Lajme

Mosanëtarësimi në KiE, Kurti falënderon Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur dje

Autori: Gazeta inFokus 09:12 | 18 May 2024

Kryeministri Albin Kurti ka pritur dje në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, pasi Kosova humbi dje mundësinë që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti diskutoi me Hargreaves pikërisht për rezultatin e mbledhjes së djeshme në Këshillin e Ministrave, raporton Express.

“Kryeministri e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur dje gjatë takimit të komitetit të ministrave në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. E falënderoi gjithashtu edhe për mbështetjen në projektet e përbashkëta, ku veçoi ndihmën për zgjerimin e projektit për verifikimin e diplomave për studentët nga komuniteti serb për qëllime punësimi në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

-Advertisement-

Në takim është folur edhe për rezultatet e takimit e tretë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6) për Planin e Rritjes që u zhvillua dje në Kotorr të Malit të Zi dhe Deklaratën e Përbashkët nga ky takim.

“Kujtojmë që Deklarata e Përbashkët nga samiti i djeshëm në Kotor, mes tjerash bën thirrje për trajtim të barabartë në CEFTA, zbatim të plotë marrëveshjeve të arritura në Procesin e Berlinit si dhe kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor Gjashtë të bëhen pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe, Ministrat e Jashtëm të Këshillit të Europës u mblodhën dje në Strasburg në sesionin vjetor me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate ku diskutuan për çështje të caktuara. Kosova nuk hyri as në agjendë, ndërsa nuk dihet se kur do t’i vijë rendi përsëri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera