Komunës së Prishtinës i ka rekomanduar Thesari dhe Ministrisë së Financave që ta respektojnë këtë nen ligjor, të ligjit Nr. 03/L-200 për Grevat, gjegjësisht nenin 13, paragrafi 1 të këtij ligji.

“Ne analizuam kërkesën e Ministrisë së Financave dhe konsiderojmë së është e pa kurrfarë mbështetje ligjore. Sidoqoftë, nga këndvështrimi ynë si Zyre Ligjore, Rekomandojmë të respektohet në plotësi neni 13 paragrafi 1 [Mbrojta e të drejtëve të punësuarve gjatë grevës] i Ligjit Nr. 03/L-200 për Grevat i cili ka përcaktuar se “Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevist dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështetin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës ndaj kërkesës së Thesarit, përmbajtjen e së cilës e ka siguruar Reporteri.net.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera