Sport

Përzgjedhja e LRF të Pejës dëshmoi cilësi në Kampin U-15 “Elita 2018”

Autori: Gazeta inFokus 10:56 | 23 July 2018

Sot është përmbyllur faza e parë e Kampit Edukativ Kombëtar “Elita 2018” që po mbahet në Durrës, shkruan GazetaFokus.

Para ndeshjeve të sotme futbollistët pjesëmarrës të këtij kampi në shenjë respekti për punën e bërë gjatë tërë këtyre viteve në drejtimin e FFK-së dhe për datëlindjen e tij të 50-të, e kanë nderuar ish-presidentit e ndjerë, Fadil Vokrri, duke e formuar emrin dhe mbiemrin e tij me trupat e tyre në fushën e gjelbër.

Ndërkohë, sa i përket kampit sivjet ekipet pjesëmarrëse nga shtatë Lidhjet Rajonale të Futbollit janë ndarë në dy grupe, ku Grupi A i ka zhvilluar ndeshjet gjatë tri ditëve, e ku kanë qenë përzgjedhjet e LRF të Pejës, LRF të Prishtinës (ekipi 2), LRF të Ferizajt dhe LRF të Gjilanit. Ekip fitues i Grupit A doli përzgjedhja e LRF të Pejës, e cila i fitoi të tri ndeshjet, madje duke dëshmuar kualitet dukshëm më të mirë se ekipet e tjera. Në ndeshjen e parë Peja e ka mundur Prishtinën 2,  me rezultat 3:0, me tre gola të Dijar Nikqit.

-Advertisement-

Në ndeshjen e dytë ky futbollist ka shënuar pesë gola në fitoren kundër Gjilanit (5:0), derisa në ndeshjen e tretë ekipi pejan ka fituar kundër Ferizajt, me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Rinor Jahmurataj dhe Altin Mehaj.

Ndërkohë, me dy fitore këtë kamp e ka mbyllur ekipi Prishtina 2 i drejtuar nga Mehmet Kurda, fillimisht e ka mundur Ferizajt 5:0, me golat e shënuar nga Orges Sijarina, Etnik Bruti, Jon Kutllovci, Florian Bulliqi dhe Rinor Tovërlani, derisa më pas ekipin e Gjilanit, me rezultat 1:0, me golin e Orges Sijarinës.

Ndërkohë, tani në Durrës kanë arritur ekipet e përzgjedhjeve të LRF Prishtina 1, LRF Mitrovica, LRF Prizreni dhe LRF Gjakova, të cilat do të garojnë në Grupin B gjatë tre ditëve, derisa më pas do të bëhet përzgjedhja e 32 futbollistëve më të mirë të këtij kampi nga trajnerët e përfshirë në këtë kamp, të cilët do ta zhvillojnë një ndeshje në Prishtinë.

Deklaruan
Kahraman Loxha, trajner i LRF Peja: Ky kamp është i qëlluar dhe presidenti tashmë I ndjerë, Fadil Vokrri duhet rikujtuar dhe respektuar vazhdimisht, pasi ka përkrahur gjithmonë aktivitetet e tilla për gjeneratat e reja. Kushtet në kamp ishin të mira, derisa fushat për lojë ishin optimale. Sa i përket ekipeve sivjet disa kanë qenë më cilësore, e disa më të dobëta.Ekipi ynë sivjet ishte më kualitativ dhe me meritë e fitoi vendin e parë në Grupin A. Kemi talente, por duhet punuar shumë këta të rinj për të arritur në nivelin që i duhen Kosovës.

 

 

Mehmet Kurda, trajner i LRF Prishtina 2: Ky është kampi i dhjetë jubilar. Këtë kamp e kishim filluar para një muaji, por vdekja e papritur e presidentit Vokrri bëri që të ndërpritet dhe të vazhdojë këto ditë. Kemi parë lojëra të mira dhe mendoj se kemi shumë talente. Sot u vërejt pak lodhja te lojtarët edhe për shkak të vapës, pasi dje i luajtëm ndeshjet në mbrëmje, por në përgjithësi kampi ka qenë shumë i mirë dhe ka kualitet, por që duhet punë e vazhdueshme.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera