Lajme

Presidenti i Kinës nis vizitën dy ditore në Serbi

Autori: Gazeta inFokus 10:21 | 07 May 2024

Presidenti i Kinës Xi Jinping ka nisur një vizitë zyrtare dyditore në Serbi me ftesë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Xi po qëndron në një vizitë në Europë dhe në Serbi po shkon pas një vizite në Francë. Pas Serbisë, ai do të shkojë edhe në Hungari.

Xi dhe Vuçiq pritet të diskutojnë për “një gamë të gjerë temash, nga ato politike, ekonomike dhe teknologjike deri te bashkëpunimi në fushën e kulturës”, siç raporton gazeta serbe “Danas”, transmeton Gazeta Express.

-Advertisement-

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian tha javën e kaluar se gjatë vizitës së tij në Beograd, Xi do të “shkëmbejë mendime në detaje me presidentin Vuçiq për marrëdhëniet Kinë-Serbi dhe çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të ndërsjellë” dhe do të “hartojë një kurs” për të ardhmen dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Xi gjithashtu pritet të hapë Qendrën Kulturore Kineze në Beograd, që do të ndërtohet në vendin e ambasadës kineze, e cila u bombardua gabimisht nga NATO gjatë kampanjës së bombardimeve më 1999.

Presidenti kinez shkon në Beograd rreth gjashtë muaj pas vizitës së Vuçiqit në Pekin, gjatë së cilës “zyrtarët e Serbisë dhe Kinës, në forumin ndërkombëtar “Belt and Road”, nënshkruan Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në prani të dy liderëve”. Marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës duhet të hyjë në fuqi në korrik.

Vuçiq tha javën e kaluar se gjatë vizitës së tij në Serbi, Xi “do të iniciojë projekte të zhvillimit të përshpejtuar teknologjik në ato sfera në të cilat nuk ka njohuri të mjaftueshme nga robotika, teknologjia satelitore, makinat fluturuese dhe shumë gjëra të tjera”.

Më 30 prill, Qeveria e Serbisë miratoi akte për përmirësimin e bashkëpunimit me Kinën në fushën e arsimit, shkencës, inovacionit, zhvillimit teknologjik, si dhe bashkëpunimit ekonomik dhe teknik në fushën e infrastrukturës.

Kabineti i Vuçiqit njoftoi se një numër i kufizuar i mediave do të mund të përcjellin vizitën e presidentit kinez në bazë të parimit të reciprocitetit me delegacionin vizitues.

Përpara vizitës së dytë zyrtare të Xi në Serbi në tetë vjet, Vuçiq deklaroi se Kina është “partneri më i mirë” i Beogradit në arritjen e qëllimeve kombëtare, duke thënë se presidenti kinez është “njeriu më i fuqishëm në botë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera