Opinione

Lëshojani zanin Cecës lirisht!

Autori: Gazeta inFokus 15:36 | 17 Shtator 2026

Mos ngurroni më. Lëshojani zanin Cecës lirisht le të jehojë jashtë banesave tuaja, jashtë veturave tuaja. Mundeni edhe të këndoni lirisht bashkë me të nëpër kafene. Nuk ju gjykon askush. Nuk ju kërcënon askush. Nuk ka mbetur kush që ua prish qejfin. Ata që nuk e kanë duruar muzikën e saj shesheve të vendit kanë vdekur. Shumë në luftë e shumë pas lufte. Të tjerët u burgosën dhe nuk ka mbetur më askush. Shfrenohuni serbisht lirisht!

Merrni çekana e kazma e rrafshoni shtatoret e shqiptarëve lirisht, sidomos ato të dëshmorëve të UÇK-së. Mundeni edhe me buldozera, nuk ka problem. Me rëndësi bëni rrafsh me tokë, argëtohuni duke parë të copëtohen bashkë me atë çka ata përfaqësojnë. Kthejeni lirisht ato të Milladinit me shokë nëpër sheshet e qyteteve tona. Në vend të Zahirit mund ta vendosni Oliverin. Ademin edhe ashtu nuk e pranuat në Prishtinë. Nuk ju kundërshton kush. Gjithçka është e juaja!

Mundeni lirisht edhe shtatoren e Skënderbeut. S’ka pse të qëndrojë aty. Mandej kërkojeni edhe Nanën Tereze. Këta nuk janë heronjtë tuaj.

-Advertisement-

Mos harroni varret e dëshmorëve. Bëni rrafsh me tokë. Digjni lulet përreth tyre. Digjni kujtimin duke djegur librat, poezitë dhe këngët që këndohen për ta. Lëshojani zanin Cecës lirisht.
Shkollat e ndërtuara pas lufte mos i harroni. As rrugët, as spitalet, as emblemat e UÇK-së. Bëni rrafsh me tokë. Ato përfaqësojnë lirinë e shqiptarëve dhe si duhen kujt. Ktheni rrugët e vjetra, muzikën e vjetër, policinë e vjetër, ushtrinë e vjetër, flamurin e vjetër. Këtë kuq e zi dhe këtë tjetrin “lara lara” hidhni në bërllog. Bëjeni lirisht!

Ju dëshmitarë të rrejshëm kundër UÇK-së, të shitur për para ose lejeqëndrimi në perëndim, dilni lirisht. Mos u fshihni. Nuk ju trazon kush. Nuk ka kush. Kanë vdekur të gjithë. Rrugët janë tuajat dhe atyre që ju kanë mbështetur e blerë. Marshoni krenarë rrugëve të lara me gjakun e shqiptarëve që nuk ia dolën dot.

Dehuni nga lumturia, duke parë të shkatërrohet një shekull vuajtje të shqiptarëve të shkretë që e duanin këtë tokë shqiptare. Dehuni nga lumturia duke parë të shkatërrohet liria dhe shteti që u ndërtua me gjak. Ju nuk keni parë gjak, prandaj mos keni frikë. Lëshojani zanin Cecës lirisht. Nuk ka mbetur kush t’ju pengojë!

Shkruar nga Ahmet Jashari

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy