Opinione

Pse as pushteti, as opozita s’do të bëjnë asgjë për Specialen?

Autori: Gazeta inFokus 12:40 | 18 Tetor 2026

Kosova është në një situatë pothuajse të pashpresë sa i përket Speciales. Shtrohet pyetja pse?
– Sepse pushteti nuk do t’i sjellë asnjëherë në shtëpi kundërshtarët kryesorë politikë, të cilët – po të ishin këtu – Kosova do të kishte shpërthyer me shpejtësi nga kjo paralizë totale ku jemi futur dhe së cilës s’po i shihet fundi. Me fjalë të tjera, Kosova do të kishte shpërthyer “ose me atë apo këtë dynja”, siç thotë populli, por asesi s’do të vazhdonte kështu duke u fundosur, ku Serbia po fiton terren në SHBA, ndërsa ne po humbim dhe ku as ambasador amerikan s’kemi që prej dy vitesh. Sikur pushteti ta kishte përnjëmend mbrojtjen e Çlirimtarëve në Hagë dhe sjelljen e tyre në shtëpi, do të kishte marrë iniciativë shtetërore që në vitin 2021, edhe atë në qeveri, Kuvend, media, diskurs publik, në troje shqiptare e diasporë, në mekanizma ndërkombëtarë dhe në lobimin nëpër shtete mike. Nuk e bëri as njërën, as tjetrën. Përkundrazi, vazhdoi të mbillte frymë kundër Çlirimtarëve, duke ua cilësuar të gjitha qeverisjet e tyre si shkatërrim 20-vjeçar. E, sipas logjikës së tyre, i binte që vetëdorëzimi i tyre në Speciale përbënte shpëtim për vendin, duke qenë se ata po e shkatërronin atë për 20 vite.
– Sepse opozita hoqi dorë nga instrumenti më i fuqishëm që ka çdo opozitë në glob, e ai është instrumenti i protestës paqësore. Në vend që, pavarësisht nismës ligjore për Specialen, të masivizohej protesta në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë, asaj iu ndal rritja në hovin më të madh të saj dhe kjo u bë nga frika se rinia do të mund ta nxirrte këtë opozitë tërësisht nga loja politike. Sikur opozita ta kishte përnjëmend mbrojtjen dhe kthimin e çlirimtarëve në shtëpi, do të duhej që së paku të përpiqej t’i bënte të gjithë ata hapa që nuk i bënte pushteti. Opozita e kishte edhe instrumentin e protestave paqësore, të cilin pothuajse kurrë nuk e ndërmori. S’e bëri as njërën as tjetrën. Nëse kjo opozitë s’lëvizi as kur Kosova humbi sovranitetin në veri, kur fut edhe nën sanksione perëndimore dhe as kur iu ndërpre dialogu strategjik me SHBA-në, atëherë, për çfarë pret ajo të lëvizë? Mbi 37 vjet orientim pro-SHBA-së u shembën brenda natës dhe opozita s’e bëri asnjë lëvizje për atë proamerikanizëm jetik që vetë mezi e kishte ndërtuar me vite e dekada. Dhe kur SHBA-ja e pa që edhe opozita po pajtohej se Kosova, sipas rrëfimit të pushtetit, ishte shkatërruar për 20 vjet, pra që tërë ai investim i SHBA-së nga viti 1999 deri më 2019, i cili u bë për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, po hidhej në koshin e plehrave dhe askush s’po reagonte për të, atëherë edhe ajo filloi të humbte interesin për Kosovën, gjë që më së miri shpjegohet me ndërprerjen e dialogut strategjik dhe mos-emërimin e ambasadorit prej dy vitesh.
Dhe, duke qenë në një situatë të tillë, ku pushteti kishte frikë nga përshkallëzimi i situatës dhe humbja e sigurt e pushtetit, ndërsa opozita kishte frikë se mos po e humbte opozitarizmin, erdhi kompromisi ligjor që eliminoi, së paku përkohësisht, frikën e të dyja palëve, ndërkohë që humbëse në secilin variant doli të jetë Kosova dhe rinia e saj, e cila s’ka të ndalur së ikuri nga vendi për shkak të paperspektivës ekonomike. Ndërkohë, Kosova do të hyjë në histori si vendi që po e shijon shtetin që Çlirimtarët e bënë bashkë me Perëndimin, ndërsa vetë nuk bëri pothuajse asgjë për lirimin e tyre.
Fundja, pse të mos vazhdojë një situatë e tillë e tipit “ku rafsha, mos u vrafsha”? Opozita po i shijon të mirat që solli qeverisja e saj, pushteti po akumulon të mira sikurse opozita, dhe Kosova po lëviz në të njëjtin drejtim si Shqipëria, ku, përtej pushtetit dhe opozitës atje, po mundohet të shpërthejë një forcë e re politike. E kjo forcë e re politike po shihet që kundërshtarët më të mëdhenj i ka pushtetin dhe opozitën.

-Advertisement-

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy