Lajme

Prokuroria i reagon Haxhiut pasi kërkoi shkarkimin e kryeprokurorit dhe prokurorit për rastin e 11-vjeçares

Autori: Gazeta inFokus 15:00 | 03 September 2022

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës i kanë reaguar Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, e cila i akuzoi se s’vepruan me kohë dhe sipas përgjegjësisë në rastin e 11-vjeçares, e cila dyshohet se ishte trafikuar dhe dhunuar edhe në muajin qershor. Deklaratat e Haxhiut, Prokuroria i ka quajtur të pabaza dhe të papranueshme.

Nga kjo Prokurori kanë thënë se trajtimi i rastit të 11 vjeçares nga ana e Prokurorit të Shtetit është bërë konform të gjitha dispozitave ligjore të cilat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë profesionale, në koordinim me institucionet e tjera relevante.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë siguron edhe njëherë opinionin publik se trajtimi i rastit të 11 vjeçares nga ana e Prokurorit të Shtetit është bërë konform të gjitha dispozitave ligjore të cilat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë profesionale, në koordinim me institucionet e tjera relevante, andaj, për ne janë të pabaza dhe të papranueshme deklarata të tilla publike”, thuhet në reagim.

-Advertisement-

Aty përmendet edhe një kërkesë për angazhimin e një psikologu pranë kësaj prokurorie, për të cilën kanë thënë se nuk është aprovuar asnjëherë me arsyetimin se nuk ka mjete buxhetore.

“Në vazhdën e kërkesave të kësaj prokurorie drejtuar organeve ekzekutive ka qenë kërkesë esenciale angazhimi i një psikologu pranë kësaj prokurorie, në trajtimin e çështjeve penale, sidomos atyre për të mitur, e cila kërkesë nuk është aprovuar asnjëherë me arsyetimin se nuk ka mjete buxhetore për ta mbuluar të njëjtën kërkesë, derisa e theksojmë se Prokurori i Shtetit ka vazhduar të trajtojë raste të tilla penale dhe do të mbetet i përkushtuar për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera të cilat i ka në trajtim, gjithmonë duke e ruajtur ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë institucionale”, thuhet në reagim.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të gjashtë personave, të cilët dyshohet se e kanë trafikuar dhe dhunuar 11-vjeçaren në qershor të këtij viti, duke pyetur se pse nuk veproi Prokuroria e Prishtinës atëherë kur ndodhi rasti.

Ajo ka kërkuar dorëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishit dhe prokurorit të rastit, raporton Express.

“Pse nuk vepronte Prokuroria Themelore në Prishtinë në muajin qershor? Pse nuk u arrestuan asokohe personat e dyshuar? Pse dy muaj me vonesë? Më e pakta që do të duhej të ndodhte është dorëheqja e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorit që ka qenë i ngarkuar ne rastin në muajin qershor. Pa pasur dorëheqje dhe shkarkime të atyre që nuk vepruan në kohë dhe sipas përgjegjësisë, fatkeqësisht mund të kemi viktima të tjera”, ka shkruar Haxhiu.

Gashtë persona janë arrestuar dje, nën dyshimin se e kanë trafikuar në qershor, 11-vjeçaren që u dhunua të shtunën nga pesë persona, raporton Express.

Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe Policisë së Kosovës, të arrestuarit, të cilët janë të moshës madhore, dyshohen për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi”.

“Gjashtë personat e dyshuar (madhor), dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penale, gjegjësisht si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”, si dhe, në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur”, thuhet në komunikatë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera