Lajme

Pesë automjete deri më tani janë kthyer në RKS, MPB: Pas 31 tetorit ato me targa ilegale nuk do të lejohen të qarkullojnë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 15:10 | 21 September 2022

Kanë mbetur më shumë se një muaj deri kur qytetarët mund të konvertojnë në RKS targat ilegale të automjeteve të lëshuara nga Serbia, sipas vendimit të marrë nga Qeveria e Kosovës.

Që nga 1 shtatori kur ka filluar zbatimi i këtij vendimi e deri më sot, vetëm 5 qytetarë kanë regjistruar veturat e tyre konfrom vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin, nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nga MPB gjithashtu theksuan se ka qytetarë që interesohen për procedurat e regjistrimit të automjeteve.

-Advertisement-

“Për regjistrimin e mjeteve me targa RKS nga targat ilegale ka qytetarë që interesohen për procedurat e regjistrimit të automjetit. Nga data 1 shtator deri më tani janë regjistruar 5 automjete me targa RKS”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Ministria e Punëve të Brendshme më tej ka bërë të ditur se regjistrimet janë bërë në komuna të ndryshme, si: Prizren, Dragash, Leposaviq, Mitrovicë Veriore dhe Gjilan.

Të pyetur se çfarë do të ndodhë me ata qytetarë që nuk i kthejnë veturat në RKS pas 31 tetorit kur përfundon edhe afati i vendosur nga Qeveria, në MPB kanë thënë për Telegrafin se nuk do të lejohet qarkullimi në territorin e Republikës së Kosovës.

“Ndërsa pas datës, 31.10.2022, siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas afatit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Kujtojmë se dy qytetarë serbë që i janë bindur vendimit të Qeverisë për t’i konvertuar targat në RKS, janë sulmuar një ditë më parë.

Sipas informacioneve të publikuara nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, strukturat ilegale kanë djegur veturën e një oficeri serb, si dhe depon e një qytetari nga Zveçani.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, u ka bërë thirrje serbëve të mos i ndërrojnë targat, e ministri Sveçla e akuzoi atë për nxitje sulmesh ndaj qytetarëve që s’i binden.

“Aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupet e ndryshme politike që kanë për qëllim destabilizimin e vendit”, ka deklaruar Sveçla.

Vendimi për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj pas incidenteve armatosura që ndodhën në veri të vendit.

E për mundësinë e tensionimit të situatës sërish në veri, NATO-ja ka deklaruar se është e gatshme të rrisë numrin e trupave në Kosovë, nëse ka rritje të tensioneve.

“Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar… nëse kemi rritje të tensioneve, mirëpo edhe mund të rrisim numrin e forcave rezervë… mund ta marrim këtë vendim brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë zëvendëskomandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Luca Piperni.

Ndryshe, vendimi i ekzekutivit për targat ka filluar të zbatohet nga 1 shtatori dhe qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i rikthejnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera