Pas raportimeve të Infokusit për mungesë transparence dhe dyshime për dallavere, MAPL-ja anulon thirrjen për gjysmë milioni euro për OJQ-të
Autori: Hateme Smajli
16:45 | 08 October 2026
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e udhëhequr nga ministri, Elbert Krasniqi, ka anuluar thirrjen publike për mbështetjen financiare të organizatave joqeveritare në fushën e qeverisjes lokale, përmes së cilës ishte paraparë ndarja e hiç më pak se 500 mijë eurove nga buxheti i shtetit.
Vendimi për anulimin e kësaj thirrjeje vjen pas raportimeve të Gazetës Infokus, e cila kishte ngritur shqetësime lidhur me mungesën e transparencës në procesin e ndarjes së fondeve publike për organizatat joqeveritare.
Sipas njoftimit zyrtar të MAPL-së, thirrja publike e shpallur më 30 prill 2026 është anuluar me vendimin e ministrit, me numër 453-316/59, të datës 6 tetor 2026.
“Bazuar në Vendimin e Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Nr.453-316/59, të datës 06.10.2026, anulohet Thirrja Publike për mbështetje financiare për projektet/programet e organizatave jo-qeveritare në fushën e ‘Qeverisjes Lokale’, e publikuar më 30.04.2026”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ky vendim është marrë pasi ministria tashmë kishte përfunduar edhe procesin e përzgjedhjes së organizatave përfituese dhe kishte bërë publike edhe shumat që do t’u ndaheshin atyre.
Megjithatë, në njoftimin e publikuar nuk jepen arsyet konkrete që kanë çuar në anulimin e kësaj thirrjeje, për të cilën më herët ishte publikuar edhe lista e organizatave përfituese.
Infokus kishte zbuluar mungesën e transparencës në ndarjen e fondeve
Gazeta Infokus kishte raportuar fillimisht se MAPL-ja po zhvillonte procesin e ndarjes së deri në gjysmë milioni eurove për OJQ-të pa bërë publikë emrat e organizatave, projektet për të cilat kishin aplikuar dhe shumat që do të përfitonin.
Në dokumentet e publikuara nga ministria figuronin vetëm numrat e protokollit të aplikimeve, duke e bërë të pamundur identifikimin e organizatave që kishin kaluar fazat e vlerësimit.

Pas këtij raportimi të Infokusit, ministria kishte publikuar listën e plotë të përfituesve, duke bërë të ditur se 12 organizata joqeveritare ishin përzgjedhur për financim në vlerë totale prej 500 mijë eurosh.
Në mesin e organizatave të përzgjedhura ishin Green Art Center Prishtina, Business Support Centre Kosovo, Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, Për Mendje të Shëndoshë, Qendra Kosovare për Diplomaci, Democracy Plus, Instituti GAP dhe organizata të tjera.
Shumat e publikuara për organizatat dhe projektet e përzgjedhura varionin nga 30 mijë deri në 60 mijë euro.
Në atë kohë, MAPL-ja kishte arsyetuar mospublikimin fillestar të emrave të organizatave me faktin se procesi i vlerësimit ende nuk kishte përfunduar.
Megjithëse pas raportimit të Infokusit ministria kishte bërë publikë emrat e përfituesve dhe shumat e planifikuara, tashmë i gjithë procesi i thirrjes publike është anuluar.
Në njoftimin e fundit, MAPL-ja ka lënë të hapur mundësinë që një thirrje e ngjashme të shpallet sërish.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, do të shqyrtojë mundësinë e rishpalljes së një Thirrjeje Publike në fushën e ‘Qeverisjes Lokale’, në varësi të mundësive buxhetore dhe financiare”, thuhet në njoftim.
Anulimi i thirrjes ngre pikëpyetje të reja lidhur me procesin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së organizatave përfituese, veçanërisht pasi ministria kishte publikuar tashmë vendimin për financimin e tyre.
Ende mbetet e paqartë se çfarë e shtyu MAPL-në të anulojë thirrjen, nëse vendimi lidhet me parregullsi të mundshme gjatë procesit dhe nëse ndonjë nga organizatat e përzgjedhura ka pranuar mjete financiare para anulimit.
Gazeta Infokus kishte raportuar në vazhdimësi për këtë proces, duke kërkuar transparencë mbi mënyrën e shpërndarjes së gjysmë milioni eurove të parasë publike./Gazeta Infokus

T� tjera
-
Prattipati takon komandantin e KFOR-it: Të ruhet një ambient i sigurt për të gjithë komunitetet në Kosovë
E ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosov...
-
Si do të funksiokojë çështja e konfiskimit të patentëshoferit pas vendimit të Gjykatës Supreme, Policia e Kosovës jep sqarime
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, i cili ...
-
Podujevë: Qentë sulmojnë fëmijën, gruaja e dyshuar si pronare e tyre sulmon policinë
Në Podujevë, gjatë ditës së djeshme raportohet se një fëmijë 12-vjeçar është ...
-
Autobusi godet për vdekje një grua te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, arrestohet shoferi
Një grua ka humbur jetën pasi është goditur nga një autobus të premten, më 6 ...
-
10 raste të dhu*nës në familje brenda 24 orëve
10 raste të dhunës në familje janë regjistruar në raportin e fundit 24-orësh ...
-
Këto vende mbesin pa rrymë sot për shkak të punimeve
KEDS ka treguar zonat që sot mbesin pa rrymë për shkak të “punimeve të domosd...
-
Protestë gjithëkombëtare për Arlinda Zekajn, kërkohet shkarkimi i ministrave
Sot në Prishtinë do të mbahet protestë gjithëkombëtare me kërkesën për drejtë...
-
Gjendet pa shenja jete një shtetas austriak në një banesë në Prishtinë
Në rrugën Isa Boletini në Prishtinë, mbrëmë rreth orës 19:00, Policia e Kosov...
-
Parashikimi i motit për të shtunën
Të shtunën parashikohet mot kryesisht me diell, me përjashtim për në orët e m...
-
Xhavit Haliti: Po të liroheshin Thaçi dhe të tjerët me protesta, do të mblidheshin një milion njerëz në rrugë
Ish-deputeti i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka komentuar vendimet e veçanta të Ko...
-
Kurti: Dokumentimi i krimeve të luf*tës i domosdoshëm për zbardhjen e së vërtetës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar raportin e punës së Instituti...
-
Komandanti i KFOR-it takohet me gjeneralin amerikan në Prishtinë, diskutohet siguria në Kosovë
Komandanti i KFOR-it, Roberto Vergori, është takuar sot në kampin “Film City”...

































