Lajme

Deputeti gjerman e qorton Qeverinë e tij që s’e futi në agjendë Kosovën, paralajmëron diskutim në Vilnius

Autori: Gazeta inFokus 17:17 | 17 May 2024

Deputeti gjerman i SPD-së, Frank Schwabe, i cili është edhe kryesues i grupit të Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve (SOC) në Këshill të Europës, ka reaguar pasi Kosova nuk u përfshi në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave.

Përmes një postimi në platformën X, Schwabe ka kritikuar qeverinë e tij që s’e futi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë në mbledhjen e sotme të Komitetit të Ministrave.

Sipas tij, Komiteti i Ministrave i detyrohet Asamblesë Parlamentare një shpjegim pas rekomandimit me mbi 80 përqind që i bëri për ta bërë Kosovën anëtare.

-Advertisement-

“Dështimi i qeverisë [gjermane] për të pranuar sot Kosovën në Këshillin e Europës pas miratimit mbi 80 për qind në Asamblenë Parlamentare është një gabim i rëndë. Kosova i përmbush obligimet e përcaktuara nga Asambleja Parlamentare. Këshilli i Europës nuk duhet të lejojë që të diktohet nga Donald Trump dhe Richard Grenell. Komiteti i Ministrave të qeverive i detyrohet Asamblesë Parlamentare një shpjegim dhe një propozim për një afat kohor dhe një rrugë përpara”, shkroi ai.

Ai tha se do të diskutohet për këtë çështje në Vilnius javën e ardhshme.

“Ne do të diskutojmë hapat e mëtejshëm në Komitetin e Përhershëm në Vilnius javën e ardhshme. Faleminderit atyre që kanë ndërmarrë hapa të guximshëm dhe besojnë në fuqinë e Këshillit të Evropës. E ardhmja është me ata që janë të guximshëm”, shtoi Schwabe.

Në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave, sipas ueb-faqes zyrtare të KiE-së, nuk u përfshi votimi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

Kosova veçse ka kaluar dy faza në procesin e pranimit në këtë organizatë, dhe Komiteti i Ministrave është ai që vendos nëse një shtet do të pranohet ose jo në Këshillin e Evropës.

Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.

Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera