Lajme

Përfundon takimi Kurti-Macron, zv.kryeministrja Emilija Rexhepi tregon çka u bisedua

Autori: Gazeta inFokus 22:45 | 23 June 2021

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi ka dhënë detaje nga takimi mes presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Pallatin Elysse në Paris.

Në takimin, i cili zgjati më shumë se një orë, Rexhepi tha se është diskutuar për tema me shumë rëndësi, siç është dialogu mes Kosovës e Serbisë, liberalizimi i vizave, nevojën për furnizim me vaksina, arsimin dhe rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“Kemi pasur një takim shumë miqësor, më shumë se një orë me presidentin Macron, një takim shumë të sinqertë. Kemi diskutuar për mundësinë që Kosova të furnizohet me vaksina anti-COVID, për më shumë investime nga Franca në Kosovë, për arsimin, liberalizimin e vizave si prioritet i Qeverisë Kurti, dialogun me Serbinë dhe rrugën më të lehtë për në Bashkimin Evropian”, ka bërë të ditur Rexhepi për Telegrafin.

-Advertisement-

Ajo po ashtu theksoi se gjatë takimit kryeministri Kurti ka ftuar presidentin Macron për vizitë në Kosovë.

E pyetur nëse ka parë shenja pozitive nga presidenti Macron, se do të përkrah Kosovën në kërkesat e saj gjatë procesit të dialogut me Serbinë, Rexhepi tha se Kosova do të ketë lidhje të ngushtë dhe përkrahje të plotë nga Franca.

“Për mua Franca është një shtet shumë i rëndësishëm në Evropë dhe Presidenti MAcron njëri nga liderët më të fuqishëm. Patjetër se duhet që Kosova të ketë lidhje të ngushtë dhe përkrahje të plotë nga Franca”, u shpreh Rexhepi.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, para takimit në Pallatin Elysee në Paris kanë mbajtur një konferencë shtypi.

Macron ka thënë se shteti i tij do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën, ndërkaq theksoi se fton Kosovën e Serbinë për gjetjen e një kompromisi dhe arritjen e marrëveshjes.

Në takimin e kryeministrit Kurti me presidentin Macron, ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeminsitri Besnik Bislimi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera