Opinione

Përpjekjet ruse për përmbysje realiteti

Autori: Agron HOTI 10:22 | 16 November 2021

Shkruan: Agron HOTI

“Përmbysja ideologjike (subversioni ideologjik)… ose lufta psikologjike… ndryshon përceptimin e realitetit… në asi përmasa sa që megjithë bollëkun e informacionit askush s’është më në gjendje të arrijë në përfundime të arsyeshme në interes të mbrojtjes së vetes, familjes, komunitetit dhe vendit”. Yuri Alexandrovich Bezmenov.

Masat subversive janë aktivitete të fshehta afatgjata që synojnë përmbysje të një shteti në fe, strukturë shtetërore, sistem qeverisës, politikë, ekonomi, etj. Me një fjalë janë masa shkatërruese të realitetit ekzistues. Këto akvititete janë shumë të vështira për t’u zbuluar. Masa subversive kryejnë njerëzit me ndikim duke filluar nga profesorët universitarë, klerikët, opinionistët, etj., të cilët mund të përgatisin gjenerata të tëra, të cilat kur të futet nëpër struktura shtetërore apo fetare të jenë në gjendje të kryejë veprime në dëm të interesave të vendit.

-Advertisement-

Shembulli i ndërhyrjes në fe është kur një pjesë e hoxhallarëve tanë gjatë komunizmit përgatiteshin dhe kalonin nëpër dyer të Moskës dhe Beogradit teksa përhapnin ide se “të luaje me top ishte sikur të luaje me kokën e pejgamberit”. Kjo masë subversive nuk ishte e vështirë për t’u mbjellë nëpër
hapësira shqiptare ku shkalla e analfabetizmit ishte më e larta në Evropë, ku bestytnitë edhe ashtu të shumta por të nxitura edhe më tej nga Rusia e Serbia të çmendnin, pra ishin përditshmëri në një shoqëri që po luftonte për mbijetesë.

Pra, përmes hoxhallarëve nëpër xhamia ishin ndikuar gjenerata të tëra deri në fund të viteve të 80-ta duke e demonizuar kështu sportin sidomos nëpër fshatra që në atë kohë ishin shumicë, ndërkohë që Rusia e Serbia bënin të pamundurën për të konkuruar në sport me tërë botën. Po të kishte qenë sporti i keq sipas fesë, atëherë nuk do të investonin në të vendet arabe e tjera muslimane nëpër botë. Me një fjalë synohej dekurajimi për t’u marrë me sport dhe me këtë dobësimi i vitalitetit kombëtar, sepse sporti para se gjithash kontribuon për një shoqëri të shëndetshme, e ishte pikërisht vitaliteti kombëtar ajo që po i pengonte atëherë dhe sot projeksionet ruse e serbe për shfarosjen e popullit shqiptar.

Sigurisht që janë shtetet e fuqishme ato që kanë kapacitetet e mundshme për sponsorizim dhe ndërmarrje masash të fshehta subversive. Për vendet përreth tyre, shtetet e fuqishme përdorin masat ekonomike dhe ushtarake si masa subversive, kurse për ato më larg, përdorin informacionin, sulmet kibernetike dhe ato politike. Masat subversive janë shumë më të lira dhe më lehtë të realizueshme sesa konfrontimet ushtarake, ndaj edhe përdoren aty ku diplomacia apo ndërhyrjet ushtarake janë të pamundshme. Rusia përbën rast tipik të ndërhyrjeve me masa subversive.

Arsyeja kryesore se pse Rusia i përdor masat subversive është siguria e saj. Nuk ka vend më të ekspozuar në glob ndaj pasigurisë sesa Rusia, kjo kryesisht edhe për shkak të territorit të saj jashtëzakonisht të madh që është në shpërputhje të madhe me numrin e popullsisë, si dhe kufizimit të këtij shteti me shtetet dhe rajonet më të paqëndrueshme në glob. Mu për këtë arsye Rusia mban vazhdimisht armata të mëdha që janë shumë të kushtueshme, pra në shpërputhje me mundësitë
buxhetore dhe zhvillimin ekonomik të saj.

Rusia e sheh veten të rrethuar mes Perëndimit dhe Kinës e Japonisë në Lindje. Zgjerimi i NATO-s dhe BE-së drejt Evropës Lindore si dhe fuqizimi i Kinës në Lindje të Rusisë konsiderohen dy sfidat kryesore jetike afatgjata të sigurisë ruse. Përderisa NATO e BE synojnë të zgjerohen drejt ish- republikave sovjetike pa e prekur kështu direkt territorin rus, pra ish-Rusinë perandorake, Kina ka pretendime territoriale të sigurta, por ende të heshtura në Siberi, e cila zyrtarisht është territor rus dhe që është ndër rajonet më të pasura në glob me resurse nëntokësore dhe dru.

Si BE ashtu edhe NATO me në krye SHBA-të përbëjnë Perëndimin për Rusinë dhe Kinën. Përderisa dje ishte Bashkimi Sovjetik, sot Kina përbën sfidën kryesore për sigurinë e Perëndimit dhe Rusisë.

Çdo përçarje e Perëndimit e ul mundësinë e zgjerimit të NATO-s dhe BE-së drejt ish-republikave sovjetike, ashtu sikundër që e mban Perëndimin sa më larg ish-kufijve perandorakë të Rusisë, që në fakt është qëllimi kryesor i politikës së ruse, ndërkohë që rrit apetitet ruse për rikthim në ish-territoret sovjetike (p.sh. shih ndërhyrjet në Gjeorgji dhe Ukrainë).

Lufta e shek. 21 do të jetë se kush do të kontrollojë Oqeanin Paqësor (më pas Paqësorin), SHBA, Kina apo Japonia, derisa Rusia nuk është akter atje? Çdo konfrontim i Perëndimit me Kinën hëpërhë dhe ndoshta edhe Japoninë në plan afatgjatë për të kontrolluar Paqësorin i sjell avantazhe Rusisë, sepse e shpërqendron Kinën në ngritje pretendimesh territoriale ndaj pjesës lindore të Rusisë (pra Siberisë), ashtu sikundër që dobëson dominimin e SHBA-së në ujërat e Detit të Kinës Jugore në veçanti dhe në Paqësor në përgjithësi.

Çdo përafrim i Rusisë kah Perëndimi (shih Këshilli NATO-Rusi), sfidon edhe më shumë sigurinë e Kinës, ndërkohë që pavarësisht bashkëpunimit ekonomik në rritje, janë kontestet e mëdha por të heshtura territoriale mes Kinës dhe Rusisë ato që pengojnë çfarëdo aleance të ardhshme sino-ruse, diçka që shkon në interes të plotë të Perëndimit, me theks të veçantë SHBA-së.

Pra, të tre akterët kryesorë aktualë globalë (Perëndimi, Rusia dhe Kina), janë në asi marrëdhënie komplekse mes vete, saqë kjo pengon çfarëdo aleance mes njëri tjetrit. Secili prej këtyre tre akterëve është munduar dhe mundohet ta dobësojë tjetrin përmes formave të ndryshme politike e diplomatike. Për më tepër, këta tre akterë globalë nganjëherë përballen mes vete edhe ushtarakisht nëpër periferira (p.sh. shih përballjet indirekte BRSS-SHBA-Kinë në luftën Irak-Iran, Afganistan, Jugosllavi, Kaukaz, Kore, Vietnam, Siri, Irak, etj.) duke i ikur me çdo kusht ndonjë konfrontimi të mundshëm direkt ushtarak, i cili do të mund të ishte fatal për tërë botën.

Meqë është Perëndimi (NATO e BE) ai që është duke u zgjeruar kah ish-territoret sovjetike, atëherë Rusia bën të pamundurën për ta përçarë Perëndimin, për ta rritur antiamerikanizmin në vendet ku NATO synon zgjerimin, me një fjalë për ta dobësuar Perëndimin. Çdo përçarje brenda për brenda BE- së, apo mes BE-së dhe SHBA-së shkon në interes të plotë të Rusisë si ushqyese e kësaj përçarjeje. Varësia e madhe e BE-së nga energjia ruse i sjell avantazhe të mëdha Rusisë për ta përçarë Perëndimin dhe vetë BE-në.

Prandaj, Rusia përdor asi masa subversive, sa sot ekspertë të ndryshëm të IT-së, të ulur midis Moske, arrijnë të ndërhyjnë nëpër sisteme zgjedhore të shteteve të ndryshme, referendume, përcepsione publike, lajme të rreme e ç’orientuese, sulme kibernetike, etj. Këta hakerë para se gjithash politikë dhe të mbështetur fuqishëm nga shteti rus mund të shkaktojnë thyerje e polarizim të shoqërive, anarki dhe kaos. Me një fjalë si Rusia ashtu edhe Kina, synojnë përmbysjen e këtij rendi ndërkombëtar demokratik të bazuar në rregulla, duke e parë atë si rend të imponuar nga Perëndimi me në krye SHBA. Është logjike që sulmet me masa subversive të bëhen aty ku me një rrugë kryen dy punë dhe në këtë pikë Ballkani përbën pikën më kritike në BE.

Ballkani ende përbën Thembrën e Akilit për Ballkani dhe tërë Evropën. Pa Ballkanin, projekti i BE-së mbetet i papërfunduar dhe me potencial shpërthimi duke pasur Serbinë në qendër si destabilizatorin e sigurtë rus. Ndërkohë që, nyja shqiptaro-serbe përbën pikën më të nxehtë në Ballkan, pa zgjidhjen e së cilës nuk do të ketë qetësi në Ballkan dhe Evropë ashtu siç kurrë s’do të ketë integrim në BE. Për këtë arsye Rusia e konsoliduar që pas ardhjes së Putinit në pushtet i fryen këtij zjarri duke e rritur prezencën e saj në Ballkan përmes masave subversive. Qendra Ruse për ‘Hulumtime’ në Nish të Serbisë është shkolla më e afërt ruse e masave subversive dhe spiunazhit kundër politikave dhe projeksioneve të Perëndimit në Ballkan.

Ndërkohë shqiptarët, janë i vetmi popull në Ballkan, që menjëherë pas rënies së Perandorisë Osmane jenë përpjekur që me çdo kusht të orientohen nga Superfuqia në ardhje, pra SHBA dhe Perëndimi, edhe pse në vazhdimësi janë penguar nga elementi lindor. Rënia e komunizmit ishte pika e kthesës së madhe për shqiptarët, kjo sepse Shqipëria u demokratizua dhe u fut në NATO, Kosova u pavarësua dhe po ashtu u fut nën sigurinë e NATO-s, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi duke qenë se edhe ata janë nën ombrellën e NATO-s s’kanë qenë asnjëherë më të sigurtë se sot.

Me një fjalë, fundi i shekullit 20 dhe fillimi i shekullit 21 i gjeti shqiptarët të orientuar tërësisht kah SHBA dhe Perëndimi, me gjasë me shkallën më të lartë në botë të proamerikanizmit, sidomos nga viti 1990-2000 kur një pjesë e popullit shqiptar që ishte nën Jugosllavi po përballej me jetë a vdekje, ndaj po kërkonte shpëtimin në Perëndim dhe një pjesë tjetër e popullit shqiptar me ndihmën e Perëndimit po hapte dritaren e demokracisë siç ishte Shqipëria. E ky proamerikanizëm i theksuar mes shqiptarësh, sigurisht që pengonte ata që kishin dhe kanë plane tjera në Ballkan, pra Rusinë. Prandaj, kjo për fat të keq pati filluar të ndryshojë që nga viti 2000 e deri me sot, kur në Rusi në pushtet erdhi Putini.

Është shumë e vështirë nga perspektiva e një qytetari të rëndomtë, por edhe për nga kapacitetet institucionale si të Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë, të vërtetohet nëse Rusia ia ka dalë që të instalojë masa subversive afatgjata, për ta depresionuar kështu dhe demoralizuar shoqërinë shqiptare si dhe për ta rritur antiamerikanizmin. Por, nëse analizohen shkaqet që e shtyjnë Rusinë ta destabilizojë dhe përçajë Perëndimin, përfshirë Ballkanin, atëherë janë efektet në terren ato që ngrehin dyshime të forta për masa subversive ruse.

Sipas një interviste (https://www.youtube.com/watch?v=bX3EZCVj2XA) të vitit 1984 Yuri Alexandrovich Bezmenov (i larguar nga KGB në vitin 1970) qysh atëherë kishte paraparë se çfarë po e priste SHBA-në sot nga investimet e mëdha të KGB-së në masa subversive ideologjike në SHBA.
Ai thoshte se KGB vetëm 15 % të kohës dhe parasë e shpenzon për aktivitete inteligjente (spiunazhi), kurse 85 % e aktiviteteve të KGB-së në SHBA janë proces i ngadaltë, pra janë masa aktive apo luftë psikologjike për të ndryshuar përcepsionin e realitetit pavarësisht fakteve dhe argumenteve, pra shpërlarje masive e trurit.

Lidhur me masat subversive ideologjike, apo shpërlarjes masive të trurit, Yuri Bezmenov thotë se ato arrihen në 4 faza:

1) Demoralizimi i masave zgjat 15 deri në 20 vite. Fillohet me një gjeneratë të tërë të studentëve dhe kur ata pastaj futen nëpër pozita të ndryshme kanë efekte kontaminuese në shoqëri, nuk mund t’ua ndryshosh mendjen edhe po ua tregove faktet.

2) Destabilizimi zgjat 2-5 vite dhe ajo bëhet duke goditur ekonominë, punët e jashtme dhe sistemet e mbrojtjes. Metodat marksiste janë perfekte për destabilizim.

3) Kriza është faza e tretë e cila arrihet deri në 6 javë dhe që përfshinë marrje të pushtetit me dhunë, ndryshim të strukturës shtetërore dhe ekonomisë;

4) Normalizimi është faza e katërt e cila zgjat pafund. Normalizimi në këtë rast është shprehje cinike, sepse normalizim quhej kur BRSS pati shkelur Çekinë me tankse e ushtri dhe më pas e quante situatën të normalizuar. Pra, normalizimi zgjat derisa cikli tjetër i krizës arrin kulmin e shpërthimit. Dhe kështu vendi vendnumëron nga kriza në krizë.

Në shtetet me nivele të larta emancipative dhe demokraci të konsoliduara instalimi i masave subversive ideologjike është më i vështirë dhe mund të zgjasë mes 20 deri në 25 vite, ndërsa në shtete me demokraci të reja dhe nivel arsimor të pakënaqshëm, siç është Shqipëria, Kosova dhe tërë Ballkani, shpërlarja masive e trurit mund të bëhet shumë më shpejtë. Putini kishte ardhur në pushtet në 2000 (më saktë në fund-dhjetor 1999) dhe deri me sot kemi saktësisht 22 vite, koha e mjaftueshme për të pasur gjenerata që shpëtimin dhe prosperitetin e popullit shqiptar me apo pa vetëdije e shohin në lindje e jo perëndim.

Rritja e antiamerikanizmit në Kosovë dhe Shqipëri pas ardhjes së Putinit në pushtet në Rusi ka bërë që SHBA të shtojë përpjekjet për përfundimin e procesit të shtetndërtimit në Ballkan dhe hapjen e perspektivës afatgjatë të rajonit. Mbi këtë bazë duhet kuptuar kërkesën e SHBA-së për armatosjen e Evropës, përfshirë mbështetjen e formimit të ushtrisë së Kosovës nga Administrata Trump, si dhe përpjekjet e shtuara dhe të përshpejtuara si të Administratës Trump ashtu edhe të asaj Biden për fuqizimin e mëtejmë demokratik të Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit.

Lëvizjet më të fundit të Administratës Biden drejt përshpejtimit të dialogut Kosovë-Serbi të japin të kuptosh që pa zgjidhjen e nyjes shqiptaro-serbe rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk do të mund të stabilizohet. E kur nuk ka stabilitet, s’ka siguri, demokraci dhe prosperitet. Jo rastësisht rajoni i Ballkanit ende vazhdon të trajtohet nga SHBA nga perspektiva e sigurisë. Një telashe më pak për SHBA-në në Ballkan, automatikisht do të thotë ulje nevoje për prezencë ushtarake të kushtueshme amerikane dhe djegie karteje ruse për destabilizim të rajonit të Ballkanit. Vetëm një Ballkan pa probleme sigurie, ka gjasa të integrohet e anëtarësohet i tëri në BE që është synim edhe i tërë shqiptarëve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera